Fri, Jan 3, 2025

Zbardhet vendimi! Gjykata Kushtetuese: Ja pse u rrëzua kërkesa e Sali Berishës për masën “detyrim paraqitje”

  • PublishedDecember 31, 2024

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimi për masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” për kreun e PD-së, Sali Berisha. Kushtetuesja me vendimin e datës 21 nëntor 2024, rrëzoi kërkesën e Berishës i cili kërkoi shpalljen antikushtetuese të masës së SPAK. Ndërsa GJK, pranoi kërkesën e tij për kthimin e pasaportës.

Vendimi i zbardhur i Kushtetueses

Nr. 81 datë 21.11.2024 (V-81/24)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Holta Zaçaj, Kryetare, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Sandër Beci, Ilir Toska, Marjana Semini, Genti Ibrahimi, anëtarë, me sekretare Belma Lleshi,

në datën 19.11.2024 mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen nr. 12 (S) 2024 të Regjistrit Themeltar, që u përket: KËRKUES: SALI BERISHA, përfaqësuar nga avokatët Klodiana Gjyzari dhe Genci Gjokutaj, me prokurë të posaçme.

SUBJEKT I INTERESUAR PROKURORIA E POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, me autorizim.

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË,

përfaqësuar nga sekretari i përgjithshëm, Genci Gjonçaj.

OBJEKTI: Shfuqizimi i vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023 të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56 (87-2023156), datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

BAZA LIGJORE: Nenet 3, 4, 5, 7, 15, 17, 18, 27, 29, 31, shkronja “b”, 32, pika 2, 38, 42, 46, pika 1, 73, 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (Kushtetuta); nenet 5, 7, 10, 14 dhe 18 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ); nenet 9, 14, 15, 25 dhe 26 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, të ratifikuar me ligjin nr. 7510, datë 08.08.1991 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike”; nenet 27 dhe 71/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji nr. 8577/2000).

GJYKATA KUSHTETUESE, pasi dëgjoi relatorin e çështjes Genti Ibrahimi, mori në shqyrtim pretendimet me shkrim të kërkuesit Sali Berisha (kërkuesi), i cili ka kërkuar pranimin e kërkesës, prapësimet me shkrim të subjektit të interesuar, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme), që ka kërkuar rrëzimin e kërkesës, parashtrimet me shkrim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Kuvendi), i cili nuk ka mbajtur qëndrim për çështjen, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,

V Ë R E N: I Rrethanat e çështjes 1. Kërkuesi është një politikan, ish-president dhe ish-kryeministër, aktualisht deputet i Kuvendit dhe kryetar i partisë kryesore opozitare. 2. Mbi bazën e një kallëzimi për kryerjen e disa veprave penale nga funksionarë të lartë shtetërorë, të bërë nga shtetasi T.B., i cili në atë kohë ka qenë kryetari i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Prokuroria e Posaçme në vitin 2020 ka regjistruar procedimin penal nr. 287 për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal (KP).

Objekti i kallëzimit dhe i hetimit në vijim lidhet me procesin e kthimit të pronës në favor të 5 familjeve ish-pronare, procesin e privatizimit të pronës shtetërore (të objekteve të ish- klubit sportiv “Partizani”), procesin e ndryshimit të destinacionit dhe, më pas, edhe të zhvillimit të pronës. 3. Me urdhrin e datës 02.10.2023, prokurorët e çështjes kanë shënuar në regjistrin e njoftimit të veprave penale edhe emrin e kërkuesit Sali Berisha, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim me shtetasit J.M. dhe F.B., të parashikuar nga nenet 260 e 25 të KPsë.

Për sa i përket kërkuesit, faktet penale objekt hetimi lidhen me sjelljen e dyshuar të tij gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeministrit, pas vitit 2005, në proceset e kthimit të pronës, të privatizimit të pronës shtetërore (objekteve të klubit sportiv “Partizani” në varësi të Vendim i Gjykatës Kushtetuese Kërkues: Sali Berisha Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Klubit Shumësportesh Partizani në varësi të Ministrisë së Kulturës), të ndryshimit të destinacionit dhe të zhvillimit të pronës, duke favorizuar shtetasit J.M., F.B. e XH.B., ku këta të fundit dhe shoqëria e lidhur me ta kanë realizuar ndërtimin e një blloku pallatesh. Për këto procese dyshohet se janë dhënë dhe marrë përfitime monetare, paligjshmëria në origjinën e të cilave është fshehur nëpërmjet veprimeve financiare, transaksioneve të copëzuara ose në cash. 4. Në datën 16.10.2023 Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO-ja e Shkallës së Parë) kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj personave nën hetim, përfshirë edhe kërkuesin Sali Berisha, për të cilin është kërkuar vendosja e masave të sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuara nga nenet 234 dhe 233 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se nga ana e kërkuesit, në ushtrim të pushtetit të tij si Kryeministër, janë kryer veprime konkrete dhe aktive në drejtim të: përgatitjes dhe miratimit të projektligjeve dhe të projektvendimeve të qeverisë, në bashkëpunim me aleatët e vetë politikë, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet ish-pronare, ku përfitues i drejtpërdrejt ishte dhe shtetasi J.M., bashkëshorti i vajzës së tij; kryerjes së kontrolleve administrative, duke shfrytëzuar kompetencat e vartësve të tij, me qëllim ushtrimin e presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete për veprime që duhet të kryenin funksionarët që pengonin procesin e privatizimit të klubeve sportive në favor edhe të shtetasit J.M.; vendosjes në dispozicion të shtetasit J.M. të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të kthimit të pronës, privatizimit të pronës shtetërore dhe ndryshimit të destinacionit të pronës edhe në favorin e këtij shtetasi.

Po ashtu, sipas Prokurorisë së Posaçme, përfitimi i parregullt në favor të shtetasit J.M. lidhet me dyshimin se të gjitha këto procedura, pavarësisht interesit publik në lidhje me nevojën për ambiente sportive, janë bërë me qëllimin e vetëm për të shtënë në dorë pronën dhe për ta përdorur atë për përfitime materiale, ku si të tilla janë konsideruar të gjitha ato përfitime monetare që ky shtetas ka marrë përmes shoqërisë ndërtuese, konkretisht nga shpërndarja e fitimeve të saj të akumuluara ndër vite përpara se ai të deklarohej bashkëortak i saj, të llogaritura në shumën 672 976 832 lekë ose 5 420 345 euro. 5. GJKKO-ja e Shkallës së Parë, gjyqtari i hetimeve paraprake, me vendimin nr. 112, datë 20.10.2023, ka vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, duke caktuar për kërkuesin masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuara nga nenet 234 dhe 233 Vendim i Gjykatës Kushtetuese Kërkues: Sali Berisha të KPP-së.

Sipas asaj gjykate, në rastin konkret plotësohen kushtet e përgjithshme dhe të veçanta për caktimin e masave të sigurimit, të parashikuara në nenin 228 të KPP-së, pasi nga aktet dhe provat e administruara deri në këtë fazë të hetimeve krijohet dyshimi i arsyeshëm se kërkuesi ka konsumuar elementet e veprës penale për të cilën është proceduar penalisht dhe nuk ekzistojnë shkaqe padënueshmërie ose të shuarjes së saj. Në vijim, sipas asaj gjykate, ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të hetimit të çështjes, pasi për shkak të marrëdhënieve të krijuara si rezultat i ushtrimit më parë të funksionit të Kryeministrit, por edhe atij aktual si deputet, sikundër edhe të influencave që mund të ketë te persona të tjerë, ekziston mundësia që personi nën hetim të ndërhyjë dhe ndikojë në prishjen ose asgjësimin e provave, si dhe në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e tyre, çka do të ndikonte në një hetim të mangët për sqarimin e plotë të faktit penal për të cilin dyshohet.

Po ashtu, vijon gjykata, ekziston rreziku i largimit të personit nën hetim nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që ai dyshohet, konkretisht nga 4 deri në 12 vjet burgim. Për sa u takon kritereve për caktimin e masave të sigurimit të parashikuara në nenin 229 të KPP-së, sipas GJKKO-së së Shkallës së Parë, ajo ka mbajtur parasysh rëndësinë e faktit dhe rrezikshmërinë e lartë të veprës penale, sanksionin me burgim të parashikuar për të dhe përhapjen e gjerë të saj, rolin e personit nën hetim dhe kryerjen e veprës penale në formën e bashkëpunimit, pasojat e ardhura prej saj, si dhe moshën e gjendjen gjyqësore të personit nën hetim, referuar të cilave masat e sigurimit të kërkuara nga prokurori janë në përshtatje me shkallën e nevojave të sigurimit në rastin konkret.

6. Në datën 23.10.2023 Prokuroria e Posaçme, e ngarkuar për ekzekutimin e vendimit të GJKKO-së së Shkallës së Parë nëpërmjet shërbimeve të Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i ka paraqitur asaj gjykate aktin e datës 22.10.2023 në lidhje me zbatimin përmes njoftimit të masës së sigurimit personal të vendosur ndaj kërkuesit. GJKKO-ja e Shkallës së Parë, gjyqtari i hetimeve paraprake, ka caktuar datën 24.10.2023, ora 13:30 për zhvillimin e seancës për marrjen në pyetje të kërkuesit në funksion të verifikimit të kushteve dhe të kritereve të caktimit të masës dhe nevojave të sigurimit. Kërkuesi nuk është paraqitur në atë seancë, por janë paraqitur mbrojtësit e zgjedhur prej tij, të cilët kanë parashtruar disa kërkesa procedurale përpara asaj gjykate, më konkretisht: (i) përjashtimin e gjyqtares së hetimeve paraprake; (ii) pajisjen me kopje të akteve që ka depozituar organi i akuzës dhe lënien e një kohe të mjaftueshme për t’u njohur me to; (iii) dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese (Gjykata) për interpretimin e nenit 73, pika 2, të Kushtetutës. Më pas mbrojtësit e kërkuesit janë larguar nga salla e gjykimit.

Në vijim, pas disa shtyrjeve, seanca për pyetjen e kërkuesit është zhvilluar në datën 26.10.2023, në mungesë të tij, ndërsa ai është mbrojtur nga Vendim i Gjykatës Kushtetuese Kërkues: Sali Berisha një avokat i caktuar kryesisht nga gjykata, në kushtet kur mbrojtësit e zgjedhur nga kërkuesi nuk janë paraqitur. 7. Për sa u takon kërkesave procedurale të paraqitura nga mbrojtësit e zgjedhur nga kërkuesi, GJKKO-ja e Shkallës së Parë në seancën e datës 24.10.2023 ka vendosur shtyrjen e saj për ditën e nesërme, në datën 25.10.2023, me qëllim për t’iu dhënë mundësi mbrojtësve të kërkuesit të njihen me aktet e procedimit, si dhe për të paraqitur në formën e kërkuar nga ligji kërkesën për përjashtimin e gjyqtares së hetimeve paraprake mbi shkakun se vendimi i caktimit të masës së sigurimit është në shkelje të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës dhe se për këtë kanë paraqitur kallëzim penal ndaj saj.

Në vijim, në seancën e datës 25.10.2023, ku sërish janë paraqitur vetëm mbrojtësit e zgjedhur nga kërkuesi, GJKKO-ja e Shkallës së Parë ka vendosur të rrëzojë kërkesën e paraqitur në atë seancë për dërgimin e çështjes në Gjykatë për interpretimin e nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, të shprehjes “t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme”, me arsyetimin se nuk vërehen dyshime për paligjshmëri kushtetuese për vënien në lëvizje të kontrollit kushtetues incidental. Edhe në këtë seancë mbrojtësit e kërkuesit kanë deklaruar se kërkojnë përjashtimin e gjyqtares së hetimeve paraprake për të njëjtin shkak të artikuluar edhe më parë, kërkesë të cilën do ta paraqisnin pasi të merrnin procesverbalin audio të seancës, përveçse edhe dhënien e një kohe të mjaftueshme për t’u njohur me aktet e depozituara nga organi i prokurorisë, duke u larguar sërish nga salla e gjykimit. Seanca për marrjen në pyetje të kërkuesit është shtyrë nga gjykata për ditën e nesërme, në datën 26.10.2023, me qëllim dhënien e mundësisë mbrojtësve të kërkuesit për t’u njohur me aktet e procedimit penal.

Ndërsa, kërkesa me shkrim në formën e kërkuar nga ligji për përjashtimin e gjyqtares së hetimeve paraprake është paraqitur vetëm në datën 26.10.2023, ndërkohë që ajo dhe është shqyrtuar po atë ditë, nga një gjyqtare tjetër e asaj gjykate, e cila, me vendimin nr. 430, ka vendosur rrëzimin e kërkesës, me arsyetimin se nuk ekziston asnjë nga rastet ligjore të parashikuar nga neni 17 i KPP-së që të ketë ndikuar në sjelljen e gjyqtares së hetimeve paraprake, e cila të sillte cenimin e paanshmërisë. Seanca e marrjes në pyetje të kërkuesit është zhvilluar në këtë datë (26.10.2023), në mungesën e tij dhe në prani të një mbrojtësi të caktuar kryesisht nga gjykata, ndërsa mbrojtësit e zgjedhur nga kërkuesi nuk janë paraqitur pa njoftuar gjykatën për ndonjë shkak të arsyeshëm.

8. Në përfundim të seancës për marrjen në pyetje, GJKKO-ja e Shkallës së Parë, me vendimin nr. 117, datë 26.10.2023, ka vendosur vazhdimin e zbatimit të masave të sigurimit të vendosura nga ajo më herët ndaj kërkuesit, ku për sa i përket masës “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ka urdhëruar kërkuesin të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00, përpara oficerit të Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Posaçme, ndërsa Vendim i Gjykatës Kushtetuese Kërkues: Sali Berisha për sa i përket masës “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” ka urdhëruar kërkuesin të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, si dhe ndalimin e përdorimit të pasaportës dhe të dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit të tij.

9. Në vlerësimin e GJKKO-së së Shkallës së Parë, edhe pas seancës së pyetjes së personit nën hetim, në mungesë të parashtrimit nga ai të fakteve, argumenteve apo provave në dobi të tij, ndërsa në mënyrë të vullnetshme ka zgjedhur të mos paraqitet duke hequr dorë kështu nga e drejta për t’u pyetur (dëgjuar), rezulton se kushtet dhe kriteret e caktimit të masës, si dhe nevojat e sigurimit të mos kenë ndryshuar, pra ato vijojnë të ekzistojnë, ndaj, për rrjedhojë, zbatimi i masave të sigurimit të caktuara ndaj kërkuesit me vendimin e saj nr. 112, datë 20.10.2023 duhet të vazhdojë. Për këtë, po sipas asaj gjykate, mbahet në konsideratë edhe sjellja e kërkuesit, pas njoftimit të masës, ndërsa referuar deklaratave të tij për të mos e zbatuar atë, ngrihet dyshimi për rrezikun se ai nuk do të jetë në dispozicion të organit procedues gjatë hetimeve paraprake.

Ajo gjykatë ka analizuar edhe pretendimin e mbrojtjes së kërkuesit për shkeljen e nenit 73, pika 2, të Kushtetutës në caktimin e masave të sigurimit ndaj kërkuesit, në kushtet e mungesës së autorizimit nga ana e Kuvendit, duke e gjetur atë të pabazuar.

10. Kundër vendimeve të GJKKO-së së Shkallës së Parë, atij nr. 112, datë 20.10.2023, për caktimin e masave të sigurimit personal dhe atij nr. 117, datë 26.10.2023, për vazhdimin e zbatimit të masave të sigurimit personal, kërkuesi ka paraqitur ankim në gjykatën e apelit, në përfundim të shqyrtimit të të cilit, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO e Apelit), me vendimin nr. 56 (87-2023-156), datë 21.11.2023, ka vendosur miratimin e vendimeve të GJKKO-së së Shkallës së Parë. Edhe GJKKO-ja e Apelit ka vlerësuar se plotësohen kushtet për caktimin ndaj kërkuesit të masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe se masat e caktuara dhe të zbatuara ndaj tij janë në përputhje me kriteret dhe nevojat e sigurimit në rastin konkret.

Sipas saj, ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova për kryerjen nga kërkuesi të veprës penale për të cilën është proceduar penalisht, se nuk ka shkaqe padënueshmërie apo të shuarjes së saj, si dhe se ekziston rreziku i “helmimit” të marrjes ose vërtetësisë së provave, sikundër edhe ai i largimit të kërkuesit.

GJKKO-ja e Apelit ka shqyrtuar pretendimet e ngritura në ankim për shkeljen e nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, për mungesën e paanësisë së gjyqtares së hetimeve paraprake, për shkeljen e së drejtës së mbrojtjes efektive dhe për mungesën e arsyetimit të vendimit gjyqësor, ku pas një analize të bëra atyre, ka arritur në përfundimin se janë të pabazuara. Kundër vendimit të GJKKO-së së Apelit kërkuesi ka paraqitur rekurs.

Vendim i Gjykatës Kushtetuese Kërkues: Sali Berisha

11. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024, ka vendosur mospranimin edhe të rekursit të paraqitur nga kërkuesi, duke vlerësuar se është bërë për shkaqe të ndryshme nga ato të parashikuara nga neni 432 i KPP-së. Sipas Kolegjit Penal, gjykatat kanë argumentuar mjaftueshëm dhe në mënyrë ezauruese kushtet dhe kriteret për caktimin dhe zbatimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe proporcionalitetin e tyre.

Po ashtu, Kolegji Penal ka arsyetuar se gjykata e apelit u ka dhënë përgjigje pretendimeve në ngritura në ankimin e mbrojtësve të kërkuesit, ndërsa në vendimmarrjen e saj nuk konstatohet mosrespektim ose zbatim i gabuar i ligjit material apo procedural penal me rëndësi për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, apo me pasojë pavlefshmërinë e vendimit, pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e provave, sikundër nuk konstatohet që vendimi i saj të jetë në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

12. Në datën 29.07.2024 kërkuesi, nëpërmjet përfaqësuesve të tij, i është drejtuar Gjykatës me ankim kushtetues individual, sipas objektit të tij, i cili, pasi është plotësuar sipas kërkesave të ligjit nr. 8577/2000, është regjistruar në po të njëjtën datë.

Me vendimin e datës 17.09.2024, Kolegji i Gjykatës ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve. Ndërkohë, në datën 16.09.2024 kërkuesi ka paraqitur në Gjykatë kërkesë për përshpejtimin e shqyrtimit të gjykimit të çështjes së tij, e cila është pranuar nga Mbledhja e Gjyqtarëve me vendimin e datës 17.09.2024.

13. Pas kalimit të çështjes për shqyrtim në seancë plenare, në datën 15.10.2024, një gjyqtar i Gjykatës ka paraqitur kërkesë për heqjen dorë nga shqyrtimi i çështjes, e cila është rrëzuar nga Mbledhja e Gjyqtarëve me vendimin nr. 23/1, datë 17.10.2024. Gjithashtu, edhe kërkuesi në datën 18.10.2024 ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e këtij gjyqtari nga shqyrtimi i çështjes, e cila, po ashtu, është rrëzuar nga Mbledhja e Gjyqtarëve me vendimin nr. 24, datë 06.11.2024.

II Pretendimet në Gjykatën Kushtetuese

14. Kërkuesi, në mënyrë të përmbledhur, ka pretenduar se në caktimin e masave të sigurimit ndaj tij gjykatat kanë zhvilluar një proces jo të rregullt, në drejtim të: 14.1. Parimit të paanshmërisë në gjykim dhe të pavarësisë, pasi: (i) në aspektin objektiv gjyqtarët e GJKKO-së nuk ofrojnë garanci paanësie apo pavarësie, sepse sipas neneve 48-51 të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar Vendim i Gjykatës Kushtetuese Kërkues: Sali Berisha (ligji nr. 95/2016), të gjitha komunikimet elektronike dhe të tjera të gjyqtarëve, përfshirë edhe ato familjarëve të tyre, janë të vëzhguara.

Ky vëzhgim është i pakufizuar në kohë dhe hapësirë, kryhet pa asnjë arsye specifike, si edhe nuk monitorohet a priori ose kontrollohet a posteriori nga ndonjë gjykatë në lidhje me proporcionalitetin e kësaj ndërhyrjeje. Për më tepër, vëzhgimi realizohet nga hetuesi i telekomunikimeve që është pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), e cila varet nga Prokuroria e Posaçme, që është organi që ka kërkuar masat e sigurimit personal në rastin e kërkuesit dhe i mbron ato përpara gjykatave; (ii) në aspektin subjektiv, gjyqtarja e GJKKO-së I.GJ., që ka vendosur masën shtrënguese ndaj kërkuesit, është shkarkuar nga detyra e gjyqtares nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) në vitin 1996, kohë kur ky institucion kryesohej nga kërkuesi në cilësinë e Presidentit të Republikës.

14.2. Së drejtës së mbrojtjes efektive, pasi: (i) kërkuesi nuk është njoftuar për përmbajtjen e vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të GJKKO-së së Shkallës së Parë sipas rregullave të parashikuara nga neni 246, pika 3, i KPP-së. Në këtë mënyrë, gjykimi i verifikimit të kushteve të zbatimit të masës së sigurimit është zhvilluar pa u njohur kërkuesi me vendimin e arsyetuar me të cilin janë caktuar masat e sigurimit personal ndaj tij. (ii) GJKKO-ja e Shkallës së Parë nuk i ka dhënë kohën e mjaftueshme mbrojtësve të zgjedhur nga kërkuesi për të realizuar një mbrojtje efektive. (iii) Mbrojtësja e caktuar kryesisht nga GJKKO-ja e Shkallës së Parë, shtetasja V.T., ishte e papërshtatshme për të mbrojtur kërkuesin, për shkak të qëndrimeve të saj kundër tij në rrjetet sociale. Ajo duhej të përjashtohej si avokat i caktuar kryesisht për të njëjtin shkak që u përjashtua edhe avokati i mëparshëm i caktuar kryesisht. (iv) GJKKO-ja e Shkallës së Parë nuk e ka dorëzuar vendimin e arsyetuar sipas afatit të përcaktuar nga neni 248, pika 2, i KPP-së.

14.3. Standardit të arsyetimit të vendimit gjyqësor dhe së drejtës së aksesit, pasi: (i) Kolegji Penal nuk i ka dhënë përgjigje pretendimeve me natyrë kushtetuese të ngritura në rekurs dhe atyre që kishin të bënin me interpretimin dhe zbatimin e gabuar të dispozitave procedurale penale; (ii) në vendimin e tij Kolegji Penal nuk përdor gjuhën shqipe, por një gjuhë me terma dhe fjali të pakuptueshme, të cilat krijojnë konfuzion dhe nuk përcjellin vijimësi të mendimit logjik e juridik dhe konkluzionit të arritur, duke e bërë vendimin të pakuptueshëm; (iii) vendimet e gjykatave përmbajnë të dhëna kontradiktore, nuk janë logjike dhe nuk i kanë dhënë përgjigje shteruese pretendimeve të kërkuesit; (iv) gjykatat nuk kanë marrë parasysh asnjë nga provat dhe pretendimet e ngritura nga kërkuesi dhe nuk kanë analizuar provat e ndodhura në dosjen gjyqësore.

14.4. Parimit të proporcionalitetit, pasi gjykatat nuk kanë arsyetuar nevojshmërinë e caktimit të masave të sigurimit personal ndaj kërkuesit, duke cenuar lirinë e tij personale dhe atë të lëvizjes, të drejtën për t’u zgjedhur dhe të drejta të tjera kushtetuese. Masa e sigurimit personal ndaj kërkuesit është caktuar në shkelje të ligjit, nuk është e arsyeshme ose e nevojshme dhe është qartazi joproporcionale me qëllimin e kërkuar. Procedimi penal ndaj kërkuesit ka filluar në datën 01.12.2020, pas kallëzimit të deputetit T.B., i cili që prej vitit 2012 ka dalë publikisht me të njëjtat pretendime me ato të pasqyruara në kallëzim.

Ndërkohë kërkuesi nuk ushtron asnjë funksion në administratën publike përveç atij të deputetit. Aktet për të cilat akuzohet janë akte normative me efekt të përgjithshëm dhe nuk i drejtohen një personi apo grupi personash të caktuar. Që nga momenti i fillimit të hetimit paraprak në datën 01.12.2020, për fakte që kanë ndodhur në vitin 2012, dhe deri në datën 16.10.2023, kur është dorëzuar kërkesa për caktimin e masës së sigurimit personal, për kërkuesin nuk ka asnjë të dhënë, dëshmitar, shkresë ose indicije të largët, nga e cila të rezultojë se ai në ndonjë mënyrë ka ndikuar mbi këto akte ose të jetë përpjekur të zhdukë ndonjë prej tyre.

Gjykatat nuk arsyetojnë në vendimet e tyre se në cilën mënyrë kërkuesi ka ndikuar për ndryshimin e akteve ligjore ose nënligjore të propozuara apo miratuara prej tij, pra të ketë ndikuar mbi provat.

14.5. Kufizimit të lirive kushtetuese të kërkuesit, pasi kanë tejkaluar qëllimet për të cilat lejohet kufizimi, duke cenuar nenin 17 të Kushtetutës dhe nenin 18 të KEDNJ-së. Procedimi penal ka filluar para tre vjetësh, për fakte të cilat pretendohet se kanë ndodhur më shumë se 10 vjet më parë dhe që kallëzuesi i ka pretenduar që prej vitit 2012. Qëllimi i vërtetë i izolimit të kërkuesit ka qenë shuarja e zërit të opozitës dhe jo zbulimi i të vërtetës dhe shkaqet për të cilat janë caktuar masat e sigurimit ndaj tij kanë pasur si qëllim pengimin që ai të organizojë opozitën.

14.6. Mosrespektimit të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, duke i kufizuar kërkuesit lirinë personale dhe atë të lëvizjes, të mbrojtura nga nenet 27 dhe 38 të Kushtetutës, në kundërshtim me procedurën e parashikuar në këtë dispozitë, pa autorizim të Kuvendit. Togfjalëshi i përdorur në nenin 73, pika 2, të Kushtetutës “… t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme” nuk nënkupton, në asnjë rast, vetëm caktimin e masave të sigurimit personal “Arresti në burg” ose “Arresti në shtëpi”, por përfshin edhe masat e sigurimit personal të vendosura ndaj kërkuesit, të cilat i kanë kufizuar lirinë personale dhe të lëvizjes.

14.7. Mosrespektimit të nenit 73, pika 1, të Kushtetutës, pasi (i) kërkuesit i është kufizuar liria personale dhe e lëvizjes për fakte të cilat mbrohen nga imuniteti absolut i deputetit. Kërkuesi nuk mund të ndiqet penalisht për veprimet e kryera në ushtrim të detyrës së deputetit; (ii) ndaj kërkuesit, drejtues i opozitës parlamentare, është zbatuar një standard i ndryshëm nga ai i mbajtur në rastin e ish-deputetit të shumicës parlamentare dhe ish-ministrit S.T., ku Kuvendi ka vlerësuar se masat e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” janë masa shtrënguese të heqjes së lirisë. Interpretimi i Kuvendit në atë rast është ai që duhej të ndiqej nga gjykatat edhe në rastin e tij, pra se masat e sigurimit të caktuara ndaj kërkuesit janë masa shtrënguese të heqjes së lirisë, për të cilat duhet autorizim nga Kuvendi.

14.8. Kufizimit të të drejtave kushtetuese për veprime që nuk parashikohen nga ligji si vepër penale, pasi: (i) kërkuesi është akuzuar për miratimin e akteve normative me fuqi juridike në të gjithë territorin dhe jo për akte individuale që kanë për qëllim favorizimin e një personi, siç është rasti i bashkëshortit të vajzës së kërkuesit ose një grupi të përcaktuar personash; (ii) gjykatat nuk kanë evidentuar se disa nga ndryshimet në aktet ligjore dhe nënligjore, për të cilat kërkuesi akuzohet se i ka kryer për të favorizuar shtetasin J.M., janë bërë gjatë kohës kur në pushtet ka qenë shumica qeverisëse.

Për më tepër, nga verifikimi i ndryshimeve ligjore dhe nënligjore për të cilat akuzohet kërkuesi, evidentohet se janë pothuajse të njëjtat formulime me parashikimet e mëparshme, por edhe me parashikimet ligjore të cilat janë aktualisht në fuqi dhe që nuk janë propozuar nga kërkuesi; (iii) nuk ekziston asnjë lidhje shkakësore midis akteve nënligjore të miratuara nga organet shtetërore të drejtuara nga kërkuesi në cilësinë e Kryeministrit dhe interesave pasurorë të shtetasit J.M.; (iii) nuk rezulton të jetë vërtetuar asnjë nga elementet e veprës penale për të cilën është akuzuar kërkuesi.

Ai nuk rezulton të ketë qenë pjesë e komisionit që ka përgatitur ndryshimet e ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave” dhe as të ketë propozuar asnjëherë ligje si deputet. Edhe ndryshimet e bëra në ligjin për sportin, të cilat janë bërë edhe me mbështetjen e deputetëve të Partisë Socialiste, nuk kanë pasur ndikim dhe nuk mund të ndikonin në procesin e kthimit apo kompensimit ose në procedurat e Vendim i Gjykatës Kushtetuese Kërkues: Sali Berisha privatizimit në favor të familjes, trashëgimtar i së cilës është edhe dhëndri i kërkuesit, shtetasi J.M. 14.9. Parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi duke hetuar dhe ngritur akuza mbështetur në vlerësimin nëse dy ligje dhe vendimi i Këshillit të Ministrave kanë qenë të nevojshme apo të drejta, si dhe mbi bazueshmërinë në prova të disa akteve të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), Prokuroria e Posaçme ka marrë kompetencat e Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të zakonshme. Prokuroria e Posaçme ka vlerësuar: i) politikën sociale dhe ekonomike, pra programin e qeverisë, duke marrë kompetencat e Kuvendit; ii) nevojshmërinë, drejtësinë apo procedurën e diskutimit dhe miratimit të ligjeve e akteve nënligjore, duke marrë kompetencat e Gjykatës; iii) bazueshmërinë në ligj të vendimeve të formës së prerë të AKKP-së, duke marrë atributet e gjykatave civile; iv) qëllimet dhe përfitimet e palëve në kontrata civile, duke cenuar lirinë kontraktore. 15. Subjekti i interesuar, Prokuroria e Posaçme, në mënyrë të përmbledhur, ka prapësuar si vijon:

15.1. Pretendimi i kërkuesit për cenimin e parimeve të pavarësisë dhe paanshmërisë është i pabazuar. Kërkuesi nuk ka arritur të provojë paanshmërinë ose mungesën e pavarësisë së gjyqtarëve, si në aspektin objektiv ashtu edhe atë subjektiv, pasi: (i) ligji nr. 95/2016 ka vendosur garanci të rëndësishme gjatë procesit të monitorimit, ku oficerit përgjegjës nuk i lejohet të dëgjojë telefonatat që cenojnë të drejtën për jetë private të personave që nuk kanë dhënë miratim paraprak për vëzhgim. Ligji nr. 95/2016 e ka kaluar vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën që i është bërë në konsultimin e draftit final nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë në datën 03.10.2016. Në thelb argumentet e kërkuesit në këtë drejtim kanë të bëjnë me shfuqizimin e dispozitave ligjore. Ndërkohë që Gjykata kur vihet në lëvizje për shqyrtimin e një ligji që rishikon Kushtetutën, nuk shqyrton përmbajtjen ose përputhshmërinë e amendamenteve kushtetuese me Kushtetutën e mëparshme, por vetëm procedurën me të cilën janë miratuar këto ndryshime.

Për rrjedhojë, edhe kushtetutshmëria e dispozitave të ligjit nr. 95/2016 nuk mund të shqyrtohet nga Gjykata; (ii) për sa i përket pretendimit për paanshmërinë subjektive të gjyqtares I.GJ., kërkuesi u referohet ngjarjeve të vitit 1996, pra një marrëdhënieje të përfunduar para 27 vjetësh, për të cilat nuk ka sjellë asnjë provë në mbështetje të këtij pretendimi.

15.2. Pretendimi i kërkuesit për cenimin e së drejtës së mbrojtjes efektive është i pabazuar, pasi: (i) për vendimin nr. 112, datë 20.10.2023 të GJKKO-së së Shkallës së Parë janë kryer të gjitha veprimet për t’ia vënë në dispozicion kërkuesit, por ai ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë për të mos e marrë atë, duke refuzuar kështu njohjen me vendimin; (ii) në seancën gjyqësore të datës 24.10.2023 vendimi u është vënë në dispozicion mbrojtësve të kërkuesit, duke qenë se ata gëzonin tagrat për të marrë në dorëzim akte për llogari të kërkuesit. Mbrojtësve të kërkuesit u është lënë një kohë e mjaftueshme për t`u njohur me aktet e dosjes për të realizuar mbrojtjen e tij, por ata zgjodhën të mbroheshin duke kërkuar shtyrjen e seancës dhe nëpërmjet kërkesave të tjera procedurale; (iii) GJKKO-ja e Shkallës së Parë ka vepruar në respektim të të drejtave të kërkuesit, duke i caktuar atij edhe mbrojtës kryesisht.

15.3. Pretendimet për cenimin e standardit të arsyetimit të vendimit gjyqësor dhe të së drejtës së aksesit janë të pabazuara, pasi gjykatat i kanë kushtuar vëmendjen e duhur provave të paraqitura, analizës së tyre, bazës ligjore dhe kanë konkluduar më pas në vendimmarrjet respektive. Pretendimet e kërkuesit kanë marrë përgjigje të arsyetuar nga gjykatat dhe vendimi për caktimin e masës së sigurimit përmban të gjitha elementet e përcaktuara në nenin 245 të KPP-së. Edhe vendimet e GJKKO-së së Apelit dhe Gjykatës së Lartë i përmbajnë elementet për arsyetimin e tyre dhe vendimet e kundërshtuara janë logjike, nuk kanë kundërthënie, si dhe përmbajnë referenca në ligjin e zbatueshëm. 15.4. Edhe pretendimi për cenimin e lirisë personale, në kundërshtim me nenet 27 dhe 38 të Kushtetutës, është i pabazuar, pasi nga leximi i neneve 27 dhe 28 të Kushtetutës konstatohet se bëhet fjalë për burgosje të individit ose heqje të lirisë në kuptimin e kapjes së tij.

Neni 73 i Kushtetutës nuk ka si qëllim mbrojtjen e çdo lloj lirie, pasi kjo do të binte në kundërshtim me atributet e tjera për të cilat prokurorisë i është lejuar të veprojë pa autorizim të Kuvendit. Autorizimi i Kuvendit kërkohet vetëm në rast se kërkohet “Arresti në burg” ose “Arresti në shtëpi” dhe jo për çdo lloj heqje lirie të mundshme të personit nën hetim. Termat “në çfarëdo lloj forme” nuk nënkuptojnë “çfarëdo lloj lirie”. Në rastin e ishdeputetit dhe ish-ministrit S.T., Prokuroria e Posaçme nuk ka kërkuar të njëjtat masa sigurimi si në rastin e kërkuesit, por ka kërkuar autorizim për arrestimin e tij, duke mos qenë para rasteve të njëjta. Masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” e vendosur ndaj kërkuesit nuk e ka kufizuar në lirinë e lëvizjes brenda Vendim i Gjykatës Kushtetuese Kërkues: Sali Berisha territorit, pjesëmarrjes në Kuvend apo komisione parlamentare, si dhe kryerjen e të gjitha aktiviteteve të tij personale.

Ky ndalim nuk është vendosur në atë masë që të barazohet me heqjen e lirisë. 15.5. Pretendimet për kufizimin e lirisë personale dhe të lëvizjes për fakte të cilat ai gëzon imunitet, sipas nenit 73, pika 1, i Kushtetutës janë të pabazuara, pasi kërkuesi nuk është ngarkuar me përgjegjësi penale vetëm se ka miratuar ligje apo akte nënligjore, por për faktin se sjellja e tij ka pasur si qëllim dhe motivim realizimin e objektivave të kërkuar nga subjekti aktiv i mitës dhe jo në funksion të ushtrimit të detyrës që i është besuar. Këto objektiva në një pikë përputhen edhe me ato të dhëndrit të tij si trashëgimtar i familjes në favor të cilës është kthyer prona, me qëllim shtënien në dorë të mitës, përfitimit të premtuar. Ai ka ushtruar pushtetin e tij në mënyrë të paautorizuar, duke i dhënë formën që ka dëshiruar ligjeve dhe akteve nënligjore për t`ia përshtatur interesave të familjes së tij.