Suksesi në derbi jep efekte, Theo pranë rinovimit, Milan tenton Arda Gyler
Milano, pjesa kuqezi, po shijon disa ditë të lumtura pasi suksesi në Superkupën e Italisë, në finale përballë Inter, ka ndryshuar totalisht ambientin, tani të gjithë shpresojnë se “djalli” mund të rikthehet në garë, të paktën për të kapur në vend në Champions League. Një meritë të padiskutuar për këtë ka edhe trajneri i ri, Conceiçao, i cili brenda një periudhë rekord rikthehu harmoninë në skuadër duke likuiduar dy rivalë të përjetshëm si Juve e Inter.
Portugezi duket i destinuar për Milan, pasi pak kohë më parë ishte shumë pranë stolit të përfaqësueses belge, madje me dyfishin e pagës, i rezistoi tundim dhe sapo Milan doli në horizont pranoi menjëherë ofertën e Ibrës.
Tani gjërat duken të stabilizuara, kjo po reflektohet edhe te disa titullarë si Theo Hernandez dhe Rafa Leao. Anësori francez zhvilloi një super finale, realizoi një gol dhe dhuroi një assist, ndërsa sipas mediave italiane tani Theo do të hedh edhe firmën mbi kontratën e re. Palët kanë gjetur një akord total edhe në aspektin ekonomik pasi i kanë ofruar 6-6,5 milionë euro pagë sezonale duke e shndërruar francezin në një nga lojtarët më të paguar në radhët e Milan.
Jo vetëm kaq, Milan po studion tregun edhe për të përforcuar ekipin. Mediat në Turqi bëjnë me krah tifozët kuqezi pasi shkruajnë se Milan po shqyrton opsionin për të transferuar Arda Guler. Fantazisti turk nuk po gjen hapësira në Madrid, kjo edhe për shkak të disa dëmtimeve, sezonin e fundit e mbylli me 12 ndeshje në total dhe me 6 gola të shënuar. Bëhet fjalë për një operacion “alla Brahim Diaz”, një huazim deri në përfundim të këtij sezoni.
Një pistë më konkrete është ajo e Marcus Rashford, me sulmuesin anglez që kërkon një skuadër të re pasi është jashtë planeve të klubit. Edhe në këtë rast, Milan e kërkon në formë huazimi deri në fund të sezonit, por United ka një kusht, kuqezinjtë duhet të paguajnë pagën e tij e cila deri më 30 qershor është 7 milionë euro.
()