Sun, Dec 22, 2024

Përplasja me Agron Shehajn në Kuvend – Noka: Tentoi të bllokonte betejën e opozitës, kauza e tij për rrugën Kashar-Thumanë ishte false

  • PublishedDecember 21, 2024

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, foli sot në emisionin “Kjo Javë” në News 24 me moderatore Nisida Tufën lidhur me përplasjen fizike që pati në seancën plenare me kryetarin e partisë “Mundësia” Agron Shehaj.

Noka tha se Shehaj tentoi të pengonte betejën e opozitës. Ai tha se në seancën e së enjtes ishte projektuar që opozita të fliste për tatimin mbi profesionet e lira dhe jo për interpelancën e rrugës Kashar Thumanë, që kërkoi Shehaj.

Demokrati tha se PD e kishte konsumuar në kuvend disa javë më parë interpelancën për rrugën Kashar-Thumanë dhe se neni i rregullores nuk lejon që një çështje të diskutohet dy herë në sesionin parlamentar.

Më tej Noka tha se Shehaj është marrë peng nga qeveria dhe Erion Veliaj.

Flamur Noka: Seanca e së enjtes për PD ishte projektuar një seancë beteje me mazhorancën. Në një pikë që ishte thelbësorë jo vetëm për ne si opozitë, ishte projektligji që kishte të bënte mbi tatimin për profesionet e lira dhe të ardhurat, që PD gjithë vjeshtën ka bërë betejë të egër kundër regjimit për të mbrojtur profesionet e lira.

Tani ne na del opozita e opozitës bëhet pengesë për ketë betejë. Pra mazhoranca kishte gjetur një strategji që kjo betejë të mos bëhej. Siç e patë aty radhën e kishte Berisha, shkoi për të folur dhe nuk u lejua nga opozitari i opozitës zoti Shehaj.

Ai përsëri nuk ndërhyri…Shehaj si opozitar i caktuar i opozitës tentonte të bllokonte seancën dhe të sfumonte betejën e opozitës, me një kauz fake. A e di cila është, kauza fake është ajo për të cilën ai u ngrit. PD për rrugën Thumanë Kashar ka bërë një betejë 4 mujore, dy muaj e gjysmë ishin demokratët që drejtoheshin nga deputetja Hoti, Ulliri, deputeti Piroli që bënin betejë të pareshtur. Ishte PD dhe përfaqësues të saj që bënë betejë dhe kundër traut. A e mbani mend ku ishte ky opozitar i opozitës në atë kohë? U bë beteja 3 mujore, ishte PD që e udhëhoqi atë betejë , ku ishte ky opozitari i opozitës? Neni i rregullores nuk e lejonte që të bënte atë që bëri sepse interpelanca ishte konsumuar më parë nga PD, ne kishim bërë interpelancë për rrugën Kashar-Thumanë.

Deputetët e PS i linte të fliste, deputetët e PD jo. Tani i thanë sajo një gjë ti që të bllokosh opozitën…Ky është në shërbim të qeverisë si opozitar i opozitës…Veliaj dhe Balluku janë një, janë Edi Rama. Janë të dy ushtarë të Ramës dhe janë një.