Autori po lëvizte me motor, qëlloi me pistoletë në drejtim të automjetit dhe u arratis! Për kë ishin nisur plumbat në Shkodër? Pronari i makinës ndodhet në burg, ja për çfarë akuzohet
Shtetasi Elvis Hoxha automjeti i të cilit u qëllua mbrëmjen e sotme me plumba në lagjen Partizani të Shkodrës ndodhet në burg për veprën penale “dhunë në familje”.
Që prej kohës që ai është futur në burg, automjeti i tij ndodhej i parkuar në sheshin Rus në Shkodër.
Burime bëjnë me dije se autori dyshohet se ka shkuar në vendngjarje me një motor dhe pasi ka qëlluar është larguar në drejtim të paditur.
Policia po punon për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e tij.
Përmes një njoftimi zyrtar policia tha më herët se ka ngritur pika kontrolli për të bërë të mundur kapjen e autorit dhe bashkëpunëtorit, pasi dyshohet se autori ishte në motor me një person tjetër i cili drejtonte motomjetin.
NJOFTIMI
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 20:10, në lagjen Partizani, në Sheshin Rus, nga një person që qarkullonte me një motomjet pa targa është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip Peugeot të parkuar, në pronësi të shtetasit E. H.
Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale në automjetin e shtetasit E. H., si dhe dëmtime të lehta dhe në një automjet të parkuar afër automjetit tip Peugeot.
Pas marrjes së njoftimit shërbimet e Policisë dhe Grupi Hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit dhe të drejtuesit të motomjetit që lëvizte autori.
Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrohen kontrolle në zonë dhe ambiente të ndryshme ku dyshohet se mund të jenë fshehur autori dhe bashkëpuntori i tij, drejtuesi i motomjetit.