Përhapja e H5N1 rrezikon seriozisht shpendët e egër në Shqipëri
Shoqata e Ornitologëve Shqiptarë AOS konfirmoi prezencën e gripit të shpendëve H5N1 edhe ne zonën ligatinore të Divjakë-Karavasta, pas një monitorimi dhe kontrolleve të përbashkëta në terren që ekipi i tyre bëri së bashku me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Fier.
“Kadavra shpendësh të egër u gjendën në Divjakë Karavasta”, shkruhet në njoftimin publik të AOS.
“Për fat të keq u gjetën 9 kadavdra të shpendëve të egër në një sipërfaqe ligatinore të kufizuar”, vijon njoftimi.
H5N1 është një lloj i virusit të gripit të shpendëve- i njohur edhe si gripi i shpendëve, që prek kryesisht zogjtë, por që në raste të rralla mund të infektojë edhe njerëzit dhe kafshët e tjera. Ky virus është shumë infektues dhe i rrezikshëm për shpendët, duke shkaktuar shpesh epidemi në tufat e shpendëve.
Sipas ornitologut Taulant Bino përhapja e këtij gripi ka efekte tejet negative si në terma afatshkurtër ashtu edhe afatgjatë, duke rrezikuar edhe zhdukje të disa specieve të caktuara shpendësh.
“Në terma afatshkurtër gripi shkakton ngordhje masive të popullatave të shpendëve të egër përfshirë pulëbardha, pelikanë, rosa dhe shpend grabitqarë e kermngrënës”, i tha BIRN Taulant Bino.
Ornitologu Bino theksoi se për pelikanët përhapja e këtij gripi është akoma më kritike pasi ata fillojnë folezimin pikërisht në Janar, dhe kjo rrit mundësinë e shpërndarjes dhe vdekjeve në numër të lartë.
“Sidomos për koloni të vogla si e Pelikanit kaçurrel në Divjakë-Karavasta mund të çojë thuajse në humbje të plotë të popullatës në terma afatgjatë”, tha Bino për BIRN, duke theksuar se nëse ndodh rimëkëmbja ka për të qenë tejet e vështirë.
Sipas Binos, masat që mund të ndërmerren për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të gripit lidhen me monitorimin e shpendëve të sëmurë në të gjitha ligatinat e vendit, si edhe mbledhjen dhe asgjësimin e tyre me metoda të sigurta për të mos rritur shkallën e prekjes në speciet e tjera.