Sigurimi i makinës nuk do të kushtojë më njësoj për të gjithë, çfarë parashikon rregullorja e re
Një zhvillim domethënës pritet në tregun e sigurimeve në vitin 2025. Pas vitesh përpjekjesh, primet e diferencuara për sigurimin e detyrueshëm motorik vendosen të futen për herë të parë.
Këta faktorë rreziku do të përdoren për llogaritjen e primeve të sigurimit për makinat e pasagjerëve në produktin e sigurimit të detyrueshëm ndaj palëve të treta (MTPL), por nuk do të zbatohen për produktet e sigurimit kufitar ose skemën e kartonit jeshil.
Kompanitë e sigurimit do të përcaktojnë normat e primeve të tyre bazuar në metodologjinë e vendosur. Megjithatë, atyre u kërkohet të njoftojnë AMF-në të paktën 30 ditë kalendarike përpara se të aplikojnë tarifat e reja të primit.
Krahas njoftimit për normat e reja të primeve, shoqëritë e sigurimit duhet të paraqesin pranë Autoritetit bazën e të dhënave teknike, faktorët e rrezikut dhe vlerësimet aktuariale të përdorura në llogaritjen e primeve të sigurimit. Këto duhet të shoqërohen me një opinion nga aktuari i autorizuar i shoqërisë në formën e një raporti me shkrim.
AMF-ja, si pjesë e mbikëqyrjes së saj të operacioneve të kompanive të sigurimit, mund të urdhërojë një rishikim të tarifave të reja të primeve nëse konstaton se të dhënat e përdorura për zhvillimin e tabelave të primeve janë të pasakta ose se shoqëria e sigurimit nuk ka respektuar parimet dhe metodologjitë aktuariale. të përshkruara në rregullore.
Kompanitë e sigurimit nuk mund të aplikojnë tarifa primi që ndryshojnë nga ato të raportuara në Autoritet dhe nuk lejohen të rregullojnë primet e sigurimit të detyrueshëm më shumë se dy herë brenda një viti kalendarik.
Shoqëritë e sigurimit duhet të publikojnë koeficientët e faktorëve të rrezikut dhe shembuj të zbatimit praktik të tyre në faqet e tyre zyrtare të internetit gjatë gjithë periudhës së zbatimit, së bashku me primet e detyrueshme të sigurimit për sektorin e transportit.
Gjithashtu, shoqëritë e sigurimit duhet të shfaqin tabelat e miratuara të primeve të sigurimit në të gjitha pikat e shitjes gjatë periudhës së vlefshmërisë së tyre./Monitor