Adelina Ismaili flet për humbjen e nënës: Nuk do pajtohem kurrë me ikjen e saj
Artistja e njohur Adelina Ismaili ka ndarë së fundmi detaje të ndjera mbi dhimbjen që ka përjetuar pas humbjes së nënës së saj, një moment që ajo e përshkruan si më të tmerrshmin e jetës. Në një intervistë prekëse, Adelina ka treguar se kjo humbje mbetet e papërballueshme për të dhe se çdo ditë e nis dhe e mbyll duke folur me të.
“Unë nuk e kam përballuar ende. Është momenti më i tmerrshëm në jetën time dhe e them shumë sinqerisht që unë nuk mundem kurrsesi të pajtohem me ikjen e saj. Çdo mëngjes flas me të, çdo mbrëmje para gjumit flas me të, konsultohem me të, këshillohem me të… Nuk di si ta përkufizoj atë sasi të dhimbjes ose atë formë të dhimbjes që kam përjetuar kur më kanë lajmëruar që ajo nuk është më,” ka rrëfyer Adelina.
Këngëtarja gjithashtu ka shprehur pengun e saj më të madh: fakti që nëna e saj nuk arriti të shihte nipin, Uliksin, i cili lindi një vit pas ndarjes së saj nga jeta. “Pengu që nuk e ka parë Uliksin, i cili ka lindur një vit më vonë, si për ironi, si për çudi,” shtoi ajo.
Raporti me babain dhe njerkën
Po ashtu, Adelina foli për raportin e saj me babain, i cili ka qenë një figurë më pak e përmendur në rrëfimet e saj publike. Ajo shpjegoi se kjo ndodhi thjesht sepse “askush nuk më ka pyetur”. Babai i saj ishte inxhinier dhe emigroi në Austri, ndërsa Adelina dhe motrat e saj qëndruan me nënën.
Sidoqoftë, ajo theksoi se ka një raport të mirë me të, por e cilësoi fantastik marrëdhënien me njerkën, Myrveten.
“Kam një raport të mirë me të, i bazuar në shumë respekt, por nëse duhet të përmend një raport të mirë, është gruaja e tij me të cilën kam një raport fantastik, Myrvetja. Edhe sa ishte mami gjallë, unë e Ema e ngacmonin pse mami po e dua njerkën më shumë se nënën? Ajo është shumë e butë, është shumë e dashur, është shumë engjëllore”