Ministria e Brendshme publikon listën paraprake të zgjedhësve
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, deklaroi të hënën se 3,721,116 shqiptarë do të kenë të drejtë për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen më 11 maj.
“50.5% janë zgjedhës meshkuj dhe 49.5% janë femra,” u shpreh ministri në një deklaratë për mediat, duke shtuar se në listën e zgjedhësve nuk janë përfshirë “4,536 shtetas, të cilët janë mbi 100 vjeç, që mbushin apo kanë mbushur këtë moshë deri më 11 maj 2025.”
Sipas tij, këta shtetas, për të siguruar të drejtën e votës, do të duhet të paraqiten pranë zyrave të Gjendjes Civile për t’u përfshirë në listën e zgjedhësve.
Për herë të parë, më 11 maj do të mund të votojnë edhe të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, ku këtë të drejtë mund ta ushtrojnë pa udhëtuar drejt Shqipërisë. Pavarësisht këtij fakti, ende nuk dihet numri i shtetasve shqiptarë që do të votojnë nga jashtë.
Ministri Hoxha u zotua se “kjo listë paraprake do të jetë publike më 9 mars 2025 dhe çdo shtetas do të ketë në dispozicion 48 orë për të shprehur vullnetin përfundimtar nëse duan të votojnë brenda apo jashtë Shqipërisë.”
Për t’i paraprirë problematikës së skadimit të dokumenteve të identifikimit, Hoxha, teksa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të rinovojnë kartat e identitetit apo pasaportat, njoftoi se “prej disa javësh, është miratuar udhëzimi që lejon aplikimin qoftë edhe për një dokument identifikimi në zyrat tona konsullore.”
Ministri theksoi se aktualisht numri i përgjithshëm i qendrave të votimit brenda limiteve është 5,050 dhe u bëri apel kryetarëve të bashkive që të angazhohen për vendimmarrje për qendrat e votimit që janë jashtë limiteve, me më shumë se 1 mijë zgjedhës apo më pak se 300 të tillë.
Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme, së bashku me Ministrinë e Drejtësisë, kanë miratuar një akt të përbashkët për pastrimin e listave nga shtetasit që ligji për dekriminalizimin i përjashton nga e drejta e votës, si dhe hapjen e qendrave të votimit në institucionet e vuajtjes së dënimit.