Thu, Jan 9, 2025

Përse deputeti bën sikur nuk i di problemet e komunitetit?!

  • PublishedJanuary 8, 2025

NGA PROF. DR. ELMAS LECI 

Shohim shumë herë që deputetët, në emisione apo biseda televizive, thëniet e tyre (deputetit të rastit nuk po ia them emrin se pothuaj të njëllojtë rezultojnë) janë ndryshe me njohjen e gjendjes në komunitetin lokal. Pyetja bëhet: “Përse ndodh kështu”?! Një përgjigje mund të jetë: “Ndoshta kaq dinë?! Por mundet edhe kaq të thonë?! Apo është ajo se, kaq u kanë thënë të deklarojnë”?! Mendoj pa asnjë paragjykim, por edhe pa asnjë ekuivok e pa diskutim se është kjo e fundit: Kaq u kanë thënë të thonë në televizion! Po e ilustroj me shembuj për ta bërë sa më të asimilueshme çështjen:

Fliste në një stacion televiziv një deputet, fliste për shkollën, për studentët etj., etj., dhe thoshte se, “nuk është e vërtetë që ka rënie të numrit të studentëve në auditorët e universiteteve tona”?! Qytetarët thonë ndryshe nga ato që thoshte deputeti. Le ta zëmë për një moment se është siç tha në këtë rast deputeti i maxhorancës (që nuk është ashtu dhe këtë opinioni e di mirë), por ndjesë për një çast për diçka që do tregoj më poshtë, duke e humbur pak modestinë, ndonëse do them një të vërtetë për sektorin universitar, pasi kam qenë dy herë dekan fakultetesh dhe dy herë rektor universitetesh, e këto detyra i kam pasur në institucione arsimore shtetërore e në ato private, por ngjasia e fundit, e cila më ka stresuar shumë për arsye se në lektimin e lëndës “Histori e Marrëdhënie Ndërkombëtare”, si në auditor si edhe në regjistër, kisha 80 vajza dhe vetëm 1 djalë. Pozitive që vajzat studiojnë masivisht në universitete, por pyetja ngrihet: Po djemtë ku janë?! Përgjigja tashmë është ngado: Kanë çarë ferrën, tamam të nderuar miq, kanë çarë ferrën. Kanë ikur nëpër botë.

Thagmë! Gjëja është edhe më e thjeshtë. Shifrat e të regjistruarve në universitet në Gjirokastër, në Vlorë etj., bërtasin sa çirren se numri i studentëve ka pësuar rënie drastike. Kjo s’do mend që vjen nga “përzënia” e të rinjve nga Shqipëria. Kësaj pyetjeje që deputeti i bëri bisht, a thua se ai nuk e di?! Por, nëse nuk do ta thotë, siç e njeh çështjen i gjithë opinioni, përse bën sikur nuk i di?! E qartë se është veprimi i tij me regji, ajo që nuk e lejon deputetin të thotë të vërtetën. Po a e shfajëson kjo deputetin para opinionit, apo e rëndon?! Duke fshehur fenomenin, ai deputeti ynë, humb edhe atë pak reputacion që mund t’i ketë mbetur. Dhe siç rezultoi në intervistë, deputeti bëri sikur “nuk e dëgjoi” se për çfarë po pyetej dhe u hodh në “rezultatet” e qeverisjes së tij si psh., në hapjen e degëve të reja në universitete si mjekësia me infermierinë në Elbasan e gjetkë, pa pasur frikë se po ua “fuste” taksapaguesve, të cilët në të vërtetë paguajnë vlera monetare, se paguan ky popull fukara, për të përgatitur specialistë për vendet e tjera. Dhe ajo që i vuri “kapakun” dmth., fjalës së deputetit tonë që bënte “mu” se ishte me regji, ishte fjala e tij që lidhej me arsimin në fshatra anekënd Shqipërisë, ku në këtë çështje ai na doli “aut” fare, kur dihet tashmë se te ne ka zona të tëra që fëmijët nuk shkojnë fare në shkollë për arsyet e mosarsyeve të arsyes se “nuk ka kambanë”.

Ose për pyetjen, që i u bë deputetit tonë për edukimin e fëmijëve, për masën e fundit qeveritare për “ndalimin e TikTok-ut”, masë të cilën deputeti ynë me shkollë të lartë universitare e konsideronte rregullatorin fundor të problemit kriminal dmth., bënte “thirrje” se për aksidentet në rrugë e kanë fajin makinat. Ahere me logjikën e tij, hajde t’i ndalojmë makinat ose le të prishim rrugët që të mos kemi aksidente. Këto janë logjika anormale. Të jetë vërtet rregullatori i plotë ndalimi i “TikTok”-ut për përmirësimin e gjendjes në shkolla?! Kështu na del se “TikTok”-u na qenka kryesori i fenomenit të zënies agresive të nxënësve?! Po të qe kështu, opinioni do të ishte shumë optimist. Përse e them këtë?! Se e tha vetë deputeti “që në shkollat tona kemi edhe një seri masash të tjera parandaluese (që sipas tij do t’i shtojmë me mësues të përgatitur, me më shumë psikologë e sociologë, me më oficerë sigurie), plus tha deputeti edhe me mbylljen e “TikTok”-ut, ky shqetësim, gjithnjë sipas tij, hidhet tej për tej. Mirëpo gazetari na iu kundërpërgjigj e jo padrejtësisht se “kur i paskemi të gjitha këto gjëra, siç thoni ju zoti deputet, përse na ndodhin këto shfaqje të papara-vrasjet makabre”?! Këtu deputeti mbeti pak ngushtë, por e “zgjidhi” në sekondë, duke u shprehur se “prandaj Kryeministri e ndaloi ‘TikTok’- un, se ai si shpikje na i mëson kalamajtë të vrasin njëri-tjetrin”.

“Ah teknikë-teknikë moderne na more në qafë, ti na i ke fajet”, – dëgjova një aty afër meje të shfrynte. “Çfarë ke i nderuar mik? -i them. Çfarë të kem e çfarë të them”! – më përgjigjet. Mu kujtuan dy ngjarje nga koha e kaluar e atij largqoftit, kur sajoi në Shkollën e Mesme në Durrës, ngritjen e nxënësve të saj kundër fesë, një trillim i tërë, por që partia tha se “u ngrit rinia kundër besytnive fetare” dhe çështja e stisur mori dhenë e feja u ndalua, “rezultat i zërit të masave popullore”. Dhe ngjarja e dytë (ka plot ai i mallkuar sistem), repertitorët që njerëzit e Shqipërisë të mos shikonim televizionet e huaja, për të cilët regjimi satanik vuri zhurmues se “stacionet e huaja na infektonin rininë”. Koha tregoi se ishin masa koti dhe populli i hodhi në koshin e plehrave. Tani më thuaj ç’është populli kur manipulohet si ne regjimin e kaluar. A mos duam edhe sot të shkojmë me manipulime?! Tjetërkund është e tjetër kund duhet kërkuar kjo situatë or mik!,- e mbylli bisedën “miku” im i rastësishëm.

Nga e gjithë ajo bisedë apo ai emision televiziv bërë nga deputeti maxhoritarë, (kur ata arrijnë të “penetrojnë” në televizione se në më të shumtën e rasteve të ftesave televizive, e kanë të pamundur të shkojnë) kuptohet se dha dy paraqitje. Një, që deputeti përpiqej ta zbukuronte realitetin dhe një tjetër që synonte ta fshihte atë, këto dy tendenca në të njëjtën kohë. Janë të këqija të mëdha, që po t’i kuptojnë drejt deputetët (po flitet për jashtë porosive nga qendra), do ishte më mirë sepse deputetët ashtu siç duhet, do ishin më njerëzor me zgjedhësit por edhe me opinion e gjerë të komuniteteve. Nga e gjithë rezymeja për deputetin, i cili duket se ose nuk i njeh problemet e komunitetit (vështirë se besohet) ose i fsheh duke i larguar me “argumentime ajrore” (për të mos thënë me gjerë, stad për të gjithë deputetët) rezulton se secila të jetë, qoftë e para, qoftë e dyta ( më mirë i dinë vetë se cila qëndron) janë shpërdorime të mëdha të besimit të zgjedhësve, që aktualisht të zgjedhurit nuk duan ta kuptojnë, mjafton që për ta e mbi të gjitha qëndron karrigia dhe përkatësia politike.

* Drejtor ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

/Gazeta Panorama