Personalitetet nga Ballkani që ndërruan jetë në 2024
Ismail Kadare: Gjiganti i letërsisë shqipe
Ismail Kadare, një nga shkrimtarët më të përkthyer të letërsisë shqipe dhe fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare letrare, ndërroi jetë në korrik 2024, në moshën 88-vjeçare.
Pas vdekjes së tij, ‘The New York Times’ e përshkroi atë si “autorin më të shquar shqiptar të një brezi … një shkrimtar prodhimtar që shpesh gjente mënyra për të kritikuar shtetin totalitar të vendit, pavarësisht rreziqeve. Shpesh, ai maskonte përçmimin e tij në mite dhe parabola.”
Në libra të njohur si Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, Kështjella dhe Pallati i Ëndrrave, Kadare i ofroi lexuesve perëndimorë “një pasqyrë të jetës në atë që për shumë vite ishte një shoqëri shumë e mbyllur,” sipas The New York Times.
Në Shqipëri, pas vdekjes së tij, janë hapur diskutime mbi jetën e tij gjatë regjimit shtypës komunist të Enver Hoxhës, kur Kadare u bë i njohur si shkrimtar, duke u shtruar pyetje për qëndrimin e tij ndaj regjimit.
Kadare vetë kishte thënë se nuk kishte pretenduar kurrë të ishte një “disident”, pasi një gjë e tillë nuk ishte e mundur në atë kohë.
“Opozita e hapur ndaj regjimit të Hoxhës, ashtu si opozita e hapur ndaj Stalinit gjatë sundimit të tij në Rusi, ishte thjesht e pamundur,” i tha ai gazetës The Jerusalem Post. “Disidenca ishte një pozicion që askush nuk mund ta mbante, as për disa ditë, pa u përballur me skuadrën e pushkatimit. Nga ana tjetër, librat e mi përbëjnë një formë shumë të qartë rezistence ndaj regjimit.”
Kadare u arratis në Francë në vitin 1990, pak para rënies së regjimit të Hoxhës, duke pretenduar se ishte vënë në shënjestër nga policia sekrete, Sigurimi.
Pas rënies së komunizmit, ai ndau kohën e tij midis Tiranës dhe Parisit. Në vitin 1996, u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze dhe vitin e kaluar u nderua me titullin Grand Officier të Legion d’honneur nga Presidenti francez Emmanuel Macron.
Budimir Lončar: Ministri i fundit i Jashtëm i Jugosllavisë Socialiste
Budimir Lončar, një diplomat me një karrierë të shquar, luftoi përkrah lëvizjes antifashiste të partizanëve të Josip Broz Tito gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndihmoi në themelimin e Lëvizjes së të Paangazhuarve, shërbeu si ministri i fundit i Jashtëm i Jugosllavisë Socialiste dhe më pas loboi për njohjen e pavarësisë së Kroacisë.
Lončar ndërroi jetë në shtator, në moshën 100-vjeçare, ndërsa notonte në Adriatik pranë ishullit Ugljan, ku ndodhet qyteti i tij i lindjes, Preko. Pas ndarjes së tij nga jeta, dy ish-presidentë kroatë nderuan kujtimin e tij si një diplomat të shquar të epokës së Luftës së Ftohtë dhe një figurë kyçe të politikës së jashtme.
Ish-Presidenti Stjepan Mesić, i cili e angazhoi Lončarin si këshilltar të politikës së jashtme nga viti 2000 deri në 2010, e përshkroi atë si “të jashtëzakonshëm, eksperti më i madh i politikës së jashtme, jo vetëm në Europë, por në botë”. Pasuesi i tij, Ivo Josipović, e kujtoi atë si një “lojtar të madh nga një fushë e vogël … i aftë të debatonte në kushte të barabarta me udhëheqësit e vendeve të mëdha dhe të fuqishme”.
Historiani Tvrtko Jakovina, autor i biografisë Budimir Lončar – Nga Preko në Majën e Botës, tha për BIRN se Lončar “mbeti aktiv deri ditën e fundit të jetës së tij”. Ai shtoi: “Në ditën e vdekjes së tij, ai bisedoi me ish-ambasadorin Ivica Maštruko për rezultatet e zgjedhjeve amerikane, të cilat i kishte parashikuar me saktësi”.
Jakovina theksoi se Lončar mbajti lidhje me figura të rëndësishme nga rajoni dhe bota, dhe shumë kërkonin këshillat e tij.
“Një profil i tillë do të ishte mbresëlënës në çdo profesion, por është jashtëzakonisht i rrallë në diplomaci – të mbetesh kaq relevant dhe i angazhuar për një kohë kaq të gjatë. Jo sepse ishte pjesë e së kaluarës, por sepse mendonte edhe për të ardhmen,” tha Jakovina.
Ai kujtoi gjithashtu se si Lončar ruajti një kureshtje për botën edhe në moshë të avancuar. “Edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ai vazhdoi të punonte me organizata ndërkombëtare, përpara se të kthehej përfundimisht në Kroaci,” përfundoi ai.
Vasso Papandreou: ‘Zonja e Hekurt’ e Greqisë dhe pioniere politike
Vasso Papandreou, një nga anëtaret themeluese të partisë qendër-majtiste PASOK në Greqi, ndërroi jetë në tetor pas një karriere të gjatë si një nga gratë politikane më të shquara të vendit. E lindur në vitin 1944, ajo shërbeu si ministre në disa poste dhe ishte komisionerja e parë greke në Komisionin Europian, nga viti 1989 deri në 1993.
Papandreou fitoi epitetin “Zonja e Hekurt e Europës” – një referencë për Margaret Thatcher-in e Britanisë, një herë kundërshtare politike e saj. “Shumë e përshkruanin si rivale të Thatcher-it,” tha për BIRN Effie Bekou, sekretarja e PASOK-ut për mirëqenien dhe kohezionin social dhe një mike e ngushtë e Papandreou-t.
Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1993, ajo mori 256,831 vota në distriktin e dytë zgjedhor të Athinës, shifra më e lartë e votave të marra ndonjëherë nga një politikan në Greqi.
“Papandreou kishte besim absolut te vetja dhe, si rrjedhojë, edhe te bashkëpunëtorët që zgjidhte, gjë që të krijonte një ndjenjë përgjegjësie. Ishte e drejtpërdrejtë, mbështetëse dhe me një dije të jashtëzakonshme,” kujtoi Bekou.
Në vitin 1999, Papandreou e emëroi Bekou Sekretare të Përgjithshme për Barazinë Gjinore. Nën drejtimin e saj, për herë të parë në Greqi u organizua një fushatë kundër dhunës në familje.
Veljko Bulajić: Regjisori Jugosllav i famshëm për epikat e luftës
Veljko Bulajić, i lindur në Mal të Zi dhe një nga regjisorët më të mëdhenj të ish-Jugosllavisë, u nda nga jeta në prill 2024. Ai është i njohur më së shumti për filmat e tij epikë mbi Luftën e Dytë Botërore.
Filmat e tij më të famshëm përfshijnë ‘Kozara’ (1962), ‘Bitka na Neretvi; (“Beteja e Neretvës”, 1969), i nominuar për Oscar, ‘Veliki Transport’ (“Transporti i Madh”, 1983), si dhe dokumentarin ‘Skopje 63;. Këto arritje ishin të suksesshme jo vetëm brenda Jugosllavisë, por edhe ndërkombëtarisht.
Regjisori malazez Andro Martinović vuri në dukje se çmimet e shumta të fituara nga Bulajić flasin më së miri për punën e tij. “Por më e rëndësishme se kaq është se Veljko ishte një regjisor me një dhunti të padiskutueshme për kinemanë, për emocionin, për një plan të gjerë, për strukturën epike të filmit – për atë që përbën një panoramë të fatit njerëzor,” tha Martinović për BIRN.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Bulajić studioi regji filmi në Romë, ku punoi si asistent me regjisorë të mëdhenj si Federico Fellini dhe Vittorio De Sica, përpara se të kthehej në Jugosllavi.
Karrierën e tij regjisoriale e nisi me filma të shkurtër si ‘Stone and Sea’ dhe ‘The Wandering Boat’. Në vitin 1959, ai realizoi filmin e tij të parë artistik, ‘Train Without a Timetable’, i cili u shfaq në Festivalin e Filmit në Kanë.
Epika e tij më e famshme e luftës, ‘Beteja e Neretvës’, përfshinte yje të Hollywood-it si Yul Brynner dhe Orson Welles, aktorin e famshëm italian Franco Nero dhe yllin sovjetik Sergej Bondarchuk. Filmi u nominua për një Oscar në vitin 1970, dhe posteri i tij u dizajnua nga vetë Pablo Picasso.
Kiril Marichkov: Legjenda e rokut Bullgar dhe kampion i demokracisë
Kiril Marichkov, një nga muzikantët më të njohur të Bullgarisë dhe lider i grupit legjendar të rokut të epokës komuniste The Crickets (Щурците), u nda nga jeta në tetor, në moshën 79-vjeçare, pas një rrëzimi gjatë një provë tingulli me super grupin e tij The Foundation, ku performonte me artistë të tjerë të njohur vendas.
The Crickets, i formuar në Sofje në vitin 1967, ishte një pionier i rokut bullgar, duke u bërë një nga grupet më të njohura të vendit. Me një referencë të qartë për The Beatles, grupi theu barrierat kulturore të kohës dhe frymëzoi breza të rinjsh.
Marichkov mbeti aktiv deri në fund, duke ruajtur statusin e një “plaku të urtë” të rokut bullgar. Ai mbahet mend jo vetëm për muzikën e tij, por edhe si një zë i fuqishëm për një të ardhme më të mirë gjatë tranzicionit të Bullgarisë drejt demokracisë pas vitit 1989.
“Marichkov ishte një frontman që udhëhoqi grupin e tij ndërsa shteti komunist mbikëqyrte muzikantët e rokut, dhe ai arriti të ruante karizmën e tij gjatë viteve të tranzicionit politik të Bullgarisë,” tha për BIRN gazetari i kulturës, poeti dhe fotografi Vladislav Hristov.
The Crickets ishin një pjesë e kulturës së protestës në Bullgari, dhe Marichkov u shqua si një lider për çështje sociale,” shtoi Hristov.
Përveç muzikës, Marichkov kompozoi kolonat zanore të disa filmave dhe në vitin 1992 ishte një nga bashkëthemeluesit e radios popullore muzikore Tangra.
Stojan Andov: Politikan i zoti që la gjurmë në Maqedoninë e Veriut
Me një talent për pragmatizëm politik, diplomaci dhe ekonomi, Stojan Andov, presidenti i parë i parlamentit të Maqedonisë që nga shpallja e pavarësisë, i cili ndërroi jetë në qershor në moshën 89-vjeçare, la një gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit.
Të thuash se Andov ishte një shtyllë e politikës maqedonase do të ishte pak. Si politikan i respektuar, ai ndihmoi vendin të kalojë me sukses tranzicionin e ndërlikuar nga komunizmi në demokraci dhe nga një republikë federale jugosllave në një shtet të pavarur.
I lindur në qytetin Kavadarci në vitin 1935, ekonomisti dhe eksperti i shkencave politike përparoi me shpejtësi në hierarkinë politike të ish-Jugosllavisë falë aftësive të tij si negociator dhe mbështetës i ekonomisë së tregut.
Gjatë dekadës së parë të pavarësisë së vendit në vitet 1990, Andov themeloi Partinë Liberale dhe në vitin 1991 u bë kryetari i parë i parlamentit të Maqedonisë, një rol që e ushtroi edhe dy herë të tjera.
Si kryetar parlamenti, Andov u vlerësua për aftësinë e tij në drejtimin e asamblesë së parë pluraliste shumëpartiake, e cila shpesh përbëhej nga politikanë të papërvojë dhe grupe me opinione të ndara thellësisht për të ardhmen e vendit.
“Andov gjithmonë tregonte qartë rrugën drejt Brukselit dhe integrimit të plotë të vendit në Bashkimin Europian dhe NATO. Është për të ardhur keq që ai nuk drejtoi kurrë diplomacinë maqedonase, megjithëse kishte një rol mbresëlënës dhe të shquar diplomatik si kryetar i parlamentit, një rol që asnjë kryetar tjetër maqedonas nuk e ka përsëritur,” tha ish-zëvendëskryeministri për çështjet europiane të Maqedonisë së Veriut, Ivica Bocevski.
Nën drejtimin e tij, parlamenti miratoi kushtetutën e parë kombëtare të vendit dhe shumë akte të tjera themeluese të shtetit. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në pavarësinë e Maqedonisë së Veriut, Andov u nderua me Urdhrin prestigjioz “8 Shtatori”.
Fethullah Gulen: Udhëheqësi fetar Turk që ra në konflikt me Erdogan
Fethullah Gulen, udhëheqësi i Lëvizjes Globale Gulen, ndërroi jetë më 20 tetor në moshën 83-vjeçare në Shtetet e Bashkuara, ku kishte jetuar në mërgim të vetëimponuar që nga viti 1999.
Dikur një aleat i ngushtë i Presidentit Recep Tayyip Erdogan, Gulen drejtonte një rrjet transnacional, por më vonë u etiketua si udhëheqës terrorist në Turqi. Erdogan e akuzoi për organizimin e grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016, akuzë të cilën Gulen e mohoi. Përplasja mes tyre dhe goditja ndaj të ashtuquajturve “gulenistë” kanë pasur një ndikim të madh dhe afatgjatë në jetën politike të Turqisë.
I lindur në vitin 1941 në Erzurum, Turqia Lindore, idetë e Gulenit u formësuan nga Said Nursi, themeluesi i Lëvizjes Nur. Nisma e tij filloi në vitet 1970 me një konvikt studentësh në Izmir dhe u zgjerua në një rrjet global shkollash, universitetesh, mediash dhe OJQ-sh. Shkollat guleniste lulëzuan në mbarë botën, veçanërisht në Ballkan, me mbështetjen e Ankarasë gjatë aleancës me Erdogan.
Në Turqi, gulenistët supozohet se fituan ndikim në ushtri, gjyqësor dhe polici. Kur Erdogan erdhi në pushtet në vitin 2002, ai u mbështet te rrjeti i Gulenit për të plotësuar pozicionet shtetërore. Megjithatë, aleanca u prish në vitin 2013 pas hetimeve për korrupsion ndaj aleatëve të Erdogan, të udhëhequra nga zyrtarë të dyshuar si gulenistë. Erdogan u kundërpërgjigj, duke e quajtur lëvizjen një “shtet paralel” dhe më vonë “FETO” (Organizata Terroriste Fethullah).
Përplasja u përshkallëzua pas tentativës për grusht shteti në vitin 2016. Në një goditje masive, mbi 150,000 punonjës të sektorit publik u pushuan nga puna, 500,000 persona u hetuan dhe mijëra institucione – përfshirë shkolla, banka dhe OJQ – të lidhura me Gulenin u sekuestruan.
Pavarësisht rënies së saj në Turqi, rrjeti global i shkollave të Lëvizjes Gulen mbetet një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së saj. Dhjetëra mijëra njerëz kanë ikur nga Turqia, kryesisht në Europë dhe SHBA, për të kërkuar strehim.
Kritikët kanë akuzuar Erdoganin për shfrytëzimin e tentativës për grusht shteti për të heshtur opozitën, ndërsa kanë fajësuar edhe Gulenin dhe lëvizjen e tij për shmangien e përgjegjësisë dhe për dështimin në adresimin e rolit të tyre të mundshëm në këto ngjarje.
“Gulen themeloi dhe drejtoi lëvizjen më të madhe të Turqisë, të rrënjosur në arsim, tolerancë dhe paqe, të cilën më vonë e zgjeroi në një nismë globale. Sot, pavarësisht goditjeve të pamëshirshme nga qeveria e Erdogan, lëvizja mbetet rezistente dhe ruan ndjekës në mbarë botën,” tha për BIRN një gulenist i lartë me bazë në SHBA, duke folur në kushte anonimiteti.
“Tani që Hoca [udhëheqësi fetar] ynë ka ndërruar jetë, përpara nesh qëndron një përgjegjësi e madhe. Duhet ta mbrojmë këtë lëvizje dhe të sigurojmë që trashëgimia e tij të vazhdojë,” shtoi ai.
Bora Đorđević: Rokeri Serb që e mbylli karrierën në një notë të çuditshme
Borisav “Bora” Đorđević, i lindur në Serbi, ndërroi jetë në shtator në moshën 72-vjeçare në Lubjanë, Slloveni. Ai ishte një legjendë e rokut – vokalisti kryesor i grupit ‘Riblja Čorba’, që krijoi disa nga këngët më të njohura në ish-Jugosllavi dhe më vonë në Serbi.
Në vitet e mëvonshme, ai u bë një figurë kontroverse, i kritikuar për qëndrimet e tij nacionaliste serbe.
Grupi ‘Riblja Čorba, i formuar në vitin 1978, pati një sukses kritik dhe komercial në të gjithë Jugosllavinë e atëhershme. Kritiku i muzikës Dragan Ambrozić tha për faqen serbe ‘Nova.rs’ se Đorđević luajti një rol vendimtar në vendosjen e rokut si pjesë të kulturës lokale. Sipas Ambrozić, “për shkak të tij, rokenrolli në rajonin tonë u përjetua si pjesë e kulturës sonë”.
“Đorđević arriti jo vetëm të përkthejë një pjesë të rëndësishme të mesazhit të rokenrollit në gjuhën serbe, por edhe ta përfshijë atë në mënyrë të natyrshme në perceptimet dhe karakteret lokale tashmë ekzistuese,” shpjegoi ai. “Në këtë mënyrë, ‘rokeri’ u bë pjesë e mjedisit serb, i njohur si i tillë edhe nga ata që nuk dinin asgjë për muzikën rock.”
Gazetari Teofil Pančić shkroi në një kolumne për revistën Vreme se Riblja Čorba u bë “gjithnjë e më shumë politikisht e drejtpërdrejtë” gjatë viteve 1980, gjë që i dha grupit një lloj “besueshmërie punk”.
Megjithatë, popullariteti i Đorđević dhe Riblja Čorba ra gjatë viteve 1990, pasi ai shprehu pikëpamje nacionaliste serbe. Në vitin 2012, ai u nderua me titullin “Duka Çetnik” nga lëvizja ultra-nacionaliste Çetnike. Në vitin 2019, grupi ishte kryesor në një tubim të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, edhe pse Đorđević këmbënguli se nuk ishte mbështetës i partisë.
Fansat e tij preferojnë ta kujtojnë për këngë si “Pogledaj dom svoj anđele” (“Shiko shtëpinë tënde, Engjëll”) dhe “Lutka sa naslovne strane” (“Kukulla në faqen e parë”), dhe jo për faktin që, siç shkroi Pančić, pikëpamjet e tij politike “në një moment dolën krejtësisht nga binarët”.
Abdulah Sidran: Poeti dhe skenaristi boshnjak i klasikëve jugosllavë
Abdulah Sidran, poeti, shkrimtari dhe skenaristi boshnjak, u nda nga jeta në mars në moshën 79-vjeçare. Ai ishte një autor i shquar i vargjeve dhe një figurë qendrore në kinematografinë jugosllave.
Sidran është i njohur për skenarët e tij të filmave ikonike si ‘Do You Remember Dolly Bell?’ dhe ‘When Father Was Away on Business’ të Emir Kusturicës, i cili fitoi çmimin ‘Palme d’Or’ në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 1985, si dhe për filmin ‘Kuduz; të Ademir Kenović.
Megjithatë, miqësia e tij me Kusturicën përfundoi për shkak të qëndrimit nacionalist serb të regjisorit, që binte ndesh me kundërshtimin e Sidranit ndaj konceptit të një “Serbie të Madhe”.
Për veprat e tij letrare dhe kinematografike, Sidran fitoi shumë çmime prestigjioze, përfshirë çmimin e Lirisë nga PEN Qendra Franceze për përmbledhjen poetike ‘Sarajevo Coffin’, shkruar gjatë luftës së Bosnjës 1992-95.
Poemat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë, dhe edicioni italian i poezive të tij për rrethimin e Sarajevës i dha çmimin e shquar ‘Premio Letterario 1996 della Fondazione Laboratorio Mediterraneo’, duke përforcuar statusin e tij si një figurë madhore letrare.
Në shtator, në atë që do të kishte qenë 80-vjetori i lindjes së tij, Sidran u nderua pas vdekjes me edicionin e parë të festivalit kulturor ‘Sidranovi Dani’ (Ditët e Sidranit) në qytetin e tij të lindjes.
“Sidran ishte ai lloj personi që, kur je i ri, dëshiron dikë si ai në rrethin tënd sepse të tregon që suksesi i madh letrar është i mundur. Kjo është njëra anë,” tha Boris Lalić, një shkrimtar i ri që pati një sukses të madh falë mbështetjes së Sidranit, gjatë hapjes së festivalit.
“Por, nga ana tjetër, ajo që e bën Abdulah Sidran të rëndësishëm si njeri është fakti që ai ishte një shkrimtar jashtëzakonisht frymëzues – në poezinë, prozën dhe skenarët e tij.”