Wed, Dec 11, 2024

Ligji për gjuhët në Maqedoninë e Veriut në Kushtetuese, bojkotojnë procesin dy gjykatës shqiptarë! Shtyhet seanca gjyqësore për dy javë

  • PublishedDecember 11, 2024

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shtyjë seancën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve për një datë të pacaktuar.

Propozimi për shtyrjen e seancës u bë nga gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila është përgjegjëse për këtë çështje. Kundër këtij vendimi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila e theksoi se gjykata duhet të jetë ajo që jep fjalën përfundimtare.

Ligji për gjuhët parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2.

Në hapjen e seancës të mërkurën, gjykatësi Fatmir Skënderi propozoi shtyrjen e seancës për dy javë, me qëllim që të sigurohej prania e dy gjykatësve shqiptarë dhe plotësimi i përbërjes së gjykatës. Propozimi u hodh poshtë me votim, dhe pas kësaj gjykatësi Skënderi lëshoi seancën.

Seanca e së mërkurës filloi me mungesën e dy gjykatësve s/RE Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, që bojkotuan procesin.

Nëpërmjet bojkotit, Kadriu dhe Ajdari synojnë të bllokojnë nisjen e procedurës për këtë ligj. Kjo lidhet me një konkluzion të miratuar nga Gjykata Kushtetuese gjatë viteve 2022 dhe 2023, që kërkon pjesëmarrjen unanime të të gjithë anëtarëve për procedurat që kanë të bëjnë me Ligjin për gjuhët, Marrëveshjen e Prespës dhe Ligjin për komunikime elektronike.

Bojkotin nga ana e gjyqtarëve shqiptarë e kishte përmendur më herët, Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut që vjen nga radhët e VLEN-it. Me këtë, sipas tij, “vendimi nuk mund të kishte legjitimitet”.

“Është prononcuar edhe kryetari që duhet të marrin pjesë të gjithë gjykatësit dhe nëse dikush mungon, atëherë nuk ka legjitimitet vendimi”, kishte thënë Mexhiti më 6 dhjetor duke siguruar se “ligji nuk do të preket”

Ndërkohë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, që udhëheq me Frontin Evropian, deklaroi para njerëzve të mbledhur se data e 11 dhjetorit 2024 i rikujton periudhën e vitit 1989, kur, sipas tij, “Millosheviqi suprimoi autonominë e Kosovës”.

“Të punojmë së bashku. Ne kurrë nuk e kemi kontestuar gjuhën apo kulturën e tyre. Gjithmonë kemi qenë përkrah tyre, duke kërkuar mënyra për të mbrojtur së bashku vlerat tona dhe ato të bashkëqytetarëve tanë maqedonas. Në fund të fundit, jetojmë nën të njëjtin qiell dhe na ngroh i njëjti diell. Ne dëshirojmë që vendi ynë të jetë në paqe dhe i integruar në Bashkimin Evropian”, tha Ahmeti, duke shtuar se paqja nuk duhet të cenohet, dhe vendimet e Kushtetueses nuk duhet të merren në mënyrë të njëanshme.

BDI-ja edhe më herët ka shprehur shqetësim se nëse neni 23, paragrafi 5 i Ligjit për gjuhët abrogohet, atëherë ai mund të bëhet i pazbatueshëm.

Para Gjykatës Kushtetueses në Shkup të pranishëm janë edhe liderë të tjerë të Frontit Evropian në opozitë, si Zijadin Sela, lider i njërit fraksion të Aleancës për Shqiptarë, si dhe një numër i madh qytetarësh dhe simpatizantësh partiakë./REL./