Tue, Nov 26, 2024

Deri kur, hipokrizi mbi të vërtetën historike?

  • PublishedNovember 26, 2024

NGA FILIP GURAZIU 

Shkak për shkrimin u ba nji artikull i para disa ditëve në gazetën “Panorama”, ku u jepte informacion mbi zhvillimin i nji konference përkujtimore kushtue luftëtarit të lirisë, të ndjerit Gjeneral Dali Ndreut. Për të qenë i qartë, sidomos me atë kategori lexuesish të indoktrinuem ideologjikisht, dëshiroj me sqarue që në fillim se kam nderue e nderoj maksimalisht të tanë ata persona që luftuen kundër pushtuesit gjatë Luftës së Dytë Botnore për liri, me qëllim vendosjen e nji rendi demokratik në Shqipëri, pavarësisht prej rreshtimit të tyne në reparte balliste, legaliste apo komuniste dhe në kët aspekt e konsideroj me vend organizimin e konferencës përkujtimore për zv.komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare Dali Ndreun me komandant Spiro Moisiun (10 korrik 1943), i cili pati përfundim tragjik, sepse pati qenë shpall armik i popullit dhe i partisë s’bashku me gruen e tij, Liri Gegen (ish-partizanen besnike të diktatorit dhe anëtaren e byrosë politike komuniste) dhe me urdhën të diktatorit komunist Enver Hoxha patën qenë pushkatue të dy s’bashku në vjetin 1956 në nji vend ku nuk u mor vesh kurrë se ku. Ende sot janë pa vorr si mija e mija të tjerë “armiq të partisë”…

Kjo asht e vërtetë “si drita e diellit”; Dali Ndreu, grueja e tij, Liri Gega, dhe disa persona rreth tyne u dënuen me urdhën direkt të diktatorit gjakësor Enver Hoxha nëpërmjet nji procesi gjyqësor të montuem, megjithëse akuzat nuk qëndrojshin, por ishin të sajueme qëllimisht për eliminimin e tyne. Në kët drejtim hedh dritë të plotë shkrimi i “Memorie.Al”, me titull “Dënimi me vdekje i gjeneral Dali Ndreut dhe gruas së tij, Liri Gega”. Dëshmia e ish-nënkryetarit të Gjykatës së Lartë: “Enver Hoxha e ndiqte gjyqin nga zyra e tij” i publikuem më 13 maj 2020 në gazetën “Tema”.

Deri këtu asgja e re, por problemi qëndron në nji tjetër aspekt; megjithëse nuk jetojmë ma në sistemin diktatorial, segmente me lidhje me të kaluemen diktatoriale, që falë demokracisë së brishtë shqiptare kanë të drejtën e fjalës e të vendimit, demonstrojnë dhe ushtrojnë filozofinë e harresës mbi të vërtetën historike të krimit komunist. Nji personazh VIP, që rastësisht jeta i pati dhanë pozicion të randësishëm në shërbim të diktatorit shqiptar, në lidhje me tragjedinë e Dali Ndreut dhe familjes së tij, në artikullin e gazetës “Panorama” datë 20 nandor 2024 shprehet: “Të dënohej e pushkatohej Dali Ndreu si armik e për tentativë arratisjeje, me siguri ka qenë një alibi e sajuar nga një segment i Beogradit, që është shpërblyer prej tyre. Nuk mund të arratisej Dali Ndreu në Beograd, sepse nuk mund të mirëpritej prej tyre për bëmat antiserbe të gjyshit të tij, Elez Isuf Ndreut”.

Përfundimi? Jemi në logjikën e “lugatit”, gjithmonë fajin e kanë armiqtë e jashtëm e të mbrendshëm, Partia kurrë nuk gabon! Nuk ka randësi se deformohet e vërteta, nuk ka randësi se keqinformohet brezi i ri me të kundërtën e së vërtetës; e randësishme ende sot mbas 34 vjetëve të vetëshembjes së diktaturës ma të përgjakshme ndër vendet komuniste të Europës Lindore na qenkërka morali “i mbrojtjes së diktatorit”. I gjori Enver, paska pasë qenë i gënjyer prej djallëzive titiste të U.D.B., pra ai s’ka faj për tragjedinë e familjes së Dali Ndreut! Megjithëse në përkujtimoren e Dibrës ishin të pranishëm disa emna me reputacion, simbas artikullit të gazetës “Panorama”, në lidhje me sa ma sipër kërkush nuk bzani…? Me të drejtë të krijohet përshtypja se edhe profesorëve me tituj akademikë i shkoi për shtat morali i mbrojtjes së diktatorit!

Personit VIP, që paska mbajtë fjalën në përkujtimoren e Dibrës nuk i “shkon goja”, “nuk mundet”, nuk don” as me e përmendë emnin e vërtetë të atij sistemi gjakatar, që ndërtoi Partia Komuniste me Enverin në krye gjatë 44 vjetëve e as emnin e diktatorit, por në artikullin e gazetës “Panorama” datë 20.11.2024 shprehet: “Mu dha fjala dhe përshëndeta edhe unë të pranishmit e veçanërisht vajzën e Dali Ndreut, Lavdien e nipin e tij, Enverin, të cilët përjetuan vitet e persekutimit në sistemin e kaluar” (në sistemin e kaluar?!). Përjetojmë me filozofinë e harresës, mekanizmat e së cilës variojnë prej shtrembnimit të së vërtetës historike e deri te ndryshimi i terminologjisë; ju kujtoj se sot janë të shpeshta në shkrime, referate e kumtesa shprehjet “sistemi monopartiak” ose “sistemi i kaluar” në vend të shprehjes reale: “sistemi komunist”.

Të nderuem lexues: “E vërteta historike nuk asht as personale dhe as pronë e ndonji grupi ideologjik, e vërteta historike e nji populli, asht e të tanëve. Ajo indirekt, por fuqishëm ndikon për të ardhmen e atij populli”. E vërteta historike duhet me qenë filozofia bazë edukuese e brezit të ri, kjo për nji arsye krejt të thjeshtë; e vërteta ndërgjegjëson dhe mobilizon forca të brendshme njerëzore për përparim. E vërteta historike asht konstruktive, sepse bashkon, unifikon jo vetëm fizikisht (me të njajtin kufi politik etj.), por unifikon edhe shpirtnisht, vllaznon nji popull dhe këtu qëndron fuqia e së vërtetës, kurse keqinformimi e harresa bajnë të kundërtën. Sot ma shumë se kurrë kemi nevojë për të vërtetën historike, për edukimin e ndërgjegjësimin e brezit e ri e kjo duhet fillue që në bankat e shkollës. Sot ma shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë të jenë të bashkë shpirtnisht rreth të njajtin ideal; për demokraci dhe bashkimin me Europën e Bashkueme, kjo ashte e ardhmja.