“Duhet mbyllur Parlamenti, jo TikTok-u”- Deputeti i PD-së: Tre çereku i politikanëve shqiptarë janë të korruptuar
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka kritikuar ashpër qeverinë dhe klasën politike gjatë diskutimit mbi protestën e fundit të opozitës në Tiranë ditën e djeshme, e cila u shoqërua dhe me përplasje mes policisë dhe protestuesve.
I ftuar në studion e News24, duke komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama mbi mbylljen e TikTok-ut, Sula theksoi se shqetësimet kryesore të vendit nuk qëndrojnë te platformat sociale, por te korrupsioni dhe mungesa e drejtësisë.
“Rama thotë tani do mbyll TikTok-un. Po këtu kemi bilanc lufte: mbi 1 mijë të vdekur janë në Shqipëri. Duhet mbyllur Parlamenti, duhen mbyllur politikanët, sepse 3/4 e tyre janë të korruptuar. 3/4 e qeverisë janë në burg, ndërsa 3/4 e Parlamentit janë nën ndjekje penale,” deklaroi Sula.
Deputeti pranoi se TikTok ka anë negative, por sugjeroi që qeveria duhet të gjejë mekanizma për parandalimin e problemeve, në vend që të kufizojë lirinë e qytetarëve.
“Nuk është se po na godet TikTok-u, por kufizimi i tij është kufizim i lirisë së shoqërisë. Ne jemi shtet demokratik, ku liria e fjalës, votës dhe pronës janë të shenjta,” tha ai.