Reforma në drejtësi, si një përrallë për fëmijë…!?
NGA XHEVAT MUSTAFA
Bazuar te kjo përvojë negative, shumë qytetarë shqiptarë, ndryshe nga ca “miq ndërkombëtarë” janë skeptikë për seriozitetin dhe korrektesën e reformës në drejtësi! Doza e skepticizmit është shtuar sidomos nga tejzgjatja e hetimeve dhe e marrjes së vendimit përfundimtar për disa figura me peshë të ndjeshme partiake dhe qeverisëse në Rama-parti-qeveri. Për konkretizim mund të kujtohen rastet Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, Linda Balluku, Olta Xhaçka, Frida Krifca, Ilir Beqaj, Erion Veliaj… Por, edhe ngaqë në zyra e salla gjykatash dhe prokurorish gjenden dhe ndeshen jo pak gjykatës dhe prokurorë, që Kushtetutën dhe ligjet i shikojnë dhe trajtojnë, interpretojnë dhe zbatojnë jo me mendjet, sytë, ndërgjegjen e tyre njerëzore e profesionale, por të shefave lart e jo larg, veshur me pushtete zyrtare ose ordinere e kriminale si dhe me kostume firmato blerë me para të pista… shndërruar edhe në kulla e saraje turistike, në inceneratorë që shikohen me sy ose ekzistojnë vetëm nëpër dosje si dhe që janë ruajtur edhe në “parajsat ofshore”…!
Vetë rastet e dënimeve të buta për disa prej këtyre, futur deri në fyt ose tek gjunjët në moçalin e abuzimeve, krimit, korrupsionit… falë zvogëlimit dhe lehtësimit të akuzave, të shtyjnë drejt dyshimit apo të së vërtetës së nuk janë pa një marrëveshje paraprake mes urdhërdhënësit dhe miratuesit me viktimat, nënkuptueshëm më herët, me njerëzit kompetentë në SPAK dhe GJKKO dhe gjykata të tjera. Afërsisht apo letrarisht, konfidencialisht, pa u regjistruar nga asnjë çip, celular, kamera e fshehtë… mes tyre mund të jetë zhvilluar ky dialog:
– Besoj se e merr me mend se nuk mund të të mbroj më? Kupa jote ka kohë që po derdhet… Me këto që ke bërë, meriton dënim të rëndë…
– Nuk kam bërë më shumë se të tjerët…! Shumica e tyre ose janë të lirë, ose janë dënuar sa për të mos i dënuar…
– Ti e di se unë jam i mirinformuar për gjithçka është bërë e bëhet përreth meje nga ju, njerëzit e mi si dhe nga kundërshtarët apo “armiqtë” e mi! Deri më sot kam mbyll një sy e një vesh e gojën. Por, tani më keni vënë në pozitë shumë të vështirë… Prandaj, edhe ti prano arrestimin dhe një burgim afatshkurtër dhe komod apo të privilegjuar…! Duhet e do ta bësh këtë edhe në të mirën tënde, edhe në të mirën e partisë, qeverisë, timen…! Mos e merr me shumë dramë! Do të prekesh lehtë nga pronat dhe pasuritë, sa për t’u mbyllur gojën apo për t’u hedhur hi syve atyre të opozitës e ca ndërkombëtarëve në anën e saj! Ti do të jesh në burg, por punët e projektet e tua do të vazhdojnë nga njerëzit e tu… Dakord?
– Ç’më mbetet mua të them? Ju e paskeni vendosur…? Tani më mbetet vetëm të shpresoj se do të ndodhë pikërisht kështu siç më thatë…!
Po e përsëris: ky dialog i fantazuar apo krijim letraresk nuk duhet të jetë larg të vërtetës dhe kabinetit të shefit të SPAK-ut! Për më tepër e më keq, krahas dënimeve të pambukta apo për pastrim e legalizim pasurie, është vënë re edhe dukuria shqetësuese që shumica e atyre që bëjnë abuzime skandaloze korruptive dhe krime të rënda, që vrasin njerëz, që dinë shumë të fshehta e pisllëqe të Rama-parti-qeverisë, çuditërisht, nga “klinika të specializuara e të pavarura…” dalin me “kriza akute nervore” apo “të çmendur”…!? Kjo bëhet me sugjerimin dhe kërkesën e avokatëve mbrojtës për ta kaluar periudhën më të madhe ose krejt dënimin në spital…!
Kjo temë është e gjerë dhe komplekse. Krahas specialistëve nga fusha e drejtësisë, mund të japin opinione dhe raste ilustrues apo konkretizues edhe qytetarë, sidomos nga ata që kanë qenë të detyruar të hyjnë e dalin shpesh në dyer prokurorish, gjykatash, burgjesh… për raste gjykimesh dhe dënimesh të kësaj natyre…! Shumica e opinioneve bashkohen në një përfundim të përafërt: reforma në drejtësi në Shqipëri, në mënyrë figurative, është edhe si një përrallë për fëmijë, edhe si një gotë e mbushur përgjysmë! Për të përcaktuar rezultatin e saktë varet nga pozicioni nga e shikon…!
Disave, sidomos nga opozita e shumica e qytetarëve- viktima, mund t’u duket më shumë si bosh! Të tjerëve, sidomos nga pozita dhe kori shqiptar e ndërkombëtar, që i mban iso, si e mbushur mirë…! Kam bindjen se më mirë se të dy palët, një gjykim më të saktë mund të japin “të verbrit dhe të shurdhrit” për opinionet nga të dy krahët e nga lart e poshtë! Gjithsesi, mjerë ata që i çojnë kokat, duart, këmbët e tyre ose si viktima të rastësisë, të hakmarrjes, konflikteve të interesave, të skenarëve dhe intrigave… në zyra dhe salla prokurorish dhe gjykatash!/Gazeta Panorama