Nga emigrimi në Itali, te fillesat 4 vite më parë, kush janë fituesit e Festivalit të RTSH! “Shkodra Elektronike” me vetëm 6 këngë në repertor
“Zjerm” i grupit “Shkodra Elektronike” ka fituar Festivalin e 63 të Radio Televizionit Shqiptar.
Në një natë plot emocione të forta dhe të bukura, në Pallatin e Kongrese pak pas mesnatës, me 143 pikë kënga “Zjerm” u zgjodh për të përfaqësuar Shqipërinë denjësisht në Eurovision vitin e ardhshëm. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit në Festivalin e Këngës pati një fitues, ku publiku dhe juria bashkuan pikët dhe nxorën “Shkodra Elektronike” fituese.
Ndërkohë, “Karnaval” i Elvana Gjatës arriti që të siguronte vendin e dytë me 135 pikë, ndërsa Alis siguroi vendin e tretë me këngën “Mjegull”, me 59 pikë. Kënga “Zjerm” u prit me duartrokitje në Pallatin e Kongreseve, por edhe në rrjetet sociale ku të shumtë kanë qenë ata qytetarë të cilët këtë vit e kanë cilësuar fituesin e Fest 63 më se të merituar! Thuajse të panjohur nga publiku i gjerë, “Shkodra Elektronike”, ia doli që të fitojë zemrën e publikut, por edhe të jurisë me performancën e tyre, por kush janë Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji.
Dy emrat e grupit, janë me origjinë nga Shkodra, por rritur në Itali. Pas shumë vitesh, dyshja u rikthye në vend për të provuar veten në muzikë. Dyshja ka nisur në Shqipëri që nga viti 2020 me këngën “Ku e gjeta vedin” dhe “Synin si qershia” Më pas ata filluan të performojnë në festivale të ndryshme ndërkombëtare. Në vitin 2022 ata publikuan shfaqjen e tyre debutuese të zgjeruar, Live @ Uzina në labelin Alt Orient, nga e cila u nxor singulli “Turtulleshë”.
Në vitin 2023 ata morën pjesë në edicionin e shtatë të festivalit ‘Za Fest’ në Shkodër, ku interpretuan versionin e tyre të këngës popullore Vaj si kenka ba dynjaja. Grupi, ka në repertorin e tyre vetëm 6 këngë, ku e fundit duket se arriti të vlerësohej në Festival. Muzika e Shkodrës Elektronike karakterizohet nga një ndërthurje e zhanreve si muzika elektronike, pop dhe ajo tradicionale shqiptare, dhe është e strukturuar nga melodi tërheqëse, ritme dhe tekste tërheqëse që shpesh trajtojnë tema si dashuria apo jeta e përditshme. T
ashmë dyshja do të bëhet gati për të përfaqësuar vendin tonë në Festivalin Europian të këngës. Eurovizion 2025 do të mbahet në Bazel të Zvicrës. Në rrjet të shumtë kanë qenë personazhet VIP që kanë mbështetur grupin e ri muzikor si dhe produksionin e tyre. E duket se këtë herë, vota e publikut, është përkthyer në një fitore të garantuar për Kolën dhe Beatriçën, që tashmë i është besuar edhe përgjegjësia për ta çuar “Zjerm” në Eurovision./Gazeta Panorama