Tue, Jan 7, 2025

“Tigri 1 dhe 3, krimet intelektuale që zhyten vendin në terr!”- Qytetet kryesore të Shqipërisë pa energji elektrike, Blushi: Shkak korrupsioni

  • PublishedJanuary 5, 2025

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar lidhur me gjendjen e qyteteve kryesore të Shqipërisë, të cilat ndodhen në mungesë të energjisë elektrike.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Blushi shkruan se digat janë plot, por shkak i mungesës elektrike bëhet korrupsioni.

Sipas tij, “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, referuar dy termocentraleve lundruese në Vlorë, “hanë” miliona euro dhe ende nuk arrijnë të prodhojnë asnjë kilovat energji.

Blushi i cilësoi këto termocentrale si “krime intelektuale”, të cilat i referoi gjithashtu dhe si shkaktare të ndërprerjes së energjisë elektrike.

“Shqiptarët në errësirë, SPAK-u “ndriçon” si yll në fanarin e Partisë dhe “ngrohet” nën sqetullën e Edi Ramës dhe Qeverisë.”, e mbyll Blushi postimin e tij.

Sakaq, OSHEE nuk ka reaguar lidhur me gjendjen e këtyre qyteteve, por burime pranë OSHEE-së bëjnë me dije se ka rënë linja e OST Fier dhe Elbasan. Gjithashtu mësohet se ka pasur një defekt të rëndë në një linjë të tensionit të lartë në zonën e Beratit.

Nuk dihet ende se cili ka qenë shkaku që ka shkaktuar defektet në linjat përkatëse, si dhe ende nuk dihet se sa do të zgjasë situata pa energji elektrike. Me përcaktimin e defektit pritet që furnizimi të kalojë nga linjat dytësore.

Postimi i plotë:

Shqipëria në terr për shkak të korrupsionit!
Digat plot dhe energji elektrike nuk ka!
Miliona euro investime për rrjetin energjitik dhe gjysma e vendit në errësirë totale.
Qindra milion euro hanë “Tigri 1” dhe “Tigri 3” (dy TEC-e lundruese në Vlorë) dhe ende nuk prodhojnë asnjë kilovat energji.
Këto janë “krimet intelektuale” që e kanë zhytyr sot vendin në terr.
Shqiptarët në errësirë, SPAK-u “ndriçon” si yll në fanarin e Partisë dhe “ngrohet” nën sqetullën e Edi Ramës dhe Qeverisë.