Sun, Apr 13, 2025

Seit Frashëri, mik dhe shok armësh me Avni Rustemin

  • PublishedDecember 3, 2024

NGA ARTUR AJAZI 

Avniu e kishte vendosur aktin e tij. Do të merrte “haknë e atdheut dhe do ta shtrinte në tokë atë të shitur”. Në një intervistë dhënë Radio-Tiranës në 1969, vetëm 1 vit para se Seit Bej Frashëri të mbyllte sytë në Elbasan, në shtëpinë e të birit Hajredin Skënderi, ishte shprehur se “kam qenë në çetën e Çerçiz Topullit, kam luftuar bashkë me Hajredin Tremishtin, me Bajo Topullin dhe Zeman Mashkullorën, nga Gjirokastra në Libohovë, nga Përmeti, Frashëri, në Korçë, Kolonjë e Leskovik, nga Butka në Luaras, kundër grekëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre në ato zona. Atje jam njohur edhe me Avni Rustemin, trimin e trimave, që nuk iu nda Çeços edhe kur ishte larg tij. Anviu ishte i shkolluar, ai kishte shumë miq, ai ishte edhe i librit, edhe i pushkës”. Seit Frashëri, ky djalosh fare i ri, ishte humanist, mik, shok i mrekullueshëm dhe shumë patriot. Seiti ishte mik me familjet e Frashërllinjve dhe mbeti deri në fund të 1944, mik besnik i tyre. Lajmin për vrasjen e Avni Rustemit, patrioti frashërlli, Seit Frashëri, e mori kur ishte në Përmet për furnizime ushqimore tek gjyshi i Genc Pollos.

Ishte një lajm i kobshëm dhe i dhimbshëm për Seitin. Kishte humbur një mik bese, një mik armësh, një patriot që e nderonte gjithë Shqipëria. Seiti u nis për Libohovë dhe prej andej bashkë me disa miq dhe të afërm të Avniut drejt Vlorës, ku ishte vendosur të prehej trupi i trimit. Seit Frashëri qëndroi në Vlorë dhe u betua se do të merrte hakun e Avniut. Vrasja nga një bastard i pabesë e Avni Rustemit mes Tiranës ishte një humbje e madhe jo vetëm për Seit Frashërin dhe Dangëllinë që ruanin kujtime të bukura nga miqësia që kishin me heroin nga Libohova, por edhe për të gjithë Shqipërinë. Derisa mbylli sytë, Seit bej Frashëri ose Seit Skënderi, nuk rreshti së përmenduri miqtë dhe shokët e armëve për liri. Ai ruante me fanatizëm kujtimet e tij për Çerçiz Topullin, Bajo Topullin, Avdi Rustemin, me të cilët e kishte lidhur rinia e tij dhe periudha më e lavdishme e luftërave për liri. Ishin njohur në kohë të vështira, kur atdheu kishte nevojë për trima. Seit Frashëri është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

/Gazeta Panorama