Wed, Nov 27, 2024

“Dua finalen”, Inter në krye të Champions, Inzaghi nuk fshihet

  • PublishedNovember 27, 2024

Një Inter cinik, një skuadër thuajse perfekte në Champions League. Me 4 fitore dhe 1 barazim në 5 ndeshje, 7 gola të shënuar 0 të pësuar, zikaltërit e shohin veten provizorisht të vetëm në krye në kuotën e 13 pikë.

Ndaj Leipzig, ekipi i Simone Inzaghi-t ishte superior, krijoi disa raste të pastra, por goli i avantazhit erdhi në minutën e 27-të fal një autogoli të Lukeba-s. Gjermanët ishin të pafuqishëm për të reaguar, bënë shumë pak për të marrë diçka më shumë nga kjo transfertë, ndërsa Dumfries, Thurman dhe pjesa tjetër e Interit “flirtuan” me golin e dytë, por pa sukses, duke bërë që gjithçka të mbetej e hapur deri në fund.

Rezultati mbeti i pandryshuar, duke bërë që Inter të festojë për këtë sukses, ndërsa trajneri Inzaghi nuk fshihet më, por kërkon që me ekipin e tij të rikthehet edhe një herë në finalen e Champions League:

“Jemi të kënaqur sepse e dinim rëndësinë e këtij takimi. Zhvilluam një ndeshje optimale, fakti që nuk shënuam golin e dytë bëri që ndeshje të mbetej e hapur, por përveç një pritje të Sommer nuk lejuam asgjë. A mund të shkojmë sërish në finale? Ky është një objektiv i të gjithë skuadrave, edhe i Interit”, u shpreh Inzaghi.

Nuk u aktivizua për asnjë minutë në këtë takim mesfushori kuqezi, Kristjan Asllani.

()


AlbaniaWeb.net