Ngjarja në Astir, shpallen në kërkim pesë persona, policia: Mbajtën të mbyllur në banesë 21-vjeçaren
Pesë persona janë shpallur në kërkim lidhur me ngjarjen e një dite më parë, 9 janar, në zonën e Astirit në Tiranë, ku të afërmit e 21-vjeçares Sajma Qordja, ngritën alarmin se ajo po mbahej peng në një apartament.
Sipas policisë, në kërkim janë shpallur shtetasit me iniciale S. S., 29 vjeç, A. A., 36 vjeç dhe O. A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë; J. S., 26 vjeç, banues në Tepelenë; dhe A. J., 40 vjeç, banues në Vlorë.
Ndërkohë ishte marrë me qira ditore edhe një apartament përballë atij ku ishte e reja, ku shërbimet e policisë gjatë aksionit të djeshëm (9 Janar) gjetën 2 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera personale që do t’i shërbejnë hetimit.
Tiranë
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për shtetasen S. Q. që kërkoi ndihmën e Policisë, ndërkohë që ndodhej në katin e tetë të një pallati në Astir, bëjmë me dije se:
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit:
S. S., 29 vjeç, A. A., 36 vjeç dhe O. A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë; J. S., 26 vjeç, banues në Tepelenë; dhe A. J., 40 vjeç, banues në Vlorë.
Nga veprimet e para hetimore të kryera për këtë rast dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në apartamentin ku ndodhej, i marrë me qira ditore.
Gjithashtu, ishte marrë me qira ditore apartamenti përballë në të cilin shërbimet e Policisë, ditën e djeshme, gjetën gjatë kontrollit, 2 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera personale që do t’i shërbejnë hetimit.
Vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim. Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
DINAMIKA E NGJARJES
Sipas raportimeve nga gazetari Igli Çelmeta, në total kanë qenë 6 persona, 3 vajza dhe 3 djem, të cilët prej mbrëmjes së të mërkurës ndodheshin në dy apartamente në katin e 8 të pallatit, ku i kishin marrë me qira dy Airbnb ngjitur me njëri-tjetrin.
Apartamentet ishin marrë me qira nga një djalë me të cilin frekuentohesh 21-vjeçarja me iniciale S.Q. Të rinjtë e kanë kaluar natën e së mërkurës deri në mesditën e së enjtes te të dy apartamentet, ku dyshohet se kanë konsumuar edhe lëndë narkotike.
Mesditën e së entjes, 9 janar, 5 të rinjtë e tjerë, dy vajzat dhe tre djemtë, kanë zbritur poshtë pallatit për të konsumuar kafe, ndërsa vajzën me iniciale S.Q. e kanë lënë në dhomë, në gjumë, dhe kur është zgjuar nga gjumi, e reja ka parë dy armët e zjarrit pistoleta dhe jelekun antiplumb dhe më pas ka filluar të shfaqë paranoja dhe të bërtasë e frikësuar, ulërima që janë dëgjuar edhe nga banorët në pallat.
Më pas ajo ka telefonuar familjen e saj, nënën, duke i thënë se ndjehet e rrezikuar dhe e frikësuar dhe se gjatë gjithë natës është dhunuar nga disa persona dhe po mbahej peng. Kanë qenë familjarët e saj që më pas kanë lajmëruar policinë, duke i thënë se vajza e tyre është rrëmbyer nga persona që kanë edhe armë dhe që e kanë dhunuar.
Ndryshe nga njoftimi zyrtar i parë i policisë së Tiranës, që deklaron se në sallën operative ka telefonuar vajza me iniciale S.Q., në polici ka telefonuar babai i vajzës, dhe daja ka bërë denoncim në polici.
Fillimisht pas telefonatës së familjarëve të vajzës, në katin e tetë pranë apartamentit kanë shkuar dy efektivë të forcave të rendit, por vajza e cila herë pas here ulërinte e frikësuar duke shfaqur paranoja, nuk i ka hapur derën. Më pas edhe familjarët e saj kanë shkuar aty për ta bindur. Ka qenë i ati i cili ka komunikuar me video call me vajzën pas derës, ku ndodhej bashkë me policinë, por vajza sërish nuk ka hapur derën.
Më pas efektivët e rendit kanë lajmëruar FNSH dhe forcat RENEA të cilët u futën në apartament nga dritarja duke zbritur nga taraca e pallatit. Ndërkohë 5 personat e tjerë, tre djemtë dhe dy vajzat e tjera, në momentin e parë që kanë konstatuar që në katin e 8 pranë apartamenteve që kishin marrë me qira u ngjitën dy efektivë të forcave të rendit, janë larguar.
Policia ka sekuestruar dvr-në e kamerave të sigurisë të pallatit dhe ka identifikuar të gjithë personat ( 3 djemtë dhe 2 vajzat e tjera) dhe lëvizjet e tyre nga dita e parë e akomodimit te dy apartamentet, deri te largimi pas mbërritjes së policisë.
Madje 6 të rinjtë mbrëmjen e së mërkurës i kanë vizituar edhe disa miq të tjerë, por këta kanë qëndruar pak dhe janë larguar. Dy vajzat e tjera të identifikuar tashmë janë pyetur nga policia.
Policia, pas mbërritjes në fillim te apartamenti ku ndodhej vajza brenda, ka pyetur pronarin i cili ka deklaruar se personi që e kishte marrë me qira apartamentin, prej muajit nëntor kishte marrë edhe apartamentin ngjitur me qira. Më pas policia ka ushtruar kontroll edhe aty, teksa vajza qëndronte e mbyllur te apartamenti tjetër. Në dy apartamentet policia gjeti pije alkoolike, dy pistoleta dhe një jelek antiplumb. Po ashtu u konstatuan edhe shenja të konsumimit të lëndëve narkotike.
Vajza ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe në dëshminë e saj paraprake para policisë ka deklaruar se është ndjerë e rrezikuar dhe se ka qenë bashkë me dy vajza të tjera dhe tre djem dhe se ata e kishin ftuar.
Ajo është shprehur se ka qenë e frikësuar kur ka parë që mbanin armë dhe i ka kërkuar ndihmë familjarëve. Pasi është qetësuar ajo ka deklaruar se nuk është dhunuar.