Kombëtarja, mbaroi një epokë! Ja lojtarët që rrezikojnë
Ashtu siç nis, një epokë ka edhe fundin e saj. Protagonistë ndër vite me Kombëtaren shqiptare, por vjen një moment kur duhet të stopohesh dhe të parkohesh në “bokse” sa i përket përfaqësimit me fanellën e kombit. 224 ndeshje në total, katër kuqezinj u tërhoqën zyrtarisht nga ekipi përfaqësues këtë vit dhe ndoshta dy të tjerë janë drejt asaj rruge.
Bëhet fjalë për lojtarë si Odise Roshi, Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi dhe Ermir Lenjani, të cilët ishin pjesë e skuadrës në Europianin e vitit 2016 dhe për më tepër në pjesën më të madhe të ndeshjeve, luanin titullarë. Nëse kthejmë kokën mbrapa, do të shohim se në portë nga ai brez, ishte Etrit Berisha që pas Europianit nuk është ftuar më nga Silvinjo dhe ngritja e Alen Sherrit, mund ta “pensionojë” portierin 35-vjeçar. Sot, nëse krijojmë një listë me lojtarët që kemi në ofensivë, thirrja e Armando Sadikut, përpos kontributit të madh që ka dhënë me Kombëtaren, është i pamundur.
Cili nuk e kujton atë gol që solli fitoren me Rumaninë në Europian, por futbolli ecën shumë shpejt dhe i fokusuar në Indi, Shqipëria do të humbasë edhe një sulmues që iu ka sjellë tifozëve kujtime të bukura dhe 12 gola me fanellën kuqezi. Frederik Veseli po ashtu pritet të ketë të njëjtin fat. Edhe qendërmbrojtësi që po aktivizohet me Egnatian në Superiore, është i hershëm në ekipin kombëtar, por vështirë se mund të përfshihet në kualifikueset e Botërorit, përjashto ndonjë rast kur mbrojtja të jetë në emergjencë të madhe nga mungesat. Një tjetër lojtar i pëlqyer nga tifozët ndër vite për grintën e shfaqur në fushë, është edhe Amir Abrashi.
“Pitbulli” sapo rinovoi edhe një vit me ekipin zviceran ku luan prej disa sezonesh, por shihet qartë se koha e tij në Kombëtare ka përfunduar. Talentet e reja në mesfushë si Pajaziti, Berisha, apo Asllani me Ramadanin dhe Laçin që kanë krijuar një treshe solide, kanë nxjerrë jashtë loje Abrashin që për hir të vërtetës, nuk është më i ai i para disa viteve.
Edhe mesfushori rrezikon që të mos grumbullohet në kualifikueset e Botërorit, edhe pse Silvinjo e ka përfshirë si një lojtar me eksperiencë që skuadra ka nevojë edhe jashtë fushe. Pra, me të gjithë lojtarët e përmendur, mund të themi se një epokë është mbyllur dhe Kombëtarja aktuale, me një moshë mesatare 26-27 vjeç, po përgatitet për një epokë të re, si në kualifikuese apo edhe me lojtarë.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL