Shkurte Fejza: Ndalimi i “Mora Fjalë” në stadium është pa sens! Cana: Kjo këngë është në zemrën e çdo shqiptari
“Mora Fjalë” dëgjohej kudo pas kualifikimit në Europian, por kjo këngë është ndaluar tani të këndohet në stadium. Para ndeshjeve të fundit të Nations League, kjo këngë e Shkurte Fejzës nuk u vendos në “Arenën Kombëtare”, çka ka sjellë zemërim të tifozëve të shumtë që e pëlqejnë tekstin. Këtë vendim, në një intervistë për “Shqipëria Live”, Shkurte Fejza e cilëson si pa sens.
“Unë jam ndier shumë e nderuar që më kanë ftuar të këndoj në stadium dhe ka qenë një përjetim i jashtëzakonshëm. Por kënga që është e ndaluar ose e mohuar, për mua është diçka e pakuptimtë. Më dhemb sepse kjo këngë është për një figurë të shenjët që ka Kosova dhe konsiderohet një figurë e shenjtë dhe për Shqipërinë. Kjo këngë mori përmasa nga stadiumi”, tha artistja.
Për këtë çështje foli dhe ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana.
“E lexova pak në rrjete. Nuk është se kam pasur një vëmendje të madhe, por është një fat që e kemi një Shkurte Fejzaj që për ne në Kosovë është një figurë e veçantë. Sa i përket pjesës së këngës, të them të drejtën nuk jam shumë brenda ngjarjes, por një gjë është e sigurt: të mos i japim aspekt negativ. Kënga do këndohet nëpër shkolla, nëpër stadiume dhe kur këndojnë tifozët, nuk është askush që mund t’i ndalë. Nuk e shoh që të mbahet si polemikë. Sa i përket këngës “Mora fjalë”, është këngë e popullit tonë, e sakrificave dhe kur këndohet në stadium, nuk ka asgjë që e ndalon, me muzikë apo pa muzikë në sfond”, tha Cana.