Zgjedhësit e Athinës dhe demokracia
NGA ANETA WOLTER
Në një nga dialogët e Platonit, Sokrati përdor një analogji të thjeshtë, duke krahasuar shtetin me një anije të madhe. Ai i drejton një pyetje personazhit të quajtur Adeimantos: “Kujt do t’ia besoje drejtimin e një anijeje në det të hapur? Një kapiteni të aftë dhe me përvojë, që njeh mirë artin e navigimit, apo dikujt tjetër”?
Përgjigjja ishte e qartë: “Padyshim kapitenit me njohuri të sakta dhe përvojë”. Sokrati theksonte se zgjedhja e më të aftit nuk është çështje intuite, por një aftësi që lidhet me nivelin e njohurive dhe kompetencën e zgjedhësve. Me këtë shembull, ai donte të tregonte se për të marrë vendime të reflektuara dhe racionale – dhe jo thjesht intuitive apo të bazuara në interesa personale – nevojitet një kualifikim që arrihet përmes arsimimit dhe informimit të duhur.
Ai besonte se fati i sistemit demokratik varej nga kompetenca dhe njohuritë e atyre që zgjidhnin drejtuesit e vendit. Sokrati argumentonte se një demokraci pa zgjedhës të mirinformuar ishte e destinuar të dështonte. Në Athinë, sipas tij, njohuritë dhe informacionet e qytetarëve për çështjet shoqërore ishin të kufizuara. Si pasojë, drejtuesit e zgjedhur prej tyre shpesh nuk ishin të përshtatshmit. Si një kritik i njohur i demokracisë, Sokrati shprehte shqetësimin për aftësitë, nivelin e njohurive dhe cilësinë e vendimmarrësve të Athinës.
Për Sokratin, ata që drejtojnë vendin duhet të zgjidhen si profesionistë, të pajisur me aftësi të plota për të trajtuar problemet e shtetit. Ai pyeste: “A do të zgjidhnit një mjek për t’ju trajtuar bazuar në aftësitë e ij profesionale, apo për arsye të tjera”? Urtësia dhe dituria e drejtuesve përbënin, për Sokratin, garancinë për një drejtim efektiv të vendit. Këta drejtues duhej të kishin aftësi intelektuale dhe integritet moral, ashtu si kapiteni i anijes, që di të navigojë. Vetëm drejtues të tillë, sipas tij, mund të vinin interesat e shtetit mbi ato personale. Sokrati i vlerësonte burrat e shtetit përmes një kriteri të qartë: Një burrë i mirë shteti është ai që, të paktën, ka bërë të mundur që një person – qoftë i huaj apo vendës, skllav apo i lirë – të bëhet dukshëm më i mirë.
Shqetësimi i Sokratit për demokracinë lidhej ngushtë me natyrën njerëzore, e cila, sipas tij, ka prirje për të kërkuar kënaqësi të shpejta në vend të zgjidhjeve afatgjata dhe vlerave morale. Për këto arsye, në përballjen me diturinë dhe kompetencën, shpesh fitonin demagogët dhe individët karizmatikë. Duke shfrytëzuar paditurinë e njerëzve dhe duke manipuluar emocionet, këta të fundit premtonin zgjidhje të shpejta, duke shmangur ato reale, komplekse apo afatgjata. Sipas Sokratit dhe nxënësit të tij, Platonit, urtësia dhe virtyti ishin vlerat më të larta të një shoqërie.
Por në një sistem demokratik, për shkak të paditurisë së zgjedhësve, këto vlera ishin gjithnjë në rrezik. Filozofët, më shumë se 2000 vjet më parë, shprehnin një shqetësim për një varësi që vazhdon të jetë e rëndësishme edhe sot: niveli i njohurive mbi shtetin, politikën dhe informimin, si përgjegjësi personale e zgjedhësve për nivelin e të zgjedhurve, brenda një sistemi demokratik.