Tue, Nov 26, 2024

Dinamo “top” në sulm, por bujare në mbrojtje! Kryeqytetasit kanë pësuar gola lehtësisht të evitueshëm

  • PublishedNovember 26, 2024

Dinamo u kthye me një pikë nga Korça dhe në kampin blu ajo ndeshje është si një gotë gjysmë plot, duke ditur mungesat që kishte trajneri Ilir Daja në këtë transfertë.

Aliji në mbrojtje dhe Bregu në sulm, pa përmendur mungesat e vjetra të Hoxhës e Muzek në prapavijë, sigurisht që ndikojnë kur janë të gjitha bashkë në një ndeshje. Kryeqytetasit, si në shumë ndeshje të tjera të këtij kampionati, i bënë si duhet detyrat në sulm, duke realizuar dy herë me Peter Itodo Mandelën dhe Lorenco Vilën. Por po ashtu problem ishte loja mbrojtëse, ku si në derbin me Partizanin, edhe në Korçë Dinamo u tregua shumë bujare me kundërshtarin dhe pësoi 2 gola lehtësisht të evitueshëm.

SULMI 

Blutë kanë sulmin e dytë më të mirë të Superiores, pas Vllaznisë që kryeson në këtë drejtim me 2 gola më shumë. Dinamo ka shënuar 21 gola në 14 javë kampionat dhe 20 gola mbajnë firmën e sulmuesve Mandela, Zabërgja, Bregu dhe Vila. Golin tjetër të 18 herë kampionëve të vendit e ka shënuar mbrojtësi i djathtë, Jorgo Meksi.

Janë shifra që flasin për një sulm me rendiment të mirë, të paktën deri tani. Mjafton të përmendim faktin se Dinamo prezantohet me 3 lojtarë në “top 5” të listës së golashënuesve më të mirë të kampionatit. Mandela ka shënuar 7 gola dhe mban vendin e 2-të, pas Balajt të Vllaznisë me 8 gola. Zabërgja, autor i 6 golave, vjen pas tij e më pas Bregu me 5 gola. Janë tre lojtarët titullarë të repartit të avancuar, që për fat të keq ka humbur Bregun për dëmtim që nga ndeshja e fundit. Lorenco Vila, i cili e zëvendësoi vlonjatin në Korçë, shënoi golin e dytë në këtë kampionat, pas atij në derbin me Partizanin.

MBROJTJA

Në dy ndeshjet e fundit bie në sy fakti se Dinamo ka pësuar 4 gola. Më tepër se sa shifra e lartë për një skuadër me pretendime, shqetësimi ka të bëjë me mënyrën se si janë pësuar këta 4 gola. Shumë thjeshtë, shumë lehtë. Prapavija e bluve ishte tolerante si në 2 golat që shënuan Cara e Rrapaj në derbi, po ashtu edhe në dy golat e Skënderbeut. I pafalshëm gabimi i Lorran te goli i parë i korçarëve, duke lejuar të kalojë në zonë një top të lehtë me sulmuesin kundërshtar pas shpine.

Edhe më bujare ndaj kundërshtarit Dinamo u tregua në rastin e golit të dytë të Skënderbeut, ku asnjë lojtar nuk shkoi përpara topit për të penguar nisjen me shpejtësi të aksionit nga goditja e dënimit afër zonës. Gabime që u kanë kushtuar të besuarve të trajnerit Daja, të cilët mund të kishin dalë me një pikë nga derbi dhe ndoshta me fitore nga Korça. Sigurisht që merita për lojën e mirë në sulm ka edhe gjithë skuadra, ashtu siç ka përgjegjësi edhe për defektet në lojën mbrojtëse. Trajneri Ilir Daja e di mirë problematikën dhe synon ta minimizojë atë për ndeshjet e ardhshme.


AlbaniaWeb.net