Sat, Apr 19, 2025

Apeli i Posaçëm prish pjesërisht vendimin e GJKKO-së, mbetet nën sekuestro vila e Monika Kryemadhit! Deputetja e PL: Banesat janë përfituar në mënyrë të ligjshme!

  • PublishedDecember 17, 2024

Apeli i Posaçëm ka prishur pjesërisht vendimin e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duke i hequr sekuestron  vilës së nënës së deputetes Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi. Sakaq, vila e deputetes së PL-së, Monika Kryemadhi mbetet nën sekuestro.

Në një prenoncim për media, Kryemadhi sqaroi se do ta vazhdojë betejën me drejtësinë, duke thënë se do bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Sipas saj, e gjithë kjo vjen për shkak të denoncimeve për inceneratorin e Tiranës.

Monika Kryemadhi: Unë jam bashkëpunëtore në Inceneratorin e Tiranës që ju besoj e dini që akoma nuk ka zgjidhje, ka vetëm thjesht…është e gjitha një hakmarrje përsa i përket inceneratorit të Tiranës dhe nuk ka asnjë lloj problemi.

Është një betejë ligjore që do durim, edhe do konsistencë nga ana jonë. Sigurisht që për të dyja banesat, si e imja dhe e mamasë time, janë të dyja të përfituara dhe prokurori e pranoi vetë, janë të dyja të përfituara në mënyrë të ligjshme. Ka dhe një avantazh, unë futem içik si pa radhë në krahasim me mamanë time në gjykatën e Strasburgut.

Pyetje: Keni marrë kredi për apartamentet?

Kryemadhi: Jo, jo, unë e kam marrë me shkëmbim apartamentin. Bëhet fjalë për një shtëpi te blloku që e kemi marrë dhe unë dhe mamaja ime me kredi .

Unë kam përshtypjen që prokurori zbaton vendimin e gjykatës. Prokurori është palë si puna jonë. Prokurori kërkoi që dje që të mos ndryshonte vendimi, ndërsa sot u bë vetëm shpallja e vendimit.

Që të jemi të sinqertë, prokurorët dje ngritën arsyen e bashkëpunimit të Fatime Kryemadhit me Ilir Metën në korrupsion për çështje që nga video e Dritan Priftit, që është absurde, dhe që prokurori mendonte se ishte pushuar çështja. Çështja nuk është pushuar. Ndërsa për çështjen e CEZ-DIA që pretendojnë se Fatime Kryemadhi ka bashkëpunuar me Ilir Metën për të blerë Fatime apartamentin e saj, Fatime Kryemadhi ka blerë banesën në mars, ndërsa Ilir Meta dyshohet për një çështje që është gjykuar dy herë CEZ-DIA, si në arbitrazh, si në shkallë të parë, shkallë të dytë të apelit që në 2015, përsëri vepër të cilën e dyshon Altin Dumani.

Pra, si mund të jetë bashkëpunimi i Fatime Kryemadhi me Ilir Metën? Gjyqtarja automatikisht nuk ka as koherencë, as fakte, aq më shumë që ti bën sekuestro për një grua që ka një eksperiencë dhe ka një ekspertizë financiare të paraqitur.  Është absurde.