Sat, Nov 30, 2024

Familjet e vjetra të Durrësit mbajnë gjallë historinë e shekujve të shkuar

  • PublishedNovember 30, 2024

Në një rrugicë mes bashkisë dhe kishës “Shën Luçia”, shtëpia e familjes Tedeschini mbart një copëz nga historia e shekujve të fundit në qytetin e Durrësit. E ndërtuar në vitin 1843, shërbeu herë si konsullatë austriake, e herë si ambient për ceremoni fetare në fillim të shekullit të kaluar.

Një pjesë e asaj tradite vazhdon ende të ruhet.

“Jemi kujdesur vetë për shtëpinë dhe e kemi restauruar pa ndihmën e shtetit. E dimë vlerën që ka për familjen dhe për qytetin,” tha për BIRN , pinjoll i familjes me shumë emër në Durrës.

Banesa e tyre, një nga të paktat e ruajtura në lagjen shumë pranë sheshit qendror të Durrësit, tashmë shfrytëzohet edhe nga artistët për mbrëmje poetike apo instrumentale.

“Shtëpia është kthyer në muze për miqtë, si një mënyrë për t’u njohur edhe me orenditë e ruajtura që në shekullin e 19,” shtoi Tedeschini.

Përgjatë shekujve të fundit, historia e Durrësit është e ndërthurur ngushtësisht me atë të familjeve të hershme dhe shtëpive të tyre. Në fillim të shekullit XX, shtëpitë e ndërtuara pranë murëve mesjetare përbënin zemrën e qytetit.

“Disa nga vilat e këtyre familjeve kanë mbijetuar, por janë të pabanueshme” thotë , familja e së cilit erdhi në Durrës nga Berati në fundin e shekullit 19.

Kjo hapësirë që aktualisht njihet si lagjia nr 11, ruan nëntokë trashëgiminë më të madhe arkeologjike të qytetit, ndërsa ndërtimet disakatëshe i kanë bërë të pamundura ekspeditat arkeologjike, si dhe imazhin e vilave të ndërtuara 150 vjet më parë.

Të pasionuarit e historisë tashmë janë vënë në kërkim të dokumentave të kësaj periudhe, madje edhe kanë publikuar librat e parë.

, autor i një vëllimi për historinë e Durrësit, ka botuar kohët e fundit një përmbledhje të historive të familjeve të hershme, me titullin “Qyteti që rrëfen”.

“Këtu janë botuar historitë e gjashtë familjeve të vjetra durrsake, Tedeschini, Myshketa, Myderrizi, Nushi, Kaçulini e Vlashi,” tha Hatibi.

“Vazhdimi i kësaj përmbledhjeje si dhe i historisë së qytetit modern, kërkon përfshirjen e studiuesve të tjerë, si për grumbullimin e materialit dokumentar, ashtu edhe për intervistat me pasardhësit e këtyre familjeve,” shtoi ai.

Në lagjet Kala dhe Varosh të Durrësit të vjetër, një shoqatë ka instaluar pranë portave të dikurshme me qemer, riprodhimet e tyre artizanale dhe të dhënat e banesave të vjetra.

“Gëzohem pasi askush nuk i ka prekur apo dëmtuar riprodhimet pas xhamit,” thotë Agopi, një prej pinjollëve të familjes Bodikian, së cilës i përket banesa.

“Është një mënyrë për të risjellë në vemendje Durrësin e shekujve të fundit,” shton ai.

Durësi njohu një zhvillim të madh pas tërmetit të dhjetorit 1926, atëherë kur plani urbanistik i qytetit ndryshoi përfundimisht, dhe kur u ndërtuan godinat e Bashkisë, Vilës mbi kodër, bulevardet kryesore, që sot njihen si “Epidamn” dhe “Dyrrah”, apo nisi ndërtimi i portit detar.

Në të njëjtën periudhë u shënua dyfishim i popullsisë si dhe u ndërtuan dhjetra vila, banesa të tregtarëve, zejtarëve dhe profesionistëve që mbërritën në qytet.

i tha BIRN se edhe shtëpia e tyre 2-katëshe u ndërtua gati 100 vjet më parë. Gjatë periudhës së komunizmit, gjyshërit e tij u detyruan të jetonin në bodrumin e banesës së tyre. Pranë saj, ditët e fundit përfundoi restaurimi i një vile tjetër, pjesë e historisë së Durrësit.

“Uroj që edhe ne ta kthejmë pa vonesë në gjendjen e parë,” tha Shata.