Wed, Jan 8, 2025

NATO nuk na zgjodhi se fillojmë me “A(Albania)”

  • PublishedJanuary 7, 2025

NGA FATOS ÇOÇOLI 

Që nga themelimi i Aleancës së Atlantikut Verior (NATO) në vitin 1949, janë zhvilluar nëpër botë 33 takime të nivelit më të lartë (samite). Duke filluar nga i pari në vitin 1957 në Paris të Francës dhe duke përfunduar me të fundit më 9-11 korrik 2024 në Uashington D.C. të SHBA-ve, këto samite të NATO-s janë zhvilluar kryesisht në vende anëtare të mëdha të Aleancës, në Francë, Belgjikë, Gjermani, Britani e Madhe, Poloni, Spanjë, SHBA etj.. Përjashtim bën vetëm takimi i nivelit më të lartë, i zhvilluar më 11-12 korrik 2023 në Vilnius të Lituanisë. Dhe kuptimi pse dy vjet më parë u zgjodh pikërisht ky vend i vogël anëtar ishte i plotë dhe i qartë: Putin, pas agresionit ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022, as të mos e mendojë që të sulmojë vendet e vogla anëtare të NATO-s në kufi me Rusinë, si Estonia dhe Letonia, apo aty afër si Lituania.

Po ashtu, përzgjedhja e Turqisë si vend organizator i samitit të NATO-s për vitin 2026 është kuptimplotë edhe ajo. Kjo, pasi Turqia, ky vend i madh anëtar i NATO-s dhe me ushtri të konsiderueshme, pas krizës së fundit në Lindjen e Mesme dhe shpërbërjes së diktaturës së përgjakshme të Bashar Al-Assad në Siri, ka një influencë të shtuar në këtë zonë kaq të trazuar dhe kyçe të botës. Është mëse e kuptueshme që NATO mbështet pozicionin e Turqisë jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe ofrimin disa herë të saj si garante për një paqe të mundshme në konfliktin në Ukrainë. Duke parë këta faktorë dhe këtë histori të samiteve të NATO-s në këto 75 vite të ekzistencës së saj, të lind natyrshëm pyetja: pse u zgjodh Shqipëria për samitin e 36-të të saj në vitin 2027? Pse NATO zgjodhi pikërisht vendin tonë, një nga vendet anëtare më të vogla të saj? Në plan të parë, duket si një pyetje-enigmë, por nuk është ashtu. Arsye ka boll dhe ato janë që të gjitha të qenësishme dhe kokëforta.

Së pari, që nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO më 1 prill 2009 dhe shumë vite edhe më përpara, vendi ynë ka përbërë në mënyrë të qëndrueshme një pikë të fortë paqeje në rajon. Nga Shqipëria nuk ka ardhur asnjë provokim apo ngacmim kufijsh për vendet fqinje. Në të kundërt, qeveritë e vendit tonë kanë ndjekur gjithnjë një politikë afrimi dhe miqësie me vendet e tjera të rajonit, pa iu larguar qëndrimit mburojë ndaj ndikimit rus. Kjo është vlerësuar dhe vlerësohet fort nga strategët e NATO-s.

Së dyti, vendi ynë është një vend anëtar që e ka rritur ndjeshëm kontributin për shpenzimet ushtarake në vitet e fundit, brenda buxhetit të tij modest të shtetit.

Së treti, Shqipëria dhe kryeqyteti i saj, Tirana, është shndërruar në dy vitet e fundit në një hapësirë të zakonshme tashmë, mbledhjesh të nivelit më të lartë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit e me radhë.

Së katërti, me reformën e fortë në drejtësi, të nisur tetë vite më parë, Shqipëria ka forcuar shtetin e saj të së drejtës në rajon. Me fjalë të tjera, veprimtaria e SPAK në tri vitet e fundit është një arsye më shumë, pse Shqipëria u zgjodh vend organizator i Samitit të NATO-s për vitin 2027.

Së pesti, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s është zgjedhur kohët e fundit ish-kryeministri i suksesshëm i Holandës, Mark Rutte, një mbrojtës i vendosur i përparimit të Shqipërisë dhe i rrugës së saj për në Bashkimin Evropian. Nga një skeptik gati i pandreqshëm për vlerat e vendit tonë në familjen e madhe evropiane, Rutte, është kthyer në një tifoz të madh të integrimit të Shqipërisë. Dhe kjo nuk është pa rol në përzgjedhjen e Shqipërisë, pasi sekretari i përgjithshëm i NATO-s është një figurë shumë e rëndësishme e Aleancës.

Dhe së gjashti, por jo së fundmi, për nga rëndësia, mes tri vendeve të vogla të rajonit tonë, anëtare të NATOS, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, vendi ynë është i vetmi që ka depërtim dhe influencë të Rusisë së Putinit pothuajse zero. Prandaj dhe për këto gjashtë arsye kokëforta dhe për këtë përzgjedhje të NATO-s, duhet të jemi krenarë dhe të ndërgjegjshëm të gjithë.

Që nga ne si qytetarë të thjeshtë, deri te të gjitha partitë tona politike. Dhe nuk është se ndër tri vendet tona të vogla të rajonit, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, vendi ynë u zgjodh se emri i tij ndërkombëtar fillon me “A(Albania)!”. Njëlloj si nga 1 prilli 2009, na ndihmoi shumë futja në NATO për investimet e mëdha ndërkombëtare të asaj kohe, si TAP dhe hidrocentralet e Devollit të gjigandit norvegjez Staatkraft, është gjë e sigurt se përzgjedhja e Shqipërisë nga NATO si vend organizator i mbledhjes së saj më të rëndësishme për vitin 2027, do t’i japë vendit tonë një kartë akoma dhe më garantuese e të sigurt për investuesit e huaj. Imazhi i vendit tonë si vend i vogël dinjitoz i NATO-s dhe në rrugë të pandalshme drejt një anëtarësimi të shpejtë në Bashkimin Evropian po rritet ndjeshëm.

Gazeta Panorama