Te Dinamo kanë vendosur, grupi i kryesuesve të Superiores nuk preket në merkaton e janarit
Grupi i lojtarëve që mbylli vitin 2024 me fanellën e Dinamos pritet të mos ndryshojë në vazhdim. Jo vetëm lojtarët më të mirë, për të cilët është vendosur që të mos shiten në merkaton e janarit, pasi objektivi i klubit është titulli kampion, por edhe ata që nuk kanë luajtur deri tani nuk do të lëvizin.
Kampionati është i gjatë dhe drejtuesit blu duan të jenë të përgatitur në çdo moment, duke pasur një kontingjent sa më të plotë. Përjashtim mund të bëjë vetëm ndonjë lojtar, që mund të huazohet te ndonjë skuadër tjetër për të pasur mundësinë e aktivizimit të rregullt.
Edhe pse pritet të ketë afrime dhe kontingjenti do të shtohet, për momentin drejtuesit e Dinamos nuk kanë asnjë emër lojtari që mund të largohet ne merkaton e dimrit.
Kujtojmë që blutë kanë një organikë të pasur edhe nuk i kanë ndier shumë mungesat deri tani. I vetmi lojtar jashtë skuadre për momentin është kroati Muzek, i dëmtuar prej kohësh në gju.