“Nuk shoqërohem me Inezin”- I mbijetoi atentatit në Vlorë, zbardhet dëshmia e Kevin Hajrullës: S’i njoh ekzekutorët, e ndjeva erën e barutit në makinë
Kevin Hajrulla që i mbijetoi atentatit të mirëorganizuar në Vlorë, është përmirësuar nga gjendja shëndetësore dhe ka dhënë shpjegime për grupin e hetuesit.
Ai ka mohuar të ketë njohur ekzekutorët, por thekson se ka ndjerë erën e barutit kur u qëllua në momentin që u ngjit ne makinë dhe pastaj ra pa ndjenja.
Sipas raportimeve nga gazetarja Klodiana Lala, ai pretendon se nuk ka konflikte me persona të tjerë dhe se për një kohë të gjatë ka punuar në call center.
I pyetur për marrëdhëniet me kushëririn e tij, Inez Hajrulla, i cili është në përplasje të forta me grupin e Bernand Sinomatit, ai ka shpjeguar se me të është takuar shumë rrallë.
“Nuk shoqërohem me Inezin. Ndodh që takohemi në raste familjare”, ka rrëfyer I plagosuri.
Policia ka dyshime të forta se Kevin Hajrulla është tentuar të eliminohet për shkak të përplasjeve që kushëriri i tij, Inez Hajrulla, ka me grupet kriminale, edhe pse i plagosuri rezulton pa rekorde.
Aktualisht Hajrulla ndodhet në spital në gjendje të stabilizuar pasi ka bërë 3 ndërhyrje kirurgjikale.
Inez Hajrulla deri më tani nuk është pyetur nga grupi hetimor, për shkak se sipas sistemit TIMS ai rezulton se është jashtë vendit. Grupi i Inez Hajrullës është në përplasje me disa grupe të tjera.
Konfliktin me të fortë e ka me Bernard Sinomatin, nipi i të cilit Gëzim Sinomati u ekzekutua dhjetorin e 2023 me snajper në distancë. Vrasja e Gëzim Sinomatit, djalit të Sokol Sinomatit i njohur si “Buzëderri”, ende nuk është zbardhur.
Ndërkohë pas atentatit të Vlorës, ku mbeti i plagosur Kevin Hajrulla dhe një person tjetër, në Tiranë u tentua ekzekutimi i Bernard Sinomatit.