Thu, Dec 26, 2024

“Pasion dhe dedikim”, në Itali përshkruajnë vitin e Asllanit: Duket si një fëmijë kur hap dhuratat e krishtlindjeve

  • PublishedDecember 25, 2024

Kristjan Asllani po luan sezonin e 3-të te Interi, me rivalitetin e madh në mesin e fushës që ka bërë që mesfushori shqiptar të mos jetë titullar në formacionin e Inzaghit. Për vitin që po lëmë pas, media pranë zikaltërve “interista.it”, ka përshkruar 2024-shin e Asllanit.

“Nuk e harroni kurrë golin tuaj të parë si zikaltër. Kristjan Asllani është një metaforë e lumturisë, si ajo e fëmijëve që shpalosin dhuratat në Krishtlindje. Gëzohet dhe vrapon, nuk e mban dot veten.

2024-ta e tij te Interi u shënua nga goli i mrekullueshëm ndaj Genoa-s, brenda një Meazza të zjarrtë. Gëzimi, adrenalina dhe përulësia janë karakteristikat e futbollistit të ri shqiptar që e gjeti veten si hija e Hakan Calhanoglu në sallën e kontrollit. Një lojtar i heshtur që demonstron në fushë punën e bërë gjatë javës”,- shkruhet te “interista.it”.

Asllani realizoi një eurogol në Kupën e Italisë ndaj Udines, duke shënuar nga goditja e këndit. Në atë takim, ai u vlerësua si një nga më të mirët në fushë, me notën 8.2.

Sa i takon merkatos, emri i tij është përfolur shumë këto kohët e fundit, me Inter që po mendon që të shkëmbejë Asllanin me Guendouzin e Lazios.

(J.S/)


AlbaniaWeb.net