PD akuzon Ramën se emëroi motrën e anëtarëve të bandës së Suel Çelës në krye të AZHT
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmed Bardhi akuzoi të martën kryeministrin Edi Rama se kishte emëruar në krye të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit motrën e dy të akuzuarve nga SPAK si anëtarë të organizatës kriminale nën drejtimin e Suel Çelës.
“Znj. Adelajda Roka, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, vartëse direkte e Kryeministrit Edi Rama, rezulton se është njëkohësisht edhe motra e dy prej anëtarëve të Bandës së Elbasanit Marsel dhe Xhino Roka. SPAK duhet të hetojë kush ia propozoi Edi Ramës emërimin e saj si Drejtore e Përgjithshme e AZHT dhe pse Edi Rama e emëroi menjëherë dhe pa asnjë kundërshtim?”, thuhet në reagimin e Bardhit.
Marsel dhe Xhino Roka u arrestuan gjatë operacionit të fundit kundër organizatës kriminale të drejtuar nga Suel Çela dhe SPAK ka ngritur ndaj tyre akuza të shumëfishta.
Adelajda Roka u emërua në nëntor 2023 në krye të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, pa ndonjë eksperiencë të mëparshme në administratën publike.
E pyetur në telefon nga BIRN, drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka refuzoi të komentonte mbi akuzat e PD, ndërsa kërkoi që të mos merrej “në telefon për gjëra të tilla”.
Bardhi akuzon kryeministrin se ka lejuar forcimin e organizatave kriminale. “Është fakt se ndikimi i krimit të organizuar në jetën shoqërore dhe politike të vendit është forcuar së tepërmi gjatë qeverisjes së Edi Ramës. Grupet kriminale jo vetëm kanë vepruar të pashqetësuara, por njëkohësisht janë fuqizuar ekonomikisht, si dhe kanë pushtuar/diktuar emërimet në pozicionet kyçe të qeverisjes së vendit”, thuhet në deklaratë.
Në reagimin e tij, Bardhi i kërkoi SPAK të hetonte lidhjet e këtij grupi të krimit të organizuar me politikën. Duke iu rikthyer përplasjeve të dhunshme në fushatën elektorale të vitit 2021 në Elbasan, Bardhi tha se anëtarët e grupit ishin denoncuar edhe atëherë nga Partia Demokratike si pjesë e stafit të Partisë Socialiste në fushatë.
“Çfarë po bëhet me kallëzimin e depozituar nga PD për këtë qëllim që në 7 Prill 2021, ku secili prej tyre ka qenë i indentifikuar me emër dhe mbiemër? Vetëm përgjigja e shpejtë ndaj këtyre pyetjeve do ta bënte të besueshëm hetimin e SPAK, duke na treguar të gjithëve se ky hetim nuk është detyrim me përcaktim i agjencive ligj zbatuese të huaja, por arritje e pjekurisë institucionale të prokurorisë së posaçme”, theksoi Bardhi.
Opozita akuzon anëtarët e këtij grupimi se u përfshinë në fushatën elektorale në vitin 2021 dhe se po ashtu u përfshinë në përplasjen me armë që solli vrasjen e Pjerin Xhuvanit pak ditë para zgjedhjeve. PD akuzoi anëtarët e grupit se ishin përfshirë në blerjen e votave në favor të Partisë Socialiste gjë që rezultoi në një përplasje fatale. Hetimet e prokurorisë mbi vrasjen gjetën se policia nuk veproi dhe tentoi të manipulonte ngjarjen.