U kap në shkelje të ligjit për dy rrugë, SPAK përfundon hetimet për kryetarin e Bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi! Ja kur pritet t’i komunikohet akuza
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi dhe vartësit të tij, Abedin Kërrnaja.
Raportohet se me datë 13 dhjetor pritet që Byberit t’i komunikohet akuza e “Shpërdorimit të detyrës”.
Socialisti, së bashku me vartësin e tij, zëvendës kryetari Abedin Kërrnaja, akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” në dy raste dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”, të parashikuar nga nenet 248 dhe 205 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Rastet lidhen me ndërtimin e dy rrugëve, në të cilat kanë shkelur ligjin dhe i kanë kushtuar buxhetit të shtetit dëmin marramendës prej 277.611.520 lekë.
Janë përkatësisht dy punime në të cilat akuzohen të kenë kryer shkelje:
- Vendim i Këshillit Bashkiak Nr. 34 datë 30.03.2021 Për miratimin në parim të projekt idesë së rrugës “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules”, nga ku rezulton se është miratuar në parim Projekt ideja për ndërtimin e rrugës auto “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules”, me një gjatësi 3.2km, totalisht ndërtim i ri i cili 80% të kësaj gjatësie kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese.
- Vendim i Prefektit të Qarkut Kukës me Nr. 2/31 Prot. datë 15.04.2021, me të cilin konfirmohet ligjshmëria e vendimeve Nr. 34 të Këshillit të Bashkisë Tropojë për ndërtimin e rrugës auto “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules” dhe Vendimit të Këshillit Bashkiak Nr. 35 datë 30.03.2021 Për miratimin në parim të projekt idesë së rrugës “Qafë Murrizi- Qafë Agri”.
Dy hetimet e nisura nga organet vendore të qarkut Kukës përkatësisht në vitin 2021 dhe 2023 i kanë kaluar për kompetencë SPAK.