Thu, Jan 9, 2025

A janë fitoret personale të z. Berisha, fitore të PD?

  • PublishedJanuary 9, 2025

NGA REDI SHEHU 

Pas triumfit teatral të zbritjes nga kati i tetë në të parin, pra të daljes nga arresti shtëpiak, z. Berisha duket se u përball me prishjen e festës. Gjyqtari Engert Pëllumbi i Gjykatës së Posaçme të Apelit vendosi që masa “Detyrim paraqitje” të ngelë akoma në fuqi për kreun e demokratëve, çka solli një uragan sharjesh e fyerjesh personale, familjare, bindjesh etj. të Berishës dhe lidershipit demokrat ndaj gjyqtarit. Një veprim i tillë jo vetëm që është tërësisht i refuzueshëm, por edhe një alarm i fortë i faktit se si mendësia komuniste e armikut të klasës që duhet dehumanizuar tërësisht, është akoma prezente në një forcë dhe lider që pretendon të marrë pushtetin. Sulmet personale ndaj gjyqtarit Pëllumbi, integriteti, profesionalizmi i të cilit është gjerësisht i njohur, që me dënimin e Saimir Tahirit, dhe dënimeve ndaj deputetëve të tjerë, tregojnë se sa afër banales ka rrëshqitur politkbërja jonë. Në kohën kur deputetë apo edhe gjyqtarë të ndryshëm shkonin në zyrat e tyre me mjetet më luksoze, ky gjyqtar përdorte transportin publik duke treguar qartazi refuzimin e tij për t’u bërë pis në këtë kënetën tonë politiko-juridike.

Pas 333 ditësh në arrest shtëpie, për shkak se nuk pranonte masën “Detyrim paraqitje”, sot ai shfaqet përpara ambienteve të SPAK me një koreografi militantësh, të cilët duke u shfaqur përpiqen të fshehin atë që të gjithë e dinë, rrudhjen e partisë më të madhe opozitare. Pranimi nga ana e z. Berisha që të paraqitet në datat e kërkuara nga SPAK, tregon për një njohje zyrtare të këtij autoriteti dhe institucioneve të drejtësisë së re. E gjithë paraqitja e tij përballë kësaj drejtësie, e kthen atë një vit më parë në pikën zero duke i dhënë rrugë absurditetit të radhës ku nga njëra anë pranon të paraqitet përballë SPAK, dhe nga ana tjetër proteston kundër tij. Në fakt, absurditeti është metafora e gjithë sipërmarrjes së tij tre vjeçare për të rimarrë partinë.

Personalisht z. Berisha nuk duket se është edhe aq keq në aspektin politik. Ai ka arritur disa fitore personale gjatë këtij trevjeçari. Ia doli të eliminojë politikisht z. Basha, ka marrë kreun, vulën dhe logon e partisë me vendim gjykate, dhe së fundmi, triumfoi të zbresë nga kati i tetë i izolimit ë trotuaret e Tiranës si njeri i lirë. Pyetja që i del gjithkujt e që mendon për zgjedhjet e majit 2025 është se, sa janë fitoret personale të z.Berisha fitore të Partisë Demokratike? Na duhet një e dhënë empirike, e cila të na faktojë këtë tezë. Për hir të së vërtetës kjo është edhe teza kryesore e mbështetësve të z. Berisha e cila përmblidhet në faktin se fitoret personale të tijat janë automatikisht edhe fitoret e Partisë Demokratike, votuesve të saj si dhe të gjithë shqiptarëve. Duke lënë mënjanë të gjitha mendimet, opinionet, analizat si dhe emocionet politike, e vetmja e dhënë empirike që do të na provonte këtë tezë janë sondazhet. Në mesin e skepticizmit ndaj sondazheve të komisionuara politike, duhet të marrin ato të organizuara nga barometri i cili ka kaluar disa herë testin e vërtetësisë së tij. Sipas këtyre sondazheve del se mbështetja për Partinë Demokratike nuk i kalon 26-29% gjatë këtyre dy viteve të fundit duke na lënë të kuptojmë se edhe pse z. Berisha ka triumfuar në disa beteja personale, ato nuk kanë ndikuar në përceptimin e shqiptarëve si rritje e mbështetjes për PD-në. Jo vetëm kaq, por edhe nëse do të merrnim tubimet apo mosbindjen civile si njësi matëse e fitores së mundshme të PD-së, përsëri ato flasin për një realitet krejt të kundërt.

Në mesin e shqetësimit që secili shqiptar opozitar ka për një opozitë të fortë në mënyrë që t’i bëjë presion mazhorancës, na del edhe pretendimi se kështu i bëhet opozitë opozitës. Në fakt, këta harrojnë që i pari që i ka bërë opozitë opozitës është vetë z. Berisha, i cili ndërmori nismën më opozitare ndaj opozitës. Si Foltorja ashtu edhe Rithemelimi janë veprimet më opozitare ndaj opozitës, për të shkuar tek sulmi i 8 janarit, i cili përfaqësoi edhe manifestimin më të dhunshëm në kufijtë e kriminales të të bërit opozitë ndaj opozitës. A nuk e bëri këtë z. Berisha me pretendimin se me opozitën e asaj kohe nuk mundej Edi Rama? A nuk e bëri z. Berisha dhe gjithë opozitarët e opozitës me pretendimin se duhej ndërruar lidershipi i asaj kohe i PDsë për një opozitë më të mirë? Perse u dashka që ekskluzivi tetin e të bërit opozitë të opozitës ta ketë vetëm z. Berisha? Të njëjtat motive që Foltorja dhe Rithemelimi kishin, të njëjtat motive ka secili sot që mendon se me opozitën e z. Berisha nuk fitohet ndaj Edi Ramës.

Sot, në anën e kundërt me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste ndodhen dy popuj. Populli opozitar dhe populli demokrat. Që populli opozitar të njësohet me popullin demokrat duhet të ndodhin disa gjëra. Së pari, duhet një perceptim i përbashkët i këtyre dy masave mbi fitoren politike, dhe mbi lidershipin që do të çojë drejt kësaj fitoreje. Së dyti, duhet që opozita nëse nuk do që ti bëjnë opozitë, duhet të dalë përtej së ekzistuarit vetëm si nocion apo simbolikë opozitare drejt ndryshimit të realitetit politik. Aq sa e konsumuar dhe e degraduar është mazhoranca këto tre mandate, po aq e vjetëruar dhe e degraduar është PD-ja për t’i marrë pushtetin asaj, për shkak se lidershipi demokrat përfaqëson Tranzicionin 2.0 me figurat e 2013-tës. Ato të rinj që janë aty, një pjesë e mirë e tyre janë bijtë e emrave të vjetër të PD-së. Së treti, opozita sot bën protesta prej pothuaj tre vitesh, të cilat nuk kanë sjellë atë që, na fakt, protestat bëjnë, mbajtjen gjallë të temperaturës politike në vend, shkundjen e mazhorancës si dhe homogjenizimin e masës opozitare.

Të tre këto faktorë nuk janë verifikuar edhe pse protestat e PD-së nuk kanë reshtur. Nëse ka pasur temperaturë politike, ka qenë për shkak të goditjeve të njëpasnjëshme të SPAK dhe jo prej tronditjes opozitare. Mazhoranca më shumë është shkundur nga thirrjet në dyert e drejtësisë se sa nga Partia Demokratike, si dhe opozita jo vetëm që nuk tregon se është homogjenizuar, por ndodhet më e përçarë se kurrë në disa parti të reja e të vjetra që kanë qëndrime krejt të ndryshme me PD-në.

Në përgjithësi protestat prodhojnë energji politike, e cila ka nevojë të lidhet me rrotat e ndryshimit që të bëjë lëvizjen e duhur. Ngjashëm me motorin e një mjeti i cili i ndezur prodhon energji, por nëse nuk lidhet me rrotat e tij nuk bën dot zhvendosjen. Partia Demokratike sot provon të prodhojë një masë të caktuar energjie politike me protestat e saj, por ato jo vetëm që nuk janë shumë të fuqishme por mbi të gjitha nuk e kthejnë këtë energji në zhvendosje duke e lidhur me rrotat e ndryshimit politik./Gazeta Panorama