“Lokali frekuentohej nga politikanë e ministra”- Gjyqi për “Plumbin e Artë”, Nuredin Dumani rrëfen si u bë mik me Festim dhe Petrit Qolin: Do më nxirrnin nga burgu si…
Vijon me dyer të mbyllura dëshmia maratonë e Nuredin Dumanit, vrasësit me pagesë, sot bashkëpunëtor i drejtësisë në procesin gjyqësor për dosjen “Plumbi i Artë”.
Sipas raportimeve nga gazetarja Klodiana Lala, Dumani ka rrëfyer disa episode kriminale që janë renditur në dosjen e SPAK, si dhe ka vijuar përplasja mes tij dhe të pandehurve apo avokatëve në proces.
Dumani deklaroi se me Festim dhe Petrit Qolin është bërë mik në vitin 2013 e në vazhdim, pasi ata paguan avokatin dhe ndërhynë në sistemin e drejtësisë për ta nxjerrë nga burgu me një raport mjekësor si i sëmurë.
Po ashtu, gjatë seancës mësohet se Nuredin Dumani deklaroi se lokali i Qolëve frekuentohej nga politikanë e ministra, por pa përmendur emra.
Nga ana tjetër, Gentjan Sharra ka kundërshtuar një dëshmi të Dumanit, teksa ky i fundit e implikoi në një ngjarje kriminale, pasi në deklarimet fillestare para prokurorëve nuk e kishte përmendur.
Ndërkohë, Petrit Qoli që seancën e kaluar tha se po mbahet në burg me pa të drejtë, duke lënë jashtë një grua që e dashuron. Në seancën e kësaj të enjte, ai tha se do të lutet për dy prokurorët e SPAK të cilët i konsideron si anëtarë të familjes.