Sat, Dec 28, 2024

“Nuk largohem nga Inter”, Thuram i bindur: Ekipi zikaltër ndër 5 skuadrat më të forta në Evropë

  • PublishedDecember 27, 2024

Pavarësisht disa ndeshjeve të vështira në fillim të sezonit, Interi duket se ka rikthyer formën e tij të zakonshme të sezonit të kaluar. Aktualisht, zikaltërit po “fluturojnë” në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve, të udhëhequr nga një Marcus Thuram fantastik, i cili ka shënuar tashmë 13 gola këtë sezon.

Sulmuesi francez ka folur në “Gazzetta dello Sport”, duke filluar me një koment mbi formën e tij: “Tek Interi jam plot besim. Kjo është falë atyre që më rrethojnë: shokëve të skuadrës, trajnerit, klubit. Nuk e di se deri ku do të arrij. Nuk mendoj për këtë, pothuajse më shqetëson.

Ajo që ka rëndësi është ta dashurosh punën që bën, jo të vendosësh limite. Ende kam shumë për t’u përmirësuar në goditjet me kokë, si dhe duhet të jem më i shpejtë. Gjithsesi, krahasuar me fillimin e sezonit, tashmë ndjehem më i fortë. Sot, për shembull, shkoj përpara për pasimin e Dimarco, sepse e di çfarë do të bëjë ai. E njëjta gjë me Micki. Është fitim njohurish, përvoje”. Për mësimet nga babai i tij, Lilian Thuram:

“Ai ka qenë thelbësor për mua, që kur isha i ri, akoma edhe sot. Me të fitoj përvojë, një fjalë e tij është si 2-3 javë pune. A ka qenë e vështirë të jem djali i një kampioni? Ndonjëherë, po. Babai im më kishte përgatitur, duke më thënë: do të gjykohesh për mbiemrin, do të të thonë se je këtu vetëm për faktin që je djali im. Nuk ka qenë e këndshme, kur isha fëmijë, të dëgjoja fjalë të këqija nga prindërit e fëmijëve me të cilët luaja”. Për marrëdhënien me vëllain e tij, Khephren:

“Raporti me të është i shkëlqyer. I uroj më të mirën. Jo më të mirën, më saktë… Uroj më të mirën për të, jo për ekipin ku ai luan (qesh). Ai është më i fortë se unë”. Për marrëdhënien me Lautaro: “Ai është kapiteni që flet kur duhet. Asnjëherë nuk flet pa arsye. Ne kuptohemi për shkak të ndryshimeve tona. Unë i jap atij diçka që nuk e ka, ndërsa Lautaro më jep mua të njëjtën gjë. Kur jemi në kombëtare, shpesh flasim, ndoshta i mungojmë njëritjetrit”.

Për klauzolën e lirimit 85 milionëshe: “E them qartë: nuk do të ndodhë kurrë që të largohem nga Interi duke shfrytëzuar klauzolën, për shkak të marrëdhënies që kam me të gjithë këtu. Ajo shumë është aty, por nuk do të jem unë që do ta aktivizoj. Nëse diçka do të ndodhë, gjithmonë do të ketë një diskutim me klubin”.

Për objektivat e skuadrës: “Nuk mund të zgjedh, kam objektiv t’i fitoj të 5 trofetë. Unë e konsideroj Interin si një nga klubet më të mëdhenj të Europës. Jemi një skuadër që frikëson. Nuk shoh klube më të forta se ne, asnjë. 5-6 skuadra në Ligën e Kampionëve janë më të forta se të tjerat. Ne jemi ndër ato”.


AlbaniaWeb.net