EMRI/ I dënuar me 25 vite burg për p*rdhunim dhe vepra të tjera penale, ekstradohet nga Anglia në Itali i riu shqiptar
Një shqiptar i shumëkërkuar nga autoritetet italiane, është arrestuar në Mançester të Anglisë, ku ishte fshehur për një kohë të gjatë për të shmangur vuajtjen e dënimit të tij me 25 vite burgim për krime të rënda.
Sajmir Oruci, 35 vjeç, u arrestua më 3 dhjetor në Mançester, pas një urdhri-arresti evropian, dhe u ekstradua drejt Milanos së Italisë. Oruci, i cili ishte duke vuajtur një dënim për krim narkotikash pas arrestimit të tij vitin e kaluar në Angli, është dënuar për krime të rënda, përfshirë përndjekje, rrëmbim, përdhunim, dhe dhunë seksuale në grup ndaj një vajze të mitur.
Sipas mediave italiane, krimet në fjalë kanë ndodhur gjatë periudhës 2015-2016, kur Oruci jetonte në Besana Brianza, dhe për to ai u dënua fillimisht nga Gjykata e Monzës me 12 vjet e 6 muaj. Më pas, dënimi u akumulua me dënime të tjera nga Gjykatat e Lecco dhe Milanos për krime të tjera, duke arritur në një total prej 25 vitesh burg.
Hetimet e kryera nga autoritetet italiane, çuan në lokalizimin e Orucit. Gjatë verifikimeve, u konfirmua se ai ndodhej në një burg britanik që nga nëntori i vitit të kaluar, ku po vuante një dënim për prodhim dhe tregtim të lëndëve narkotike. Pas krahasimit të fotografive dhe gjurmëve të gishtërinjve, identiteti i tij u verifikua.
Urdhri për ekstradimin e Orucit u ekzekutua më 3 dhjetor, dhe ai u dërgua në Monza më 19 dhjetor për të vuajtur dënimin e tij.