Thu, Apr 10, 2025

Ikja e beftë e një miku

  • PublishedDecember 4, 2024

NGA BAMIR TOPI 

Arben Tafaj ishte dhe do të kujtohet si një përfaqësues autokton i një komuniteti fisnik, që ka pritur kurdoherë banorë të rinj nga viset e Shqipërisë, e pikërisht së bashku me ata, ka punuar për të ndërtuar ura komunikimi njerëzor në gjurmët e të parëve të Tiranës, por ai ishte edhe dëshmitar sesi politika djallëzore e mosmirënjohëse e la komunitetin mikpritës gati pa përfaqësim.

Për këtë arsye, atij iu desh të punojë shumë për të mbajtur gjallë traditën dhe historinë e trevës si individ dhe Kryetar i shoqatës “Tirana” me të cilën ai ishte i lidhur në mënyrë organike. Ikja pa kthim e Benit drejt një bote tjetër, natyrisht lë edhe pengje, në kohën kur marrëdhëniet njerëzore janë dobësuar apo tjetërsuar ndjeshëm vitet e fundit, marrëdhënie për të cilat punoi fort për një mjedis më të shëndetshëm shoqëror. Vdekja e zezë për çdo njeri nuk dihet se si vjen e në çfarë rrethanash ndodh. Ndonëse aksidentale dhe e pabesë, ajo e mori Benin tonë në hapësirat e shtëpisë së tij “pa shqetësuar” njeri. Tirana, familja e shoqëria e gjerë që ai ndërtoi do ta kujtojnë me respekt e mirënjohje Arbenin.

Qoftë i parajsës!

/Gazeta Panorama