Boks/ Usyk mbron titullin kampion, mposht për herë të dytë britanikun Tyson Fury
Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk mbrojti titujt kampion bote në peshën e rëndë, pas fitores me vendim unanim të gjyqtarëve ndaj britanikut Tyson Fury. Të tri gjyqtarët i dhanë atij fitoren, duke dhënë rezultatin e njëjtë 116-112 në favor të ukrainasit. Një duel që nuk ishte aq spektakolar sa ai i zhvilluar në maj dhe që u duk më shumë i ekuilibruar. Por gjyqtarët ishin të mendimit se ukrainasi bëri më shumë se rivali britanik, duke mbrojtur titujt kampion bote në peshën e rëndë.
Dueli u zhvillua në Riad të Arabisë Saudite, ku të dy boksierët bënë më të mirën e tyre, por në fund triumfoi Usyk, që mbetet i pamposhtur në ring. Për ukrainasin kjo ishte fitorja e 23-të në karrierë. Ndërsa për Fury kio ishte humbja e dytë e shkaktuar po dy herë nga boksieri ukrainas (ka edhe 34 fitore e 1 barazim). Duket se fansat mbetën të pakënaqur nga ky vendim i gjyqtarëve, pasi dukej sikur Fury rivalizoi dhe mund ta kishte fituar duelin. Asnjë nga boksierët nuk ra në tapet në 12 raundet e zhvilluara, duke u mbrojtur mirë, lëshuan më pak grushte, por në fund festoi Usyk.
Boksieri Tyson Fury u largua nga ringu pa bërë asnjë koment, dukshëm i befasuar nga vendimi i gjyqtarëve. Të tri gjyqtarët i dhanë fitoren Usyk me rezultatin 116-112, që mbron titujt kampionë bote në peshën e rëndë.
Mediat britanike bëjnë me dije, se duke shkuar në dhomat e zhveshjes, pasi humbi delin me Oleksandr Usyk, Tyson Fury. ka theksuar se kishte menduar se e kishte fituar duelin me të paktën 3 raunde më shumë se Usyk, koment ky që shpreh hapur mosaprovimin e britanikut ndaj vendimeve të gjyqtarëve të sfidës.