Do japë dëshminë e tij para Prokurorëve të Posaçëm, reagon Meta në rrjete sociale dhe tregon vendodhjen e tij: Mezi pres të takohem me “kolegët” e…
Kreu i Partisë i Lirisë, Ilir Meta, i cili do të duhej të paraqitej në ambientet e SPAK-ut në orën 10:00 të ditës së sotme, për tu marrë në pyetje në lidhje me dosjen CEZ-DIA, ka treguar vendndodhjen e tij duke u shprehur se ndodhet ende në qeli.
Sipas tij, lajmërimi për të dhënë dëshminë para Prokurorëve të Posaçëm nuk e ka marrë përmes procedurave ligjore, por përmes mediave.
Sakaq, Genc Gjokutaj, avokati i Ilir Metës, ka mbërritur në ambientet e SPAK për të qenë i pranishëm në marrjen e pyetjeve të klientit të tij.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Meta shkruan se “Mezi po pres të takohem me “kolegët” e megahajdutëve të regjimit më të korruptuar në kontinent dhe pas seancës reciproke të pyetjeve në SPAK, jam i hapur t’u përgjigjem pyetjeve të gazetarëve.”
Postimi i plotë:
Rreth 15 minuta më parë mediat e regjimit mashtruan duke pretenduar se unë kam hyrë në ambientet e SPAK. Nuk është e vërtetë.
Unë akoma jam në qelinë Nr.5, i gatshëm që në ora 10:00 për të shkuar në SPAK edhe pse lajmërimin e kam marrë nga mediat e regjimit dhe jo sipas procedurave ligjore.
Mezi po pres të takohem me “kolegët” e megahajdutëve të regjimit më të korruptuar në kontinent dhe pas seancës reciproke të pyetjeve në SPAK, jam i hapur t’u përgjigjem pyetjeve të gazetarëve.