Qeveria e përkohshme siriane do rrisë 400% pagat në sektorin publik
Ministri i Financave në Siri, Mohammed Abazeed, ka thënë të dielën se Qeveria e përkohshme do t’i rrisë pagat për 400 për qind në sektorin publik në muajin tjetër, pas kompletimit të ristruktimeve nëpër ministri, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies.
Kjo rritje, që besohet se do të kushtojë 127 milionë dollarë, do të financohet nga burimet ekzistuese shtetërore, si dhe një kombinim i ndihmës rajonale, investimeve të reja, dhe përpjekjeve për të pasur qasje sërish në asetet siriane të ngrira jashtë shtetit.
“Ky është hapi i parë drejt zgjidhjeve emergjente në realitetin ekonomik aktual në shtetin tonë”, ka thënë Abazeed, për agjencinë e lajmeve Reuters.
Ai ka thënë se pagat e këtij muaji do të dalin javën që vjen.
Qeveria e përkohshme e Sirisë, në krye me liderin de facto, Ahmed al-Sharaa, është krijuar pas rrëzimit të regjimit brutal të Bashar al-Assadit, i cili ka qenë me dekada në pushtet.
Regjimi i Assadit është rrëzuar nga grupi Tahrir al-Sham (HTS), pasi gati 14 vjetësh luftë civile, si pasojë e së cilës janë vrarë mbi 500.000 njerëz dhe janë zhvendosur miliona tjerë.
HTS është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Assadi dhe familja e tij janë në Rusi, pas azilit që u është miratuar direkt prej presidentit rus, Vladimir Putin./REL