Fri, Dec 27, 2024

Turqia, investitori kryesor në Shqipëri! Vlera shkon në 58 milionë euro

  • PublishedDecember 26, 2024

Turqia mbajti kryesimin e investimeve të huaja direkte në Shqipëri për të tretin tremujor radhazi.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e tretë 2024 investimet turke kishin vlerën e 58 milionë eurove, në vlerë të përafërt me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa për 9-mujorin 2024 investimet e kompanive me kapital turk arritën vlerën e 204 milionë eurove, me një rritje prej 62% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Stoku i investimeve turke në fund të shtatorit 2024 ka arritur në 1.22 miliardë euro, në rritje me 26% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Ndërmarrjet turke kanë një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, sidomos në sektorin financiar, atë energjetik, në industrinë nxjerrëse apo edhe në ndërtim.

Sidoqoftë, rritja në stokun e investimeve nuk lidhet vetëm nga flukset e reja, por në të duhen llogaritur edhe ndryshimet nga kursi i këmbimit, ndryshimet nga çmimi dhe ndryshimet e tjera.

Bazuar në metodologjitë e përdorur për matjen e investimeve të huaja, flukset e reja vlerësohen me kursin e këmbimit mesatar të periudhës, ndërkohë që stoku vlerësohet me kursin e ditës së fundit të periudhës.

Gjithashtu, stoku i investimeve të huaja rivlerësohet në mënyrë periodike, duke reflektuar edhe ndryshimin e çmimit të aseteve.

Pas Turqisë, investitori i dytë më i madh edhe për vitin 2024 vazhdon të jetë Italia, me një fluks total prej 148 milionë eurosh për 9-mujorin e vitit 2024. Investimet italiane janë rritur lehtë me 3.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe orientohen sidomos në aktivitetet e shërbimeve.

Stoku i investimeve italiane në fund të tremujorit të tretë ka arritur tashmë në 1.67 miliardë euro, në rritje me 20% krahasuar me një vit më parë.

Hollanda ka zbritur në vendin e tretë mes investitorëve të huaj për 2024. Vlera e investimeve hollandeze për 9-mujorin 2024 ra në 118 milionë euro, 45% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa stoku i investimeve hollandeze ka arritur vlerën e 2.47 miliardë eurove, në rritje me 17.5% krahasuar me të njëjtën periudhë një viti më parë.

Ndër të paktët investitorë të mirëfilltë hollandezë në Shqipëri kompania Shell, që vlerësohet se në vitet e fundit ka kryer investime të mëdha për me shpimet në zonën naftëmbajtëse të Shpiragut.

Megjithatë, duke përjashtuar Shell, vlerat e larta të investimeve hollandeze në vitet e fundit lidhen kryesisht me faktin se Hollanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani holding, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit.

Hollanda preferohet për regjistrimin e kompanive offshore, është sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve.

Ajo është edhe një juridiksion i preferuar për regjistrimin e shoqërive holding, sepse ajo ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të Botës për shmangien e tatimit të dyfishtë.

Investori i katërt më i rëndësishëm këtë vit, për nga vlera e flukseve të reja, është Austria, me 81 milionë euro. Megjithatë, investimet austriake kanë rënë me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Investimet austriake në Shqipëri janë të përqendruara sidomos në tregun e sigurimeve, në sektorin energjetik dhe në shërbimet e hotelerisë.

Stoku i investimeve austriake arriti në 843 milionë euro, në rritje me 5.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritje të ndjeshme këtë vit kanë shënuar investimet e ndërmarrjeve kosovare, që për 9-mujorin arritën vlerën e 64 milionë eurove, me një rritje prej 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Stoku i investimeve kosovare arriti në 387 milionë euro, në rritje me 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor