Tue, Jan 7, 2025

Pjesëmarrja e gruas në politikë

  • PublishedJanuary 6, 2025

NGA MIMOZA DAJÇI 

Si në Shqipëri dhe në Kosovë priten të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare. Shpresojmë që në të dyja institucionet shtetërore rol të rëndësishëm të marrë edhe përfaqësimi i grave dhe vajzave shqiptare. Referuar Institutit të Demokracisë në Kosovë mbi fuqizimin e gruas në politikë dhe vendimmarrje Kosova ka arritur që legjislacionin e saj ta ndërtojë bazuar në standardet e barazisë dhe diversitetit, si vlera për të respektuar dhe promovuar të drejtat dhe liritë e njeriut. Megjithatë, përqindja e ulët e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje nuk përkon me përqindjen e grave në shoqëri.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që kuotat gjinore prej së paku 30% në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme janë në përputhje me Kushtetutën. Ky vendim erdhi pas shqyrtimit të kërkesës së Avokatit të Popullit, i cili kishte ngritur pretendime për cenim të barazisë gjinore dhe të drejtave zgjedhore. Ndërkohë qeveria shqiptare ka hedhur idenë e një ligji të ri për barazinë gjinore, ku në organet vendimmarrëse, sektorin privat deri në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësimi i femrës të jetë në kuotën 50%. Por drafti i këtij ligji është akoma i papërfunduar, pasi ekspertët e ligjeve dhe përfaqësues të OJQ ndërkombëtare janë akoma duke punuar sipas rekomandimeve të OKB-së. Gjithashtu, ky ligj pritet të kërkojnë barazi gjinore edhe në këshillat bashkiakë.

Theksoj me këtë rast se gratë aktiviste në SHBA kanë kërkuar që përfaqësimi në politikë dhe vendimmarrje i gruas në Shqipëri të arrijë kuotën 50 me 50, gjë që është pasqyruar shpesh herë edhe në mediat shqiptare. Por Kodi i ri Zgjedhor, me listat pjesërisht të mbyllura nuk e lehtëson përfaqësimin e grave as në kuotën 30% veçanërisht në qarqet e vogla, aq më tepër kur flitet për barazinë gjinore. Nëse vetë gratë synojnë të arrijnë pozicione të larta partiake politike, duhet të angazhohen edhe në jetën shoqërore e sociale, pasi kështu do të kemi fuqizimin e grave dhe vajzave në të gjitha sferat e jetës. Vetë gratë duhet të mbështesin gratë edhe në procesin elektoral. Për të pasur barazi gjinore në jetën politike dhe ekonomike të vendit duhet të fokusohemi edhe tek emancipimi i gruas, por të mos harrojmë se edhe sot, si në Shqipëri edhe në Kosovë nëse gruaja nuk ka mbështetjen e përkrahjen e bashkëshortit, si e vetme në “detyrimet” familjare i mbetet shumë pak kohë ose aspak për angazhimin e saj edhe në jetën politike.

Në një konferencë ndërkombëtare mbajtur për gratë në New Jork, shije të hidhur la mosprezantimi i lëvizjes feministe në Kinë nga një femër, por nga një përfaqësues i diplomacisë kineze në SHBA. Mes të tjerave, ai tha se gratë e vajzat në Kinë kanë një sferë më të lartë zhvillimi krahasuar me meshkujt dhe arritjet e tyre janë më të suksesshme se sa burrat. Por mënyra se si paraqiti aspektin femëror në atë takim na çuditi, pasi kur po flitej pikërisht për gratë e të drejtat e tyre, aty mungoi zëri e prania e gruas kineze. Fakte këto që flasin qartë mbi diferencimin e madh gjinor që ndodh në Kinë midis gruas dhe burrit.

Gjithashtu në konferencë u fol edhe për rolin dhe fuqizimin e gruas në botë, pasi gratë luajnë një rol kyç, jo vetëm në familje dhe edukimin e fëmijëve, por janë edhe një zë i fuqishëm për paqen e demokracinë në botë. Por, edhe në Shqipërinë postkomuniste, nëse në familjet shqiptare nuk ndalet dhuna ndaj grave, nëse meshkujt nuk ndajnë përgjegjësitë bashkëshortore dhe nuk shkëputen nga tiparet patriarkale, roli i saj si lidere në politikë dhe vendimmarrje do të jetë tepër i vështirë. Megjithëse Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar arritje të rëndësishme të përfaqësimit të grave në politikë, përsëri vazhdojmë të kemi njëanshmëri të barazisë gjinore.

/Gazeta Panorama