Nga sekuestro në konfiskim: Prokuroria e Tiranës rrudhi 8 herë pasurinë e ‘pajustifikuar’ të një anëtari të krimit të organizuar
Prokuroria e Tiranës njoftoi të hënën më 30 dhjetor se i kërkon gjykatës të konfiskojë pasuri me vlerë të paktën 2.5 milionë euro të një personi të akuzuar më parë për krim të organizuar, i cili ka ndërruar jetë katër vjet më pare, në një atentat. Sipas prokurorisë, nga hetimi është konkluduar se 6 apartamente me sipërfaqe totale 1066 m2; 1 njësi 45.21 m2 dhe 6 garazhe me sipërfaqe totale 90 m2, me vlerë të paktën 2.5 milionë euro, lidhen dhe rrjedhin nga veprimtaria kriminale e të ndjerit Paulin Markaj, i njohur edhe si Ndue Gjergji.
Në njoftim thuhet se ka rezultuar se Gjergji ka qenë pjesë e një grupi kriminal i cili fushë kryesore të aktivitetit të tij kriminal kishte veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. “Prokuroria provoi se shtetasi N.Gj., ka qenë nën hetim në Hollandë për veprën penale të ‘Pastrimit të parave’ ndërsa më parë ka qenë i arrestuar dhe i dënuar për drogë në Itali. Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar, për sa i përket pasurive të shtetasit N.Gj. dhe familjarëve të tij, rezultoi se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se 13 pasuritë e paluajtshme i kanë fituar si rezultat i veprimtarisë kriminale”, citohet në njoftim.
Sipas organit të akuzës, këto pasuri të të ndjerit dhe familjarëve të tij plotësojnë kriteret për t’u trajtuar bazuar në ligjin e vitit 2009 ″Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë″, i njohur ndryshe dhe si ligji “Antimafia” – ligj në të cilin bazohet SPAK për të kryer hetimin pasuror dhe për realizimin e sekuestrimeve e konfiskimeve të pasurive të pajustifikuara.
Më 27 korrik të vitit të kaluar, Prokuroria e Tiranës njoftoi se i kishte kërkuar gjykatës sekuestrimin e pasurive të në emër të Gjergjit dhe familjarëve të tij që dyshohej se rridhnin nga veprimtari kriminale, për të cilat u tha se së bashku arrinin vlerën e rreth 20 milionë eurove. Sipas njoftimit të atëhershëm të prokurorisë, nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar, përsa i përket pasurive të Gjergjit dhe familjarëve të tij, kishte rezultuar një nivel i pajustifikuar ekonomik për 31 pasuri që sipas transaksioneve të kryera janë krijuar për një shumë totale për më shumë se 6 milionë euro dhe me vlerë tregu gjatë në kohën ë kryerjes së hetimit përllogariteshin rreth 20 milionë euro. Pasuritë rezulton të jenë blerë gjatë periudhës 2000-2017, kur vetëm në 2004-ën janë blerë prona në vlerën totale mbi 1.4 milion euro, duke likuiduar rreth 406 mijë euro në atë vit.
Ky hetim pasuror është kryer nga prokurorët Erjon Imeraj dhe Mirela Zavalani. I pyetur nga BIRN për rrudhjen me 8 herë të bilancit të pasurive të pajustifikuara të Gjergjit dhe familjarëve të tij, prokurori Erjon Imeraj pohoi për BIRN gjatë një bisede telefonike se ky rezultat kishte ardhur si pasojë e ekspertimit. Ai shpjegoi se nga ekspertimi financiar i kryer në fazën e parë të hetimit, eksperti kishte konkluduar se nuk justifikoheshin pasuri me vlerë rreth 20 milionë euro. Sipas Imerajt, familjarët e Gjergjit kishin depozituar më vonë dokumentacion që vërtetonin se kishin pasur biznese prej nga ishin siguruar të ardhurat për një pjesë të pasurive. I njëjti ekspert, pasi ka konsultuar gjithë dokumentet, shpjegimet e familjarëve të Gjergjit dhe aktet e tjera, ka arritur në përfundimin se vetëm 13 nga 31 pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara me burime të ligjshme dhe për ato është kërkuar konfiskimi.
Prokurorja Mirela Zavalani pohoi për BIRN gjatë një komunikimi telefonik se një pjesë e pasurive rezulton të jenë shitur para se të fillonte hetimi.
Sipas saj, në momentin e sekuestrimit nuk njoftohet pala nën hetim me qëllim shmangien e tjetërsimit të pasurive. Pas sekuestrimit, kur familjarët e Gjergjit janë njoftuar, ata kanë sjellë dokumente që vërtetonin se kanë pasur aktivitete nga të cilat kanë gjeneruar të ardhura, për të cilat janë shlyer detyrimet tatimore.*
Në disa raste është përdorur sekuestrimi i pasurive të barazvlefshme. Kur ka pasur raste që kanë rezultuar me bilanc pozitiv në një vit, por nuk ekzistojnë pasuri që mund të sekuestrohen, janë sekuestruar pasuri të një viti tjetër, edhe pse në atë kohë bilanci ka dalë pozitiv.
Hetimi pasuror ndaj Gjergjit u fillua më parë prej ish-Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila në vitin 2018 e përcolli në Prokurorinë e Tiranës për kompetencë për “pastrim të produkteve të veprës penale”. Nga verifikimet ka rezultuar se Markaj është hetuar për trafik droge në Itali, ku është ndaluar një herë në vitin 1999 dhe më pas rezulton të ketë dalë nga burgu në 2011-ën.
Paulin Markaj alias Ndue Gjergji u ekzekutua në qershor të 2020 së bashku me një biznesmen tjetër nga një grup autorësh që ishin maskuar me uniforma policie.
Ligji “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i quajtur ndryshe si ligji “Antimafia”, parashikon se ‘masat parandaluese mund të kërkohen dhe ndaj trashëgimtarëve të personit, subjekt i zbatimit të këtij ligji, por, në çdo rast, jo më vonë se 5 vjet nga data e vdekjes’.
Në qershor të këtij viti, Prokuroria e Tiranës njoftoi se kishte kërkuar vendosjen e sekuestros preventive të pasurive të 7 personave të dënuar më parë në Belgjikë për trafik lëndësh narkotike, prona që të gjitha kapnin vlerën e 50 milionë eurove. Në muajin korrik, Prokuroria e Përgjithshme bëri publik bilancin e 6 mujorit të parë të këtij viti, duke njoftuar sekuestrimin e pasurive që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari të paligjshme, me vlerë totale rreth 100 milionë euro. Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, për pasuri me vlerë rreth 50 milionë euro Apeli i ka hequr sekuestrot dhe çështja do rigjykohet.
Ligji i quajtur “Antimafia” është një instrument ligjor që përdoret për sekuestrimin e pasurive kryesisht nga ana e Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Gjatë paraqitjes së analizës vjetore në muajin prill para Këshillit e Lartë të Prokurorisë, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani tha ndër të tjera se vlera e pasurive të konfiskuara e sekuestruara të mbërrin një vlerë në total prej 41 milionë euro, nga të cilat 54 % të sekuestruara dhe pjesa tjetër të konfiskuara.
*Shkrimi është përditësuar për të përfshirë komentin e prokurores Mirela Zavalani.