Sun, Dec 29, 2024

“Qeveria po shfrytëzon pasuritë publike”- Berisha: Programi i PD-së nuk është vetëm për demokratët, por për shpëtimin e Shqipërisë

  • PublishedDecember 28, 2024

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një kritikë të ashpër ndaj qeverisë gjatë takimit të tij me qytetarët e Kamëz ditën e sotme, ku dhe ka prezantuar programin e PD-së si një mundësi për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët.

Berisha ka folur për projektin për ndërtimin e një porti të ri në Porto Romano, duke e cilësuar atë si një formë të privatizimit të pasurive publike.

Më tej kryedemokrati është ndalur te situata e shëndetësisë, duke e cilësuar si një sistem që lë qytetarët të vuajnë dhe të vdesin për mungesë ilaçesh.

“Shikoni se ç’bëhet me ilaçet, një shtet që i lë të sëmurët t’i vrasin sëmundjet për mungesë ilaçesh”, tha Berisha.

Berisha ka theksuar se programi i PD-së nuk është vetëm për demokratët, por është për gjithë shqiptarët dhe një mundësi për të shpëtuar Shqipërinë nga varfëria dhe abuzimet e qeverisë aktuale.

Berisha: Shikoni miq, 3 mijë vite ka porti i Durrësit, u ka shërbyer shqiptarëve 3 mijë vite më radhë. Çfarë bën Edi Rama tani? Këtë, tha, do e bëj unë, Dubai City me Alabarin.

Po toka aty me ujin janë 1.4 milionë metër katrorë që me çmimin e tregut shkojnë 4 miliardë euro, pronë publike. Mbyllni sytë dhe mendoni, nëse do i shisnim ato me çmimin e tregut, secili prej jush do merrnit dy rroga dhe pensione, për të mos thënë më shumë.

E kundërta, ky tani, përveçse e merr tokën për veten, Alabarin dhe çunat e Dubait që shkoi dhe i takoi, tani thotë se portin në Porto Romano do e ndërtojnë taksapaguesit shqiptarë. Do jepni ju pra 1.3 miliard euro për të ndërtuar portin e ri, në një kohë kur ai ndërton dhe fiton 12.500 apartamente, 6 hotele me 6 yje dhe marinën.

Asnjë kolonizator, ju garantoj, asnjë pushtues nuk do guxonte të sillej siç sillet Edi Rama ndaj shqiptarë. Ai port nuk do ndërtohet kurrë, ai 1.3 miliardë euro do u jepet ju rroga dhe pensione dhe nuk do jepen kurrë për ndërtimin e portit të ri, porti i vjetër është aty, porti i shekullit dhe mijëvjeçarëve.

Prandaj miq, ja që ne e kemi programin, e kemi ilaçet. Ne shkojmë tek çdo qytetar dhe ulemi me të. Por ama duhet të ulemi se ky program nuk është vetëm për demokratët, ky program është për shpëtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Nuk mundet të jetosh në vendin me pasuritë më përrallore dhe të gllabërohesh në gropën e varfërisë. Shikoni se ç’bëhet me ilaçet, një shtet që i lë të sëmurët t’i vrasin sëmundjet për mungesë ilaçesh.

A ka mundësi që ne të mos garantojmë ilaçet për njerëzit tanë? I vjedhin fondet se fondet janë. Kjo është një bisedë shumë serioze që duhet të bëjmë. Është jetikë të takojmë çdo shqiptar sot. Ky regjim është një kalbësirë. Mos mendoni kurrë se ka hajdutë trima, hajdutët janë raca më frikacake. Prandaj mjafton sulmi ynë për t’i rrokullisur këta. Por ky sulm duhet të bëhet me çdo qytetar shqiptar me këtë program.