Thu, Dec 26, 2024

Opinionet më të spikatura në Reporter.al përgjatë vitit 2024

  • PublishedDecember 26, 2024

“Arkivi si instrument censure dhe besueshmëria e informacionit të botuar në Shqipërinë socialiste’ nga Sokol Çunga. Pavarësisht karakterit kulturor që kanë, institucionet arkivore mbeten institucione politike dhe për këtë arsye dokumentet që ato prodhojnë duhen shqyrtuar nën thjerrën e kritikës.

 “Martinin e vramë të gjithë nga pak’, nga Aurora Velaj. Edukimi emocional i nxënësve, mësuesve, prindërve dhe politikanëve është një emergjencë kombëtare. Mungesa e tij ka sjellë si pasojë një politikëbërje të keqe, një individ në krizë dhe një shoqëri në krizë.

 ‘Homofobia si tregues i dështimit politik’, nga Gjergj Erebara. Dy parti “të reja” u angazhuan së fundmi në politikë homofobike duke treguar mungesë akute fantazie pikërisht në temën e shtëpive të papërballueshme, e cila ofron një thesar votash që politikanët “e rinj” mundet t’i fitojnë në kurriz të të “vjetërve”.

‘Mozaiku i Orfeut në Durrës – në pritje të shtetëzimit’, nga Eduart Shehi. Mbetet e çuditshme sesi bashkëpatriotët tanë harxhojnë shifra jo të pakta, për të parë ndeshje futbolli nëpër botë, të stolisur me flamuj, por tuten kur vjen fjala për t’u bërë bashkë me një qëllim edhe më të rëndësishëm, siç është nxjerrja në pah e vlerave të rëndësishme të trashëgimisë sonë të përbashkët historike.

‘Arrestimet e liderëve të opozitës mund të sinjalizojnë rënien e klasës së vjetër politike të Shqipërisë’, nga Blendi Kajsiu. Arrestimet e dy liderëve të rëndësishëm të opozitës mund të shënojnë fundin e një epoke dhe lindjen e një epoke të re, në të cilën drejtësia nuk fshihet më përpara politikanëve të korruptuar në një shtet të kapur.

‘Nën Ramën, Shqipëria po dështon pothuajse në çdo aspekt,’ nga Fron Nahzi. Shqipëria ka përfituar shumë nga fondet për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar demokracinë, megjithatë gjithçka që vendi ka për të treguar nga më shumë se një dekadë qeverisje nën Edi Ramën, janë blloqe apartamentesh shumëkatëshe dhe një eksod i të rinjve shqiptarë.

‘Kur numrat gënjejnë’ nga Marsela Dauti dhe Geldona Metaj. Përfaqësimi numerik i grave në këshillat bashkiake është përmirësuar ndjeshëm pas vitit 2015. Por a mund të thuhet se me rritjen e numrit të grave në këshillat bashkiake, gradualisht, roli i grave në këshilla është forcuar, dhe se cilësia e qeverisjes vendore është përmirësuar—ashtu siç pretendohet nga drejtuesit politikë? Studimi i realizuar nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN) tregon se pas arritjeve numerike fshihet një realitet i trishtë—si për përfaqësimin e grave në këshillat bashkiake, ashtu edhe për demokracinë vendore në Shqipëri.

‘Gazetar apo aktivist; një reflektim mbi rolin e gazetarit në shoqëri’, nga Erlis Çela. Në një kohë kur fjala e lirë dhe media janë nën sulm të pamëshirshëm nga autokratët, a mund të kthehet virtyti i paanshmërisë në hipokrizi.

‘Kush ka frikë nga realiteti shumëngjyrësh? nga Ivan Dervishi. Dy gra të guximshme u puthën në hollin e bashkisë së kryeqytetit shqiptar, dhe disa persona, të vetëshpallur kalorës të tradicionalitetit panë në atë manifestim të dashurisë, një kërcënim. Me çfarë sysh? Çfarë ka më “tradicionale“ se betimi për dashuri e besnikëri dhe se një familje e lumtur?

‘Është koha për një kufi të qartë mes privates dhe publikes’ nga Zef Preçi. Propozimet e fundit ligjore sugjerojnë decentralizimin e procesit të administrimit të pronës shtetërore, gjë mbart rrezikun e keq-përdorimit nga administratorë të papërgjegjshme të kësaj prone, rrezikun e përdorimit elektoral dhe të rënies pre e interesave oligarkike duke cënuar kështu interesin publik.

A ka vërtet një të nesërme? nga Jonida Sela. Reflektime mbi filmin “C’e ancora domani” të Paola Cortellesi.

‘Komisioni i Dezinformimit, vigjilencë apo kërcënim për lirinë e medias’ nga Blerjana Bino. Ndërsa adresimi i dezinformimit është një detyrë thelbësore, ekziston shqetësimi se komisioni i ri parlamentar i Shqipërisë mund të jetë thjesht një mjet tjetër për të heshtur zërat kritikë.

‘Shqiptarët s’i janë borxhlinj Italisë për “mikpritjen” e saj të viteve 1990’, nga Fabio Bego. Arsyetimi i Edi Ramës për marrëveshjen e emigrantëve me Romën – se shqiptarët i kanë një “borxh” historik Italisë – bazohet në një interpretim të keq të historisë.