Zgjedhjet e Veselinoviç, katër lojtarë mënjanohen nga formacioni i Partizanit
Përgjatë këtyre javëve, në mënyrë graduale te Partizani po shohim disa ndryshime sa i përket hierarkisë për formacionin. Në mbrojtje duket se e kanë pësuar dy lojtarë, Bytyçi dhe Buxhelaj.
Suharekasi ishte titullar fiks deri para pak javëve, por në 2-3 ndeshjet e fundit para tij është preferuar Domgjoni. Ky i fundit ka rol natyral si qendërmbrojtës dhe duket se i duhet kohë për tu ambientuar si i majtë. Në të njëjtin rol, terren ka humbur edhe Buxhelaj, i cili rolin natyral e ka si mbrojtës i majtë.
Në mesfushë lojtari i kaluar në plan të dytë është Taipi. Kemi parë që Ismaili, por edhe Kote, t’i marrin vendin ish-mesfushorit të Kukësit, që ka vuajtur edhe problemet fizike. Në sulm në javët e fundit po lëkundet besimi te Zeka, kundrejt cilësive të Kekos dhe Bintsukës.