Sun, Apr 20, 2025

Presidenti Begaj dekreton datën e zgjedhjeve parlamentare për vitin 2025

  • PublishedDecember 5, 2024

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar datën e zgjedhjeve parlamentare për vitin 2025.

 

Sipas dekretit te Presidentit, zgjedhjet parlamentare do të mbahen më datë 11 Maj 2025.

“Presidenti i Republikës vendosi që të respektojë kërkesën e KQZ-së dhe të caktojë datën 11 maj 2025 si datë për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Për këto zgjedhje, Presidenti i Republikës kishte në dispozicion katër ditë të diela midis datave 15 prill dhe 15 maj 2025. Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i sukseshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit.

Presidenti shpreh bindjen se sfida madhore e këtyre zgjedhjeve është votimi nga jashtë vendit dhe përfshirja masive e zgjedhësve me banim jashtë shtetit në këtë proces thelbësor për demokracinë.

Po ashtu, konfimrohet se Smitit i 6-të i Komitetit Politik Evropian (EPC), i cili thuhej se do të mbahej para datës së zgjedhjeve, nuk do të zhvillohet, pasi formon ndikim dhe avantazh të papranueshëm për qeverinë, si dhe cënon ndjeshëm parimin e barazisë së armëve që kërkon Kodi Zgjedhor për fushatën zgjedhore.

“Partia Demokratike dhe një pjesë e konsiderueshme e partive parlamentare i paraqitën Presidentit shqetësimin, se planifikimi i samitit të 6-të të Komitetit Politik Evropian (EPC) për datat 8 dhe 9 maj të vitit 2025, dy ditë para datës së fundit të mundëshme për zhvillimin e zgjedhjeve, formon ndikim dhe avantazh të papranueshëm për qeverinë, si dhe cënon ndjeshëm parimin e barazisë së armëve që kërkon Kodi Zgjedhor për fushatën zgjedhore.

Pa vënë në diskutim lejueshmërinë ose jo të një veprimtarie të tillë, sepse kjo është kompetencë ligjore e KQZ-së, Presidenti i Republikës bashkohet në qëndrimin, se zhvillimi nga ana e qeverisë i një takimi të kësaj natyre në finalen e fushatës zgjedhore, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të lidershipit politik evropian, nuk mund të jetë pa ndikim në caktimin e datës së zgjedhjeve. Për këtë arsye, Presidenti i Republikës, pasi bëri të gjitha verifikimet e nevojshme me autoritetet kompetente të Shqipërisë, mori zyrtarisht sigurimet, se aktiviteti i mësipërm do të zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare, fakt ky i konfirmuar për Presidentin e Republikës edhe nga interlokutorët ndërkombëtarë’, thuhet në njoftim.

“Konfirmimi zyrtar si më sipër heq rezervën e shprehur nga Partia Demokratike dhe nga pjesa tjetër e partive parlamentare ndaj datës 11 maj 2025 dhe e bën këtë datë të pranueshme dhe të pëlqyeshme për të gjithë faktorin politik. Për këto arsye Presidenti i Republikës vendosi që të respektojë kërkesën e KQZ-së dhe të caktojë datën 11 maj 2025 si datë për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë”, njofton presidenca.

Untitled