Fri, Dec 27, 2024

Raporti: Mesatarisht çdo ditë kanë vdekur 30 imigrantë në përpjekje për të shkuar në Spanjë!

  • PublishedDecember 26, 2024

Më shumë se 10.000 imigrantë humbën jetën në përpjekje për të mbërritur në Spanjë përmes detit, sipas një raporti të publikuar të enjten nga një grup spanjoll për të drejtat e imigrantëve.

Numri i të vdekurve u rrit për 58 për qind, krahasuar me vitin e kaluar, thuhet në raport.

Dhjetëra mijëra imigrantë u larguan nga Afrika Perëndimore më 2024 në drejtim të Ishujve Kanari të Spanjës, të cilët ndodhen në afërsi të bregdetit afrikan, që është përdorur bujshëm si pikënisje drejt kontinentit të Evropës.

Caminando Fronteras tha se shumica e 10.457 vdekjeve të regjistruara deri më 15 dhjetor ndodhën përgjatë të ashtuquajturës rruga atlantike, e cila cilësohet si njëra prej më të rrezikshmeve në botë.

Kjo organizatë i mbledh shifrat nga familjet e imigrantëve dhe nga të dhënat zyrtare të atyre që shpëtohen.

Në mesin e të vdekurve ishin 1.538 fëmijë dhe 421 gra. Prilli dhe maji ishin muajt më vdekjeprurës, sipas raportit.

Caminando Fronteras gjithashtu theksoi një “rritje të madhe” më 2024 të imigrantëve që nisen nga Mauritania, e cila është bërë pikënisja kryesore në rrugën drejt Ishujve Kanari.

Në shkurt, Spanja ia dha Mauritanisë 210 milionë euro për ta ndihmuar t’i luftojë trafikantët me imigrantë dhe të mos i lejojë anijet me imigrantë të nisen drejt ishujve të saj.

Ministria e Brendshme e Spanjës thotë se më shumë se 57.700 imigrantë mbërritën në Spanjë përmes anijes deri më 15 dhjetor këtë vit, që është një rritje prej rreth 12 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Shumica e tyre erdhën përmes rrugës atlantike.