Mon, Nov 25, 2024

Vangjush Dako dënohet me 2 vjet e 8 muaj burg për shpërdorim detyre

  • PublishedNovember 25, 2024

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli të hënën më 25 nëntor vendimin për deklarimin fajtor të ish-kryebashkiakut të Durrësit, dhe tre të pandehurve të tjerë për paligjshmëritë në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh si dhe për shpërdorim të fondeve publike në ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor që u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, gjyqtarja vendosi deklarimin fajtor të Vangjush Dakos për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim për faktin penal të ndërtimit të pallatit të ndërtuar nga shoqëria “Fakle” sh.p.k. dhe dënimin e tij me 2 vite e 9 muaj burgim. Për të njëjtën vepër penale u dënua me 2 vjet e 4 muaj burgim për projekt zbatimin e promenadës bregdetare dhe në bashkim të dënimeve u dha masa 4 vjet burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Po ashtu, u caktua dhe dënimi plotësues për heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

Fajtorë u deklaruan dhe tre te pandehurit , dhe të akuzuar për falsifikim, të cilët u dënuan përfundimisht me nga 2 vjet burg. Dënimet e tyre u pezulluan dhe u vendosën në shërbim prove për 4 vjet.

Dako u hetua nga SPAK për veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë Fakle sh.p.k, pasi ai dhe vartësit e tij i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë. Hetimi arrin në përfundimin se është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga bashkia.

Fakti i dytë penal për të cilin prokuroria akuzon Dakon ka të bëjë me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Sipas SPAK, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave.

Prokurori Kllapi evidentoi gjatë konkluzioneve përfundimtare se megjithëse dëmet financiare ishin konstatuar nga dy institucione dhe iu bënë me dije Bashkisë së Durrësit, pagesat vijuan.

Dako u arrestua më 6 qershor 2023, por u lirua nga qelia tetë muaj më vonë pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve. Ai qëndron në masën e sigurimit personal “arrest shtëpie”.

Vangjush Dako ishte kryebashkiaku më jetëgjatë i Partisë Socialiste në Durrës, i shpallur i padëshirueshëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit me motivacionin e “korrupsionit madhor” në korrik 2019. Ai është akuzuar nga opozita dhe ka rezultuar në përgjime me elementë të krimit të organizuar, të cilët veç narkotrafikut, dyshohet se ndikuan në tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve në Durrës në vitin 2017.