Thu, Dec 26, 2024

Guximi për të shpëtuar një jetë

  • PublishedDecember 24, 2024

NGA EVARIST BEQIRI 

Nëpërmjet këtij shkrimi po ndaj një histori thellësisht personale, që ka formësuar vlerat dhe këndvështrimin tim mbi lidershipin dhe humanizmin. Është historia e gjyshit tim, Arshi Imer Beqiri, një partizan nga Tërbaçi i Vlorës dhe komandant gjatë Luftës së Dytë Botërore, guximi i të cilit shkonte përtej fushës së betejës. Në mes të kaosit të luftës, kur emocionet ishin të ndezura dhe vendimet përcaktonin jetë a vdekje, gjyshi im mori një vendim të guximshëm.

Një njeri, i akuzuar si tradhtar, për një fjalë goje, ishte pranë ekzekutimit nga partizanët. Por gjyshi im, përtej akuzave dhe zemërimit të turmës, pa një jetë që vlente të shpëtohej. Ai ndërhyri dhe i shpëtoi jetën këtij njeriu. Arshi Beqiri, nip i patriotit Halim Xhelo (1894- 1937), u përfshi në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në Brigadën e V Sulmuese, ku mbante detyrën e komandantit të sigurisë së udhëheqjes. Por, menjëherë pas Operacionit të Dimrit të nazistëve dhe Luftës së Gjormit, ndodh i ashtuquajturi “incident” i shkurtit 1944. Një burrë nga Tërbaçi i Vlorës ishte shprehur se “partizanët janë shpartalluar dhe morën fund…”. Kaq do të mjaftonte që ai të arrestohej nga partizanët dhe të gjykohej si armik. Ai nxirret i lidhur para burrave të fshatit Tërbaç. Pas situatës së tensionuar, burrat e Tërbaçit u tërhoqën. Ata lejuan që i arrestuari të merrej nën pranga nga partizanët. Fati i tij ishte vulosur tashmë, dënim me vdekje…

I gjendur nën këto rrethana të jashtëzakonshme, komandanti partizan, tridhjetë e trevjeçar, u gjend para një dileme ekzistencialiste. Të lejonte ekzekutimin e tërbaçiotit ose të merrte përgjegjësinë, duke shmangur vëllavrasjen. Ai preferoi që të shpëtonte një jetë, duke sakrifikuar veten e tij, por duke fituar mirënjohjen e përjetshme të brezave… Arshi Beqiri nuk lejoi që të gjakosej Tërbaçi. Gjithsesi, pas përfundimit të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ai arrestohet në Sarandë. Aty ai ishte duke shërbyer si komandant kompanie në Brigadën e XII Sulmuese. Gjykata Ushtarake e Vlorës, pasi tentoi pa sukses dhënien e një dënimi më të rëndë me akuza të pavërteta, me një vendim që mban datën, 20.7.1946, përfundimisht e dënoi me tri vite burgim. Kundërshtimi i vëllavrasjes, plagës më të madhe të LANÇ, do t’i kushtonte atij shtrenjtë. Por, akti i tij nuk ishte thjesht dhe vetëm shpëtimi i jetës së një individi; ishte mbrojtja e thelbit të humanizmit në kohët më të errëta.

“Ai që shpëton një jetë, shpëton gjithë botën”, – mëson Talmudi. Vendimi i gjyshit tim mishëron këtë të vërtetë të thellë. Kjo histori na kujton se lidershipi nuk matet vetëm me forcën apo strategjinë, por mbi të gjitha me guximin moral. Lidershipi është të qëndrosh për atë që është e drejtë, edhe kur kjo është e papëlqyer, edhe kur është e rrezikshme. Njerëzit e thjeshtë të Tërbaçit dhe Labërisë e respektuan, aq sa në Labëri njerëzit shkruajnë dhe këndojnë për të.

Në një këngë këndohen këto vargje kuptimplotë: “Arshi Imeri namlart, /Alilekajt rrezeartë”, në një tjetër: “Kush e mbajti unitetin,/ Këtu në fshat të Tërbaçit,/ Hysni Kapo komisari,/ Arshi Imeri gurë stërralli” dhe akoma më tej: “Arshi Imeri trimëria,/ Burrë i madh dhe mençuria/ sa shumë flet dhe historia,/ Do të mbetesh krenaria…”. Dhe populli është i saktë në vargjet e tij. Teksa reflektoj mbi këtë trashëgimi, më vjen në mendje se veprimet tona, sado të vogla apo të mëdha, kanë fuqinë të ndikojnë për breza me radhë.

Akti i fisnikërisë së gjyshit tim më ka frymëzuar që punën dhe jetën time ta udhëheq me të njëjtin përkushtim ndaj drejtësisë, guximit dhe humanizmit. Thuhet se, “nëse duam që të shpëtojmë botën, dashuria është përgjigjja e vetme”. “Pa dashur që të zvogëlojmë aktet kurajës për të cilat njerëzit kanë dhënë jetën, ne nuk duhet as që të harrojmë aktet e kurajës me të cilat njerëzit kanë jetuar”, – shkruante presidenti Xhon F. Kenedi. Uroj që historia e tij të shërbejë si frymëzim për të gjithë ne, një dëshmi e fuqisë së përhershme të dhembshurisë, edhe në kohët më të vështira./Gazeta Panorama