Inaugurimi i Donald Trump si Presidenti i 47-të i SHBA-ve, a do marrë pjesë Ursula von der Leyen? Zëdhënësja e KE: Nuk ka marrë ftesë, por…
Ursula von der Leyen nuk ka marrë një ftesë për të marrë pjesë në inaugurimin e Donald Trump si presidenti i 47-të i SHBA-së, por ajo po kërkon të vendosë “kontakte të hershme” me administratën e re, konfirmoi Komisioni Evropian sot.
“Ne nuk kemi marrë një ftesë dhe nuk ka asnjë plan që ajo të marrë pjesë,” tha zëdhënësja Paula Pinho kur u pyet gjatë konferencës ditore për shtyp.
Megjithatë, ajo shtoi: “Po mundohemi të kontaktojmë sa më shpejt me administratën e re” të SHBA-së , dhe para 20 janarit.
Presidentja e Komisionit, e cila është shtruar në spital me pneumoni të rëndë, njoftoi një javë më parë se do të anulonte të gjitha angazhimet e saj jashtë vendit deri në mes të janarit.
Sipas traditës, në ceremoninë e inaugurimit të presidentëve amerikanë nuk ftohet asnjë kryetar shteti apo qeverie e huaj.
Megjithatë, Donald Trump vendosi të bëjë ndryshe duke ftuar disa liderë të huaj, përfshirë presidentin kinez Xi Jinping, i cili e refuzoi ftesën.
Në vend të kësaj, kryeministrat e Italisë dhe Hungarisë, Giorgia Meloni dhe Viktor Orbán, pritet të udhëtojnë në kryeqytetin amerikan më 20 janar.